Bylis akuzon: Në Velipojë u dhunuam
Dhuna vazhdon të mbizotërojë në Kategorinë e Parë. Problemet e fundit në kampionat janë regjistruar në Velipojë, në takimin ndërmjet Adës dhe Bylisit. Por, këtë herë ka ndryshuar “skenari”: incidentet nuk kanë ardhur prej tribunave të tifozëve, por gjithçka është konsumuar brenda fushës. Besnik Kapllanaj, presidenti i ekipit ballshiot që kryeson bindshëm, ka denoncuar ngjarjet e ndodhura në stadiumin “Adriatik”. Këtë ai e ka bërë fillimisht në mediat që ndjekin direkt zhvillimin e ndeshjeve. I kontaktuar nga “Shqip”, pak orë pas terrorit që Bylis përjetoi në Velipojë, ai rrëfeu gjithçka. Theksi u vendos te dhuna dhe ndërhyrjet shumë të ashpra që lojtarët e Adës ushtruan ndaj futbollistëve kundërshtarë. Prej tyre, serbi Milunoviç është larguar nga fusha në gjendje kome, ndërsa tre futbollistë të tjerë pësuan dëmtime serioze. Mes tyre ishte edhe Hamzai, autori i golit të avantazhit të përkohshëm të miqve. Pas rrjetës së realizuar në minutën e pestë, golashënuesi më i mirë i Kategorisë I me 17 gola u vendos në shënjestrën e mbrojtësve kundërshtarë. Kur kronometri tregonte dhjetë minuta lojë, ai u detyrua të largohej nga fusha, pas brutalitetit të velipojakëve dhe pësoi një dëmtim të rëndë në kavilje. “Dhuna ka ardhur nga lojtarët dhe stafi i Adës, jo nga tifozët. Ka pasur forca të shumta policie të cilat kanë garantuar rregullin në stadium, por gjithçka ka lindur brenda fushës”, deklaroi Kapllanaj. “FSHF kishte dërguar vetëm një vëzhgues për këtë takim dhe mungesa e kontrollit sikur e ‘nxiti’ dhunën. Hamzai doli nga loja me barelë pak çaste pasi shënoi golin, ndërsa serbi Milunoviç u largua nga fusha në gjendje kome, për shkak të goditjeve brutale që pësonin lojtarët tanë”.
Më tej rrëfimi i numrit 1 të Bylisit vazhdon me episodet e tjera, ku theksi u vendos edhe tek arbitrimi skandaloz i gjyqtarit Beqiri. “Në atë ndeshje kishte grushte, shkelma, absolutisht nuk bëhej fjalë për futboll normal. Pas golit tonë të avantazhit gjithçka degjeneroi në dhunë masive në fushë. Kësaj që ndodhte në fushë iu shtua edhe gjyqtari, i cili nuk nxirrte kartonin e verdhë as ndaj ndërhyrjeve që meritonin karton të kuq. Më pas erdhi edhe momenti i penalltisë, kur dukej sikur arbitri priste vetëm rastin ta akordonte (dyshohet se faulli ishte jashtë zonës), pasi ishte inekzistente. Ne si klub kemi pamjet filmike të takimit, të cilat do t’ia dërgojmë federatës dhe më pas ata të vendosin çfarë të duan. Nuk është problemi te rezultati, apo te pikët, por te fakti se lojtarët rrezikojnë jetën në ndeshje të tilla. Kjo që po ndodh në kampionatin shqiptar, mbi të gjitha në Kategorinë e Parë, nuk është aspak normale”, përfundoi Besnik Kapllanaj.
#