E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka, i tradhtuar nga Milani



Kaka ndihet i tradhtuar nga Milani, pasi klubi dëshiron ta shesë te Mançester Siti dhe nuk është ai që dëshiron të largohet. Braziliani ua kishte rrëfyer këtë detaj shokëve të skuadrës, gjatë një dreke në restorantin milanez të Klarens Sedorfit. Thashethemi vjen jo nga Italia, por nga “Daily Mirror” në Angli. Gazeta britanike ka vendosur në faqen e parë një foto të madhe të Kakasë, por me uniformën e Mançester Sitit dhe me titullin “Unë i përkas Sitit”, që i referohej qartësisht shkrimit që Kaka mban shpesh në bluzën e brendshme: “Unë i përkas Jesuzit”.
Tabloidi anglez përshkruan edhe gjithë axhendën e një udhëtimi të Kakasë në Mançester gjatë Krishtlindjeve, teksa kishte shkuar për t’i bërë një vizitë mikut të tij, Robinjo, ky i fundit mendohet se ka qenë baza edhe e transferimit që ka tronditur botën e futbollit.
RONALDINJO – Braziliani nuk duket së është shumë dakord me transferimin e Kakasë dhe për “Daily Star” ai tha: “Nëse Kaka do të shkojë, do të ishte një katastrofë, pasi ne kemi nevojë për të për të fituar. E njoh Rikin prej shumë vitesh dhe jam i bindur se nuk janë paratë arsyeja kryesore që ai dëshiron të lërë Milanin. Megjithatë, ai është mjaft i qetë, dhe për këtë unë besoj se ai do të qëndrojë. Nga ana tjetër, askush nga ne nuk dëshiron që ai të largohet, pasi prania e tij është shumë e rëndësishme. Kaka është një kampion, është një simbol për Milanin. Mund ta kuptoj se Robinjo e Jo e duan të bashkohet me ta, por ne dëshirojmë që ne të kthehemi në Ligën e Kampioneve dhe për t’ia dalë kemi nevojë për Rikin”.
MURINJO – Sipas gazetës “Times”, tani objektivi i radhës i Mançester Sitit quhet Hoze Murinjo, në rast se Mark Hujxh do të dështojë gjatë sezonit aktual në Premier Ligë. Sipas së përditshmes britanike, Siti ka ndërtuar edhe një strategji të tijin për të bindur portugezin ta lërë Interin në muajin qershor, nisur kjo dhe nga interesimi i shpeshtë i Mou për futbollin anglez. Alternativa e dytë është Karlo Ançeloti i Milanit, por nuk mungon edhe hipoteza e Rafa Benitezit.
TERRI - Në frontin e lojtarëve, përveç Kakasë, ka lindur edhe ideja e Xhon Territ, për të cilin Siti do të ishte gati të vendoste ne pjatë jo më pak se 45 milionë euro qysh në muajin janar. Paratë nuk përbëjnë një problem për sheikun Mansur, edhe pse të premten kishte humbur 490 milionë euro për shkak të rënieve të aksioneve.

240 milionë euro

Riki Kaka ka marrë një superofertë nga sheikët e Mançester Sitit, që shkon deri në 120 milionë euro për klubin e Milanit dhe një rrogë vjetore prej 15 milionë eurosh për vetë lojtarin. Por, nëse aktualisht flitet vetëm për 120 milionë eurot që klubi i Milanit mund të fusë në arkat e tij, nuk duhet harruar se ky operacion do t’u kushtojë sheikëve arabë edhe një herë tjetër këtë shifër, pasi braziliani për katër-pesë vitet e ardhshme pritet të fitojë plot 120 milionë euro. Kaka kishte kërkuar një rritje prej 20 përqindësh në raport me ofertën fillestare të arabëve, që do të thotë në shifra, nga 500 mijë euro në javë, në 730 mijë euro në javë, si kompensim se nuk do të luajë vitin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve.

Pesë transferimet më të shtrenjta të historisë

Zidane 75 mln
(Nga Juventus tek Real Madridi në 2001)
Figo 55.6 mln
(Nga Barcelona tek Real Madridi 2000)
Krespo 53.6 mln
(Nga Parma tek Lacio 2000)
Bufon 52 mln
(Nga Parma tek Juventus 2001)
Robinjo 51.5 mln
(Nga Real Madridi tek Mançester Siti 2008)

Çfarë mund të blihet me 120 milionët e Kakasë

5 Ronaldinjo e gjysmë, duke përfshirë këtu çmimin e kartonit të tij dhe të gjitha pagat vjetore që garanton kontrata e tij me Milanin.

500 Ferrari 599 GTB, model i njëjtë me atë të shkatërruar nga portugezi Kristiano Ronaldo, vetëm pak ditë më parë, në një tunel të Mançesterit.

16.8 milionë pampersa për të voglin Luka Celiko Leite, djali i vogël i fantazistit të jashtëzakonshëm të kuqezinjve, Rikardo Kaka.

3.3 milionë fanella zyrtare të skuadrës së Mançester Sitit, në të cilat sigurisht që pritet të shkruhet emri i futbollistit brazilian.

1 Boing 747 ose 787, një ndër avionët (për transport pasagjerësh) më luksozë e, sigurisht, më të shtrenjtë të prodhuar në vitet e fundit

380 apartamente, me hapësirë 100 metra katrorë, në qendër të Milanos, një ndër qytetet më të shtrenjta në botë.

Sheiku 38-vjeçar, 15 miliardë sterlina për lavdinë

Njeriu që po këmbëngul t’i “rrëmbejë” Milanit Rikardo Kakanë, për shifrën marramendëse të 120 milionë eurove, është sheiku Mansur Bin Zajed Al-Najan, i cili ëndërron ta shndërrojë Mançester Sitin në një ndër klubet më të forta në botë. Synim që mund të quhet i arritshëm, duke ditur që në dispozicion të realizmit të planit të tij, ka vënë në dispozicion 15 miliardë sterlina. Mansur Bin Zajed Al-Najan është anëtar i Këshillit suprem të Naftës dhe të grupit “Abu Dhabi Investimen Authority”. Vitin e kaluar ka vendosur të blejë Mançester Sitin. Është diplomuar në shkenca politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është 38 vjeç, përflitet se zotëron 300 kuaj me gjak të pastër, është president i klubit të hipizmit, “Abu Dhabi”. Përveç hipizmit, sheiku dashuron gjithashtu edhe futbollin, dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe është gjithashtu edhe president i skuadrës së Al Zhazirës. Një ndër njerëzit më të pasur në botë, por për të kuptuar më mirë pasurinë e tij mjafton të përmendet se nëse çmimi i një fuçie naftë rritet me një dollar, brenda një dite, Abu Dhabi fiton rreth 500 milionë dollarë (350 milionë euro) më shumë. Pas Kakasë, pronari i Sitit ka planifikuar që gjatë tri viteve të ardhshme të arrijë të fitojë Ligën e Kampioneve. Ai ka gjithashtu gati ofertat për “italianët”, Bufon (75 milionë euro), De Rosi (70 milionë euro), Zarate (20 milionë euro), Trezege (25 milionë euro) dhe ai që duket më pranë Sitit se të tjerët është Marko Materaci (10 milionë euro).
Ish-trajneri i Kombëtares së Brazilit, kampion bote në vitin 2002, dhe tekniku aktual i skuadrës së Çelsit, Luiz Felipe Skolari, ka deklaruar se nuk është aspak i habitur nga mundësia që Rikardo Kaka të zgjedhë të largohet nga Milani për t’u transferuar tek Mançester Siti. “Nuk do të isha i çuditur nëse Riki do të zgjidhte transferimin tek Mançesteri. Ky është futbolli modern dhe një gjë e tillë mund të jetë normalisht pjesë e jetës së një profesionisti. Siti ka paratë, Kaka është një ndër më të mirët në botë, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës, një talent i rrallë i futbollit botëror dhe kështu që përse drejtuesit e Mançesterit të mos investojnë te një si ai. Gjithsesi, nuk besoj se kjo gjë është vetëm çështje parash, por një provë, një ide e vështirë, por e rëndësishme për të ardhmen e Kakasë”, - deklaron trajneri brazilian i skuadrës së Çelsit, Felipe Skolari.

19 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›