E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxhuku: Kriza greke, ndaloni daljen e kapitalit shqiptar

TIRANë- "Konfindustria, duke marr shkak nga përballja e mundshme e ekonomisë së Shqipërisë me pasojat e krizës ekonomike dhe financiare në Greqi, i kërkon institucioneve shtetërore të ndalin sa më shpejt dhe me çdo kusht daljen e paligjshme jashtë vendit të kapitaleve financiare shqiptare", thuhet në një njoftim të sotëm për shtyp të Administratorit të Përgjithshëm të Konfindustrias, Gjergj Buxhuku.

Sipas njoftimit, "Konfindustria, shpreh domosdoshmërinë e përfitimit më të madh të mundshëm nga statusi i sotëm i Shqipërisë për mosliberalizimin e lëvizjes së kapitalit, përfshi edhe nga sistemi bankar, duke i kërkuar institucioneve përkatëse si Qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe sidomos Shërbimit Informativ Shtetëror të parandalojnë çdo përpjekje për daljen e paligjshme të parave shqiptare jashtë vendit".

Sipas Buxhukut, "duhet pasur parasysh, se pavarësisht se një pjesë e ndjeshme e sistemit bankar shqiptar është në pronësi të bankave "mëmë" në Greqi, mbështetur në ligjet në fuqi në Republikën e Shqipërisë, lejohet kalimi jashtë vendit vetëm i dividentit të krijuar. Kjo do të thotë, se sistemi bankar shqiptar përfshi edhe bankat me kapital grek është krejtësisht i mbrojtur nga goditjet nga jashtë, si dhe gjendja e sistemit bankar grek".

Kusht i rëndësishëm në sa më sipër është zbatimi me rreptësi i ligjeve në fuqi për ndalimin e daljes së parave shqiptare jashtë vendit, përveç masave të nevojshme ligjore për bërjen të mundur të shtimit të të hyrave nga jashtë në ekonominë kombëtare, ku përmendim kryerjen në kohë të shpejtë të Faljes Fiskale për qytetarët shqiptare, përfundon njoftimi për shtyp i Konfindustrias.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›