E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, mjekët në ‘sitë’ për trafik pacientësh

Nga Esmeralda Keta
Drejtoria e spitalit ka nisur një kontroll në qendrat e konsultave në QSUT për faturat e lëshuara apo rekomandimet e mjekëve, nëse ato bëhen në bazë të protokolleve të sëmundjeve 

TIRANE-  Orientimi i pacientëve të shtetërorit drejt privatit, shpeshherë bëhet nga vetë mjekët për shkak të interesave të tyre. Pikërisht për këtë arsye, drejtoria e qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ka nisur një kontroll në qendrat e konsultave në QSUT për faturat e lëshuara apo rekomandimet e mjekëve, nëse ato bëhen në bazë të protokolleve mjekësore. Kështu është shprehur drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, e cila pranon se kriza është thelluar për shkak të moskryerjes në kohë të tenderave, por ka shtuar se qeveria ka miratuar shtyrjen e afateve për 8 tendera.
Situata
Drejtuesit e QSUT-së në Tiranë pohojnë se mungojnë medikamentet dhe ekzaminimet specifike, të cilat duhet të ofrohen për pacientët në këtë qendër terciare. Një muaj pas marrjes së detyrës, drejtoresha e përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Gjeorgjina Kuli, ka deklaruar se kriza është thelluar nga moskryerja në kohë e tenderave. "Sigurisht që moskryerja në kohë e disa tenderave ka krijuar mungesa në medikamente që duhet të kishin ardhur kohë më parë, duke krijuar situate jo të këndshme", - ka deklaruar drejtoresha Kuli. Ajo ka shpjeguar se pikërisht për këtë arsye, drejtoria e QSUT-së, i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimeve Publike shtyrjen e afateve kohore për zhvillimin e 8 tenderave të pakryer, prej së cilës ka marrë dhe përgjigje pozitive. "Afati i fundit i tenderave është fundi i tetorit, por ne nuk mund t'i kapim këto afate, pikërisht sepse procedurat kanë nisur me disa muaj vonesë. Ndaj ne i kemi kërkuar APP-së, ta shtyjë këtë afat, nga e cila kemi marrë edhe OK-in", - ka shpjeguar Kuli. Sipas saj, referimi i pacienteve drejt klinikave private shpeshherë bëhet nga vetë mjekët. "Për këtë arsye, drejtoria e spitalit ka nisur një kontroll në qendrat e konsultave në QSUT për faturat e lëshuara apo rekomandimet e mjekëve, nëse ato bëhen në bazë të protokolleve të sëmundjeve", -ka shpjeguar drej jtoresha e QSUT-së.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›