Kryeministri Berisha nis një vizitë zyrtare treditore në Azerbajxhan

Energjia dhe gazsjellësi Trans-Adriatik, në qendër të diskutimeve të Kryeministrit Berisha me krerët e shtetit azer
Kryeministri Sali Berisha po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore, në Republikën e Azerbajxhanit. Gjatë vizitës, Kryeministri Berisha do të takojë Presidentin e Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kryetarin e Kuvendit Oktay Asadov dhe Kryeministrin Artur Rasi-zade, me të cilin do të ketë një takim tet a tet, i cili do të pasohet nga një takim mes dy delegacioneve. Në vijim, do të nënshkruhet marrëveshja për mbrojtjen dhe nxitjen reciproke të investimeve mes dy vendeve si dhe një Memorandum Mirëkuptimi midis Ministrive të Ekonomisë të dy vendeve, për bashkëpunimin në fushën e industrisë dhe energjisë. Kryeministri Berisha, gjithashtu, do të takohet edhe me Zëvendëskryeministrin Nadir Huseynov, Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Azerbajxhanit Shahin Mastafayev dhe me komunitetin e biznesit azerbajxhanas. Fokusi i vizitës do të jetë konsolidimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimi i tyre, në mënyrë të veçantë i atyre ekonomike, ku një vend të rëndësishëm do të zënë temat e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe nxitjes së investimeve. Kryeministri dhe delegacioni që e shoqëron do të vizitojë edhe vende me rëndësi dhe interes kulturor të kryeqytetit të Azerbajxhanit. Vizitën e tij në Azerbajxhan, kryeministri Berisha e njoftoi gjatë punimeve të Konferencës së 48-të të Sigurisë në Mynih, ku dhe zhvilloi një takim të shkurtër me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Për kryeministrin Berisha, në qendër të kësaj vizite mbetet lobimi i Shqipërisë për ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik Pipeline, projekt i fuqishëm energjetik ky, që pritet të jetë një burim i fortë për ekonominë tonë dhe atë të vendeve të rajonit. Gazi parashikohet të merret nga fusha gazmbajtëse Shan Deniz në Azerbajxhan dhe të vijë në tregjet europiane për të plotësuar nevojat e rreth 3 milion familjeve. “Trans Adriatic Pipeline” do të transportojë gaz nga Greqia në Shqipëri, tejpërtej detit Adriatik deri në Jug të Italisë dhe më tej do të bëhet shpërndarja në Europë. Projekti ka si qëllim kryesor shtimin e sigurisë për furnizimin me gaz të tregjeve europiane dhe kapaciteti do të jetë nga 10 deri në 20 miliard metër kub në vit. TAP parashikon ndërtimin e depozitave të gazit në Shqipëri, në zonën e Dumresë, kjo për të siguruar furnizimin e pandërprerë. Vija e TAP-it do të jetë afërsisht rreth 800 kilometra, nga të cilat në Greqi janë 478, në Shqipëri 204 dhe në det rreth 105 kilometra. Në Itali ku është dhe fundi i këtij gazsjellësi gjatësia do të jetë vetëm 4 kilometra, pasi aty do të ndërtohen depozitat dhe impianti shpërndarës. Pika më e lartë e këtij tubacioni do të jetë rreth 1800 metra mbi nivelin e detit në malet e Shqipërisë.
...