E Shtunë, 31 Tetor 2026

By-pass i Fierit, Berisha: Koçon e Ramën t’i lëmë në autobus, të ecim përpara

FIER- Një tjetër inaugurim i parashikuar për sot ishte edhe by-pass i Fierit, fillimin e punimeve të të cilit kryeministri Berisha e inauguroi sot. Berisha tha para simpatizantëve se kjo është një tjetër përpjekje e qeverisë së tij për një Shqipëri të zhvilluar.

“Kjo datë e shënuar. By passi është një nga nyjet më nevralgjike të transportit, që lidh Fierin me Vlorën, për autostradat aktuale Milot-Vlorë dhe se shpejti Shkodër- Vlorë”, tha ai.

“4 vitet që vijnë do jenë vitet e zhvillimeve shumë më të mëdha. Alternativa jonë është alternativa e infrastrukturës moderne, e rrugëve të sigurta, e fermave moderne e furnizimit me ujë 24 orë”, tha Berisha ndërsa akuzoi alternativën e majtë.

Sipas kryeministrit, alternativa që përfaqëson Rama është ajo që mohon cdo gjë. “Alternativa tjetër, e autobusit mavi kërkon të mohojë rrugët tuaja, shtëpitë, fermat bizneset, djersën, arritjet tuaja, të mohojnë NATO-n, lëvizjen e lirë, t[‘i fusë të gjitha këto në thesin e Kocos. Për ata, për Kocon dhe adhuruesin e tij Rama në Shqipëri nuk ka ndodhur asgjë e mirë, NATO është natë, BE s’është as buke as ujë autostrada Levan Tepelenë nuk është ndërtuar, qindra km rrugë nuk janë ndërtuar. Nuk shikojnë nga autobszi mavi, Edi Rama përpiqet të mbjellë kudo dëshpërim e zhgënjim”, tha Berisha.

Më tej kryeministri ftoi qytetarët e Fierit dhe Levanit të votojnë për PD dhe alternativën e tij, duke lënë në autobus, Ramën e Koçon, sic tha ai.
“Shqipëria që ju po ndërtoni, djersa që derdhni për një jetë më të mirë është e gënjeshtërt, e vërtetë ka qenë Shqipëria e etërve të tij. Shqipëria e lirë për të është e gënjeshtërt. Kocon e përzutë ju nga Fieri dhe shkoi në Vlorë. Ndaj ju ftoj më 23 qershor të bashkohemi në alternativën tonë, në ndërtimin e infrastrukturës më moderne, alternativën e dinjitetit. Ta lëmë Kocon e Ramën në autobus, të ecim përpara. Të vazhdojnë ata rrugën për në banesën e harresës”, tha ai më tej.

TË DHËNA PËR BY PASS
Vlera e prokuruar e by-pass është 39.87 milion euro. Fondi limit për ndërtimin e këtij aksi rrugor ka qënë 60 milionë euro dhe janë kursyer rreth 20 milion Euro.
Serenissima S.p.A është shpallur fituese nga procesi i prokurimit, me ofertën më të ulët është një nga kompanitë më të mëdha në tregun Italian.
Projekti i tipit autostradë interurbane midis qytetit të Fierit dhe Levanit është pjesë e një korridori të rëndësishëm nga Lushnja në Vlorë. Aksi rrugor do të kalojë në perëndim të Fierit, midis qytetit dhe vijës së bregut, duke përfshirë në pjesën më të madhe një fushë që kultivohet e vaditet në mënyrë intensive.
Ai përshkon Lumin e Semanit, një rrjedhje e rëndësishme uji, i cili bashkohet me lumin Gjanica dhe një numër të madh kanalesh vaditjeje dhe kullimi sikurse edhe më shumë struktura të vogla hidraulike dhe kullimi.
Aksi rrugor është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë jugore, për zhvillimin industrial, bujqësisë dhe të turizmit,
Aksi rrugor i mëparshëm, që kalonte pranë vendndodhjes së trashëgimisë kulturore të Apolonisë dhe brenda perimetrit të përcaktuar për mbrojten e saj, u modifikua duke marrë parasysh kundërshtimet e Ministrisë së Kulturës dhe ato të popullsisë dhe autoriteteve vendase. Në këtë seksion është parashikuar ndërtimi i 3 urave me gjatësi nga 80 m secila në Llumin Seman, në kanalin e Hoxharës dhe atë të Pojanit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›