E Diel, 1 Nëntor 2026

Masterat, dështojnë regjistrimet te Filologjiku

Nga Esmerlada Keta
Dita e hënë është afati i fundit që MASH-i ka caktuar për regjistrimet për studimet pasuniversitare. Ndërkohë që stafet akademike kanë në dispozicion një ditë për shqyrtimin dhe publikimin e kandidatëve fitues. 

TIRANE-Regjistrimet për masterat dhe ciklin e dytë të studimeve rrezikojnë të dështojnë. Megjithëse zyrtarisht, të interesuarit duhet të kishin nisur dorëzimin e dosjeve individuale që me datë 22 tetor, në sekretaritë e Fakultetit Filologjik ende nuk është regjistruar asnjë kandidat. Kjo për shkak se pjesa më e madhe e kandidatëve nuk kishin listën e notave, ndërsa sekretaret i kanë njoftuar të rinjtë që të shkojnë ditën e hënë për të tërhequr listën e notave si dhe të bëjnë regjistrimin. Ndërkohë që dita e hënë është edhe afati i fundit i regjistrimit për të gjithë kandidatët që duan të nisin studimet master. Situata bëhet edhe më e komplikuar po të marrim parasysh faktin se stafet akademike duhet të shpallin listën e fituesve më datë 28 tetor.
Nuk nisin regjistrimet
Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit përcakton se aplikimet për të gjithë ata që duan të nisin ciklin e dytë të studimeve ose Master të Nivelit të Parë, duhet të regjistrohen pranë sekretarive përkatëse nga datat 23-27 tetor. Megjithatë, kjo gjë nuk ka ndodhur pranë sekretarive të Filologjikut. Që ditën e parë, në sekretaritë e këtij fakulteti janë dyndur me dhjetëra të rinj, por dyert kanë qëndruar të mbyllura dhe askush nuk ka dalë t'i sqarojë. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme sërish nuk kanë nisur regjistrimet. Kjo për faktin se dosja individuale e kandidatëve duhet të përmbajë edhe listën origjinale të notave, por gjatë ditës së djeshme, ka munguar njëri prej personave përgjegjës që lëshon këtë listë, duke bërë që studentët të kthehen sërish pa mbaruar punë. "Na kanë thënë që të shkojmë të hënën për të marrë listën e notave, pasi personi që i lëshon ishte i sëmurë", - shpjegon njëra prej dhjetëra studentëve që ka mbaruar 3-vjeçarin. Ndërsa të shtunën dhe të dielën sekretaritë do të qëndrojnë të mbyllura, duke u lënë vetëm një mundësi të rinjve për të aplikuar për master dhe ciklin e dytë të studimeve.
Situata
Shtyrja e afatit të regjistrimit do të krijojë probleme. Kjo sepse dita e hënë është edhe afati i fundit që MASH-i ka caktuar për regjistrimet për studimet pasuniversitare. Ndërkohë që kjo situatë bëhet edhe më e rëndë edhe për faktin se komisionet ad-hoc që do të ngrihen për përzgjedhjen e kandidatëve fitues, nuk kanë as një ditë kohë në dispozicion për të shpallur listat e fituesve. Udhëzimi i MASH-it detajon se regjistrimet duhet të mbyllen me datë 27 tetor, ora 18:00, ndërsa me datë 28 tetor, ora 16:00, fakultetet duhet të publikojnë në vende të dukshme listat e kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga kandidatët, në përputhje me kuotat e pranimeve. Duket se respektimi i afateve do të jetë një mision i pamundur, pasi numri i studentëve që qëndrojnë në radhë për të dorëzuar dosjen për të përfituar një mundësi për të çuar më tej studimet e larta, është tepër i madh.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›