E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria pyet fshatarët e tokave që i bleu Damir Fazliç

Banorët e Porto Romanos në Durrës,
ku bleu prona Damir Fazliç,
janë marrë në pyetje nga
Prokuroria e Tiranës, në lidhje
me procedimin penal ndaj serbo-boshnjakut.
Ata kanë rrëfyer për hetuesit e
çështjes se janë kontaktuar nga një studio
ligjore që përfaqësonte një shtetas
anglez për blerjen e pronave të tyre me
një çmim pak më të lartë se çmimet e
tregut. Lajmi bëhet i ditur nga burime
pranë akuzës kryeqytetase, të cilat kanë
administruar në dosje se një dynym tokë
në Porto Romano shitej 2-3 milionë lekë
(të vjetra). Pra, një çmim tepër i ulët nga
sa mund të përfitojë shtetasi Damir Fazliç
nëse në Durrës mund të ngrihet parku
energjetik. Në lidhje me studion ligjore që
i ka kontaktuar, banorët thanë se nuk i
njihnin me emra personat, por kanë mundur
që të kryejnë të gjitha procedurat ligjore
brenda një kohe të shkurtër. "Personat
që përfaqësonin shtetasin e huaj ishin
dy. Ata vinin nga Tirana dhe kishin një studio
ligjore. Këta persona na komunikuan
se donin të blinin tokën. Për shkak të
kushteve të këqija ekonomike vendosëm
ta shisnim pronën me një çmim 300 mijë
lekë dynymi, që ishte pak më shumë se
mesatarja e çmimit të tokave në këtë
zonë", mësohet se kanë deklaruar banorët
e Porto Romanos për hetuesit e çështjes.
Ata kanë thënë gjithashtu se shitblerja
është kryer me noterizim.
Burimet nga Prokuroria e Tiranës
thanë se do të marrin në pyetje të gjithë
banorët që i kanë shitur prona shtetasit
Damir Fazliç. Nga ana tjetër, prokurorët e
çështjes kanë fakte, sipas të cilave Fazliç
ka blerë prona në Durrës, saktësisht në
vendin e quajtur Porto Romano, me vlerë
1.7 milionë euro. Sipas investigimeve të
Prokurorisë së Tiranës, shoqëritë që kanë
blerë këto prona nuk zotërojnë asnjë kapital,
madje janë regjistruar në gjykatë me
një kapital prej 100 mijë lekësh (të reja).
"Shoqëria ‘Crown Acquisition‘ është regjistruar
në gjykatë më datë 25.09.2005, me
vendimin numër 34011 të Gjykatës së
Rrethit Tiranë. Ortaku i vetëm është
Damir Fazliç dhe kapitali themeltar 100
mijë lekë, i ndarë në 100 kuota. Zotëruesi
është po Fazliç dhe objekti është aktiviteti
tregtar në fushën e pasurive të paluajtshme,
në fushën e projekteve, të zhvillimit
urban dhe të ndërtimit", deklaron
prokurori. Sipas tyre, duke saktësuar
se megjithëse kishte një kapital
vetëm prej 100 mijë lekësh, ka arritur të
blejë një truall me vlerë miliona euro. Sipas
akuzës, shoqëria e dytë në emër të
Fazliçit është "Alfa". "Shoqëria ‘Alfa‘
themelohet në gjykatë në vitin 2008 dhe
qëndron në një status pasiv. Por rezulton
se kjo shoqëri, krahas ‘Crown Aqustions
sh.p.k.‘, që mbante një status pasiv, ka
qenë një subjekt i tatueshëm për të operuar
në shtetin shqiptar. Megjithëse në
këto kushte, kjo shoqëri kryen veprimtari
tregtare, duke blerë toka, asete, në
vendin e quajtur Porto Romano në Durrës",
deklaron prokuroria. Sipas saj, të
gjitha blerjet janë bërë në një kohë që
shoqëria "Alfa" nuk ishte e regjistruar fare
si subjekt tatimor. "Nuk kishte deklaruar
të ardhura dhe nuk kishte llogari bankare",
theksojnë ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›