Buzë Butrintit vazhdon gjendja e shtetrrethimit

Sot është e vështirë të shkosh në fshatrat kufitarë me Greqinë. Është ndoshta më e vështirë se në kohën kur për një udhëtim të tillë duheshin leje të posaçme.
Të paktën në atë kohë dihej që duhej një leje dhe dihej ku sigurohej ajo. Sot, sidomos nëse je në moshë të re dhe kërkon të kalosh përtej kanalit të Butrintit, në drejtim të kufirit me Greqinë, ka shumë gjasa të kalosh ca orë të mira në Komisariatin e Sarandës, derisa “shefat” të binden që nuk ke ndërmend të shkelësh kufirin e të kalosh matanë, përtej asaj që ishte dhe mbetet “perde e hekurt”.
Ndryshimi i perdes së dikurshme, që ndante dy botë ideologjikisht të ndryshme, qëndron vetëm në faktin se ajo tashmë është lehtësisht e përshkueshme në drejtimin BE-Shqipëri dhe pothuajse e pakalueshme në drejtimin e kundërt.
Në emër plotësimit të kushteve për t’u futur në Bashkimin Evropian, shteti shqiptar ka riaktivizuar disa mekanizma të kohës së Luftës së Ftohtë, duke mbajtur larg kufirit qytetarët e vet, që rrezikojnë të prishin humorin e fqinjëve evropianë.
Italianët flenë më të qetë pas vendosjes së moratoriumit për mjetet lundruese, ndërsa për të qetësuar grekët duhen metoda të tjera, pasi kufiri tokësor është i gjatë dhe vështirësisht i kontrollueshëm. Për këtë arsye është riaktivizuar mekanizmi i vjetër i mbrojtjes së kufirit: zgjerimi i vijës së tij.
Me Evropën që nuk njeh kufij, ne nuk na ndan sot një rrip i ngushtë toke, siç përfytyrohet dhe është normalisht kufiri shtetëror. Policia shqiptare ka krijuar një brez më të gjerë se 20 kilometra, ku çdo lëvizje mbahet nën kontroll.
Ekzistenca e këtij brezi i detyroi fatkeqët e së dielës së shkuar të hipnin në një varkë të pasigurt. Ekzistenca e këtij brezi mban në kushte shtetrrethimi banorët e fshatrave që ndodhen pranë kufirit.