PS, ende pa kryetar në Librazhd e Kolonjë
Partia Socialiste ende nuk ka përfunduar zgjedhjen e kryetarëve socialistë në rrethe. Rrethi i Librazhdit dhe ai i Kolonjës nuk kanë mbyllur këtë proces për shkaqe të ndryshme. Kryesia e PS ende nuk ka bërë seleksionimin e saj për kandidaturat e këtij rrethi, ndërsa në Kolonjë për shkak të qejfmbetjeve të shkaktuara nga miratimi që kryesia i bëri kandidaturave ende nuk po gjendet një konsensus brenda degës së saj. Pritet që brenda kësaj jave ky proces të përfundojë në këto dy rrethe. Por edhe këto zgjedhje nuk kaluan pa kontestime nga kandidatët për kryetarë të degëve në rrethe, të cilët akuzuan kreun socialist se po emëron njerëzit e tij më besnikë në krye të degëve të PS. Kryesia socialiste miratoi kandidaturat për krerët e degëve të rretheve pas listës së propozimeve që mbërriti nga asambletë lokale. Madje pati dhe akuza për influenca të kryetarit Rama në këto zgjedhje. Anëtari i kryesisë, Ben Blushi e konsideroi "arbitrar" vendimin e marrë nga kryesia e Partisë Socialiste për të përjashtuar më shumë se gjysmën e kandidatëve socialistë (rreth 100), të propozuar nga baza e partisë, për zgjedhjet për kryetarë të degëve në rrethe të PS-së. "Ky ishte një vendim i padrejtë dhe arbitrar i kryesisë, i cili i vë këto zgjedhje në rrezik. Dua t'i bëj sot thirrje të gjithë kandidatëve në të gjitha anët e Shqipërisë që të reagojnë, t'i kërkojnë PS-së t'i përfshijë në listat e tyre të votimit dhe t'u japë mundësi të zgjidhen, apo të humbin, që ky të bëhet një proces demokratik", tha Blushi. Sipas tij, "nëse zgjedhjet e së dielës zhvillohen siç u vendos dje në kryesi, pra duke përjashtuar nga listat një numër të madh anëtarësh dhe personalitetesh të PS-së për t'u votuar, kjo parti nuk ka stabilitet dhe kohezioni i saj i brendshëm rriskohet fort në prag të zgjedhjeve lokale. Nuk mund të ketë zgjedhje kur kandidatët përzgjidhen paraprakisht", theksoi deputeti socialist, Blushi, që njihet dhe si përfaqësues i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe brenda PS-së dhe që është në oponencë me linjën e kryetarit aktual, Edi Rama. a.l