E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buzëqesh De Biazi, rikuperohet Kaçe

de biazi foto faqe 1Nga Gentian Alinani

Mesfushori korçar gati për Islandën. Sulmi do të jetë me dy lojtarë, por ende nuk dihen emrat  

Shqiponja e plagosur do të kërkojë të ngrihet edhe një herë në fluturim. Predha e Kampl duket se i ka goditur keqazi kuqezinjtë të cilët tani e kanë mendjen vetëm tek Islanda. Në vrullin e lajmeve negative dhe kritikave për humbjen, tekniku italian Xhani De Biazi mund të vërë buzën në gaz sepse mesfushori Ergys Kaçe nuk ka asgjë të rëndë dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Islandës. Ai që ishte lojtari më i mirë i ndeshjes në Lubjanë do të japë kontributin e tij edhe në Rekjavik.

Megjithatë dilemat e trajnerit vazhdojnë sepse ende nuk e ka vendosur skemën dhe formacionim me të cilin do të luajë. Fakti që ka shumë kritika dhe disa prej senatorëve ndihem më mirë me skemën 4-4-2, ka bërë që italiani të mendohet dy herë për vendimin që do të marrë. Mungesa e Agollit në njërin krah e vështirëson akoma më shumë vendimin e tij sepse duhet të kalojë Lilën në të majtë, ose ti besojë për herë të parë një fanellë titullari të riut Elseid Hysaj.

Stërvitet Kaçe

Lajmi që qarkulloi në media nuk është aspak i vërtetë sepse Ergys Kaçe do të jetë i gatshëm për Islandë, madje është stërvitur me ekipin kombëtar ditën e djeshme. Pasdite De Biazi i ka zbritur të gjithë lojtarët në fushën e lojës dhe kanë kryer stërvitjen e radhës përpara nisjes në Islandë. Burime zyrtare pranë kombëtares konfirmojnë se mesfushori korçar është stërvitur bashkë me ekipin dhe lajmet për gjendjen e tij nuk janë aspak të vërteta.

Vazhdojnë dilemat

Dilemat për trajnerin Xhani De Biazi vazhdojnë deri në momentin e fundit, si për skemën që duhet të përdorë ashtu edhe për lojtarët që do të zbresë në fushë. Gjithçka bëhet më e vështirë, kur duhet të gjejë edhe zëvendësuesin e Ansi Agollit i cili është i skualifikuar për ndeshjen e radhës. Pikëpyetjet më të shumta ekzistojnë në skemën. Mendohet se këtë herë italiani do ti rikthehet klasikes 4-4-2, ndërsa dikush mes Bashës dhe Bulkut duhet të diskutojë një fanellë titullari, pasi Kaçe shihet i pazëvendëeueshëm për atë që ofroi në Stozice Stadium.

De Biazi do ti besojë sërish Roshit dhe Ramës nga krahët edhe pse këta të fundit duhet të bëjnë akoma më shumë shumë për të mbrojtur fanellën e titullarit. Dilema të tjera ka edhe në repartin ofensiv aty ku Edgar Çani dhe Agon Mehmeti janë në balotazh ndërmjet tyre, edhe pse sulmuesi i Karpit duket në avantazh për rolin që ka në fushën e lojës dhe për fizikun e tij. Ajo që ndodhi në pjesën e dytë të lojës në Slloveni duhet të jetë fillimi i ndeshjes ndaj Islandës, prandaj loja me dy sulmues është një e keqe e domosdoshme, edhe pse mund të rrezikojmë shumë në prapavijë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›