Deputetët, skema ‘Islami’ trondit të vegjlit
Partitë e vogla të majta reagojnë pas variantit të propozuar nga Partia Socialiste. Flet Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili: Nuk na shqetësojnë formulat e kryetarit socialist Edi Rama.
TIRANE- Përfaqësues të partive të vogla të së majtës kanë shpërfillur dje propozimin e socialistëve për mënyrën e ndarjes së mandateve të deputetëve në çdo qark. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili tha se kjo parti nuk mund të japë ndonjë koment, para se kjo gjë të diskutohet në komisionin e reformës zgjedhore, ku LSI-ja ka ekspertët e saj. “Nuk na shqetëson asnjë lloj formule që nxjerr Islami, as Rama, as Xhafaj”, - u shpreh Vasili, i pyetur nga “Gazeta Shqiptare”. Ai tha se nuk ka asnjë interes të komentojë deklaratat apo propozimet e Kastriot Islamit, i cili dje shpjegoi se cila mund të jetë formula matematike e ndarjes së mandateve të deputetëve në çdo qark dhe më pas edhe ndarja e deputetëve në bazë të përqindjeve që merr çdo parti politike. “Ne do të kemi përfaqësuesin tonë në komisionin e reformës zgjedhore dhe ai do të prononcohet kur atje të flasë Fatmir Xhafaj, që është edhe përfaqësuesi i PS-së”, - u shpreh Petrit Vasili. Ndërkaq nga ana tjetër, nënkryetari i PSD-së, Ëngjëll Bejtaj tha se për të dhënë një gjykim realist mbi formulën e propozuar, duhet pritur rezultati i zgjedhjeve. Edhe pse ai nuk deklaron nëse PSD-ja është pro apo kundër kësaj mënyre të llogaritjes së propozuar nga ekspertët socialistë, le të kuptohet se e ka shumë të qartë formulën matematike. Sipas tij, “përderisa Shqipëria ka 2 milionë e 800 mijë votues, atëherë një zone zgjedhore i bie që të ketë 20 mijë zgjedhës”, - sqaron Bejtaj, njëlloj si Islami një ditë më parë. Më pas prej kësaj nis edhe llogaritja për të arritur në rezultatin se sa deputetë i takojnë një qarku në bazë edhe të votuesve që ka. I pyetur nëse kjo formulë mund të dëmtojë partitë e vogla, duke pasur parasysh se për deputetët në fund do të mblidhen edhe presjet dhjetore, Bejtaj tha se “nuk ka të bëjë me atë se i prish apo jo punë partive të vogla, pa parë se si do të dalin zgjedhjet”. Bejtaj thotë se ajo që do të ketë rëndësi do të jetë pjesëmarrja e zgjedhësve në votime. Kjo do të përcaktojnë edhe shifrën se sa deputetë do të mund të ketë një qark. Më pas gjithçka varet në dorë të votuesve, se për cilën parti do të votojnë.
Formula
Një ditë më parë, sekretari socialist Kastriot Islami, sqaroi se për ndarjen e mandateve të deputetëve për çdo qark do të ndiqet një rrugë e tillë. Numri total i votuesve në të gjithë Shqipërinë do të pjesëtohet me numrin total të deputetëve që ka Parlamenti shqiptar. Nga ky raport del një kuotë, e cila pjesëtohet me numrin total të votuesve të qarkut. Nga ky raport i dytë del shifra e deputetëve që i takon për qarkun përkatës. Nga ky raport mund të dalin edhe shifra me presje dhjetore, por fillimisht ky qark do të marrë aq deputetë sa është shifra para presjes dhjetore. Më pas, nëse nga shuma e këtyre pjesëve të plota para presjeve nuk është plotësuar numri 140 i deputetëve të Kuvendit, “mandatet që mbeten ndahen sipas qarqeve për ato që kanë presje dhjetore më të mëdha në renditjen e tyre”, - ka sqaruar Islami një ditë më parë. E më pas veprimi i dytë do të jetë ndarja e mandateve sipas përqindjeve që ka fituar çdo parti në atë qark. Kjo do të bëhet sipas metodës së “De Hontit”. “Merren përqindjet e partive politike dhe renditen sipas madhësisë së tyre në krahun e majtë, kurse në planin horizontal vendosen ato që quhen pjesëtues. Në rastin e metodës së “De Hontit”, pjesëtuesit janë 1, 2, 3, 4, 5,…, pra seria e numrave natyrorë dhe pjesëtohen përqindjet që janë vendosur në kolonën majtas me serinë e këtyre treguesve dhe këto japin një tabelë me disa shifra për secilën parti”. Sipas Islamit, “nëse një zonë elektorale, pra një qark, të themi ka 13 deputetë, 13 partitë që kanë shifrën më të madhe fitojnë një deputet”.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)