By passi i Vlorës, debate mes Bodes dhe opozitës
Deputeti i PS-së, Eltar Deda ka akuzuar sot mazhorancën se nuk po punon për projektet e Vlorës vetëm pse aty nuk merr vota. Duke folur në sallën e Kuvendit në lidhje me by passin e Vlorës, deputeti Deda theksoi se prej 6 vjetësh grantet për Vlorën janë të njëjta ndërsa shtoi se projekti është i vonuar dhe synohet të shihet për qëllime elektorale.
Ai u shpreh se ka rezerva sa i përket projektit dhe prandaj PS është e shqetësuar nëse do ndërtohet në kohë, do ketë trasnsparencë dhe parametrat e duhura, që qyteti të mund të marrë frymën e duhur.
Menjëherë ka reaguar ministri i financave Ridvan Bode i cili kërkoi PS-së t`i kërkojë llogari kryetarit të bashkisë së Vlorës se ku i çon paratë që i jep qeveria. “Ju bëni mirë që kryetari i bashkisë ti kërkoni hesap. Qeveria ka rritur 4.5 herë fondet, ku i çon këto para apo i bën rroga dhe mburret me paratë e shqiptarëve" ka theksuar Bode.
Më herët ministri Bode ka theksuar se Bypass-i i Fierit ka një gjatësi 22 km dhe kushton 60 milionë euro, ndërsa By-Passi i Vlorës do të nisë në vitin 2013 dhe do të përfundojë në 2015, por nëse ka probleme me shpronësimet afati më i madh i mundshëm i përfundimit është viti 2016.