E Diel, 1 Nëntor 2026

Byhler: S'kam shumë durim të tolerojë bllokimin e rrugëve

Nga Express më 24 maj 2011 në ora 21:11

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler, duke komentuar bllokimin e rrugëve kryesore të Zubin Potokut që dërgon në pikën kufitare 31, nga ana e protestuesve serbë, ka deklaruar se nuk ka shumë durim dhe nuk mund të lejojë që rrugët kryesore dhe magjistralet të jenë të bllokuara. Megjithatë ai nuk jep ndonjë datë se kur do të intervenohet në hapjen e kësaj rruge, përkundër faktit se kjo rrugë është bllokuar që gjashtë ditë.

Këto komente komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler i bëri të martën me rastin e ushtrimit të përbashkët në mes të KFOR-it, Policisë së EULEX-it dhe autoriteteve kosovare, lidhur me reagimin në rast trazirash te porta kufitare 31, gjersa në Zubin Potok kanë kaluar gjashtë ditë që nga momenti kur serbët në shenjë proteste ndaj arrestimit të një serbi nga EULEX-i, i dyshuar për krime lufte, kanë bllokuar rrugën kryesore që të dërgon për në këtë pikë.

Byhler theksoi se në Zubin Potok është bërë një bllokadë rruge dhe sot kanë biseduar me përfaqësuesit dhe qytetaret e kësaj pjese, dhe tash po pritet një përgjigje nga ta, pasi që të gjithë qytetarët kanë drejt të protestojnë, megjithatë bllokimi i rrugëve nuk durohet.

“Rruga është bllokuar me sa dijë unë që pesë ditë, dhe sot në mesditë kemi pas një takim dhe po presim rezultatet e atij takimi. Unë do të kthehem prapë në Zubin Potok dhe nuk kam shumë durim, dhe nuk mund të lejojmë që rrugët kryesore dhe magjistralet të jenë të bllokuara, do të shohim”, ka thënë Byhler.

Megjithatë, Byhler nuk dha ndonjë datë kur do të intervenojnë, nëse nuk hapet rruga brenda ditës nga serbet e Zubin Potokut.

“Nuk do të spekulojë asgjë. Unë kam edhe një takim tjetër tash pasi të kryhet ushtrimi këtu dhe do të shkoj të shoh”, ka thënë ai.

Komandanti i KFOR-it, Byhler u ndal edhe te deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, lidhur me dërgimin e Njësinë Speciale në veri, duke thënë se KFOR-i ka përkrahur dhe do të përkrah Policinë e Kosovës për sigurinë në gjithë Kosovën.

”Ju e dini që ne rregullisht mbështetim Policin e Kosovës dhe normalisht kjo varet prej tyre se çfarë kapacitetesh duhet të ndërmerren dhe duhet bëhen për këtu në veri, këtu i mbetet të vendos ministrit Rexhepi apo edhe drejtori i përgjithshëm i policisë”, ka thënë Byhler.

Kurse, sa i përket ushtrimit të sotëm, komandanti Byhler tha se kjo është në vazhdën e ushtrimeve që i bëjnë për t’u siguruar se ushtarët e tyre janë të gatshëm për të intervenuar në rast të ndonjë proteste të dhunshme.

Për të arritur në pikën kufitare 31 në Bernjak përfaqësuesit e KFOR-it dhe mediat u deshtë të përdorën rrugët anësore të Zubin Potokut, pasi që siç thanë përfaqësuesit e KFOR-it nuk ka siguri të dilet përballë protestuesve. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›