Kërkohet urgjencë në procedimin e Ligjit për veteranët
Në ditën e 47 të grevës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ligjvënësit sërish kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të sjellin me urgjencë Ligjin për veteranët në Kuvend për miratim. Deputeti i LDK-së, Anton Çuni në seancën e Kuvendit të premten ka ngritur shqetësimin për gjendjen në të cilën janë veteranët grevistë në këto ditë vere.
Ai ka thënë se Qeveria duhet me urgjencë ta procedojë Ligjin për veteranët në Kuvend dhe veteranëve t’iu premtojë se ligji do të procedohet dhe ata të shkojnë në shtëpitë e tyre.
“Veteranët kërkojnë trajtim me ligj e jo benificione. Ne duhet të kemi parasysh se në mesin e tyre janë shumë invalidë të luftës , të verbër, me gjymtime trupore, dhe për këtë çështje duhet ta trajtojmë me kujdes. Derisa ne bëjmë plane se si do i kalojmë pushimet në vendet ekzotike, veteranët do të përballen me vapën dhe mungesën e higjienës para sheshit”, ka thënë Çuni, në kohën e deklarimeve të lira të deputetëve.
Ndërkohë, kjo pikë e rendit të ditës sërish është përcjellë me akuza dhe kundër-akuza ndërmjet ligjvënësve të pozitës dhe opozitës.
Deputeti i PDK-së, Berat Buzhala ka reaguar për deklaratat e dy ditëve më parë të deputetit Florin Krasniqi, duke thënë se është i shqetësuar për këtë kërcënim të drejtpërdrejt të deputetit Krasniqi ndaj kryeministrit Hashim Thaçi.
“Ky ka arritur të jetë deputet në formën siç ka ardhur, në mënyrë të turpshme e kërcënoi kryeministrin, se do ia thyej dhëmbët. Çfarë ndodh me një shoqëri? Ne si grep parlamentar kërcënimet i konsiderojmë si formë më primitive, akt i pashembullt. Ne si grup parlamentar duam t’i garantojmë, qytetarët se as grushtet e as thyerja e dhëmbëve nuk do të tejkalojnë votën e lirë. Ne besojmë se nuk ka asnjë grusht që do ta thyente vullnetin e popullit”, ka thënë Buzhala.
Ai ka kërkuar nga drejtuesit e Vetëvendosjes dhe lideri i saj Albin Kurti që të jap sqarime nëse kërcënimet e Florin Krasniqit janë qëndrime të tij personale apo të gjithë partisë.
Ndërkaq, Burim Ramadani nga AAK-ja ka ngritur shqetësimin për keqpërdorimin e kërkesave fetare dhe protestat e organizuara, duke thënë se qëllimet e atyre protestave janë të papranueshme për Kosovën.
“Kosova ka zgjedhur orientimin e vet, drejt NATO-s, vlerave perëndimore dhe ky orientim nuk mund të luhatet nga veprimet e të tjerëve. Ne nuk duhet të lejojmë që dikush për shkak të interesave e duke përdor gjuhën e urrejtjes të dëmtojë Kosovën. Kërkesa islame për xhami me flamur të zi nuk është pamja e Kosovës. AAK ja fton qytetarët që të distancohen nga ata që kërkojnë të keqpërdorin ndjenjat e tyre fetare për qëllimet e tyre dhe fton qeverinë, spektrin politik që edhe më tutje të afirmojmë vlerat tona bazuar në tolerancë fetare, të afirmojmë energjitë tona sikur deri më tash, për të ardhmen tonë perëndimore, Ne bëjmë të qartë se shqiptarët kurrë nuk kanë qenë pjesë e fundemantalistëve dhe kurrë nuk do të jenë”, ka thënë Ramadani.
Nga ana tjetër, Amir Ahmeti nga Koalicioni për Kosovë të Re ka përshëndetur vendimin e komunës së Prishtinës për ndërtimin e një xhamie të madhe, duke thënë se liria fetare duhet të promovohet në Kosovë sikurse edhe në SHBA.
Afrim Kasolli nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se këto bisedime kanë pas për qëllim krijimin e një imazhi për një Serbi jo problematike, përderisa Kosova nuk fiton asgjë prej tyre.
Ndërkaq, deputeti Arsim Bajrami, i cili kryeson Komisionin për amandamentimin e Kushtetutës ka njoftuar deputetët për punën që ka bërë ky komision deri më tani.
Ligjvënësit në seancën e sotme do të shqyrtojnë në lexim të parë Projektligjin për përgjegjësinë e personave juridik për vepra penale, Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale dhe Projektligjin për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës. Ndërkohë po ashtu pritet të shqyrtohet edhe raporti vjetor i performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2010. /kosovapress/