Bylis kampion, Kamza kap Elbasanin

www.albania-sport.com - Bylisi fitore bindëse me Lushnjën, kampion i Kategorisë së Parë dhe rikthim “urgjent” në Kategorinë Superiore pas vetëm një sezoni mungesë. Elbasani zhgënjeu me barazimin pa gola në Skrapar. Kamza rrëmbeu tri pikë të arta në Librazhd, duke kapur me pikë Elbasanin, ndërkohë që Partizani bëri detyrën me Memaliaj në kryeqytet. Kjo ishte panorama e rezultateve të “Top-5” të Kategorisë së Parë në javën e 37-të.
BYLIS-LUSHNJA 2-1
Bylisi nuk bëri asnjë kompromis me Lushnjën, duke fituar ndeshjen 2-1, siguruar Superligën dhe titullin kampion në Kategorinë e Parë, pasi kur kanë mbetur edhe tri javë përpara përfundimit ballshiotët janë në kuotën e 66 pikëve, 13 më shumë se Kamza dhe Elbasani, të dyja nga 53 pikë. Edhe një statistikë e bukur: në 14 ndeshje të zhvilluar Ballsh, Bylisi ka regjistruar 14 fitore. Kapiteni i Bylisit, Amralido Dimo, shënoi dy golat për kampionët e rinj në minutat e 47’ dhe 59’, ndërkohë që golin e vetëm për Lushnjën, e shënoi kapiteni i saj, Gentian Çela në minutën e 65-të. Një fitore me vlerë kampioni për Bylisin, ndërkohë që Lushnja rrëshqiti në vendin e katërt, me 51 pikë, po aq sa Partizani.
SOPOTI-KAMZA 0-3
Kamza regjistroi një fitore të çmuar 3-0 në transfertën e Librazhdit kundër Sopotit, duke kapur vendin e tretë, me 53 pikë, po aq Elbasani. Takimi në Librazh u dominua i gjithë nga formacioni i Perlat Mustës, por me protagonist Radën (32’ dhe 92’) dhe Renxën (50’). Sopoti i dha fund aventurës në Kategorinë e Parë dhe sezonin e ardhshëm luan në të Dytën.
SKRAPARI-ELBASANI 0-0
Edhe pse nuk pritej, Skrapari i bëri një bllokadë të madhe Elbasanit në shtëpi, duke e mbyllur takimin me shifrat e bardha 0-0. Elbasani luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 40-të, kur u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Bardhyl Pashaj portieri i Elbasanit, Mançesvki për një prekje me dorë të topit jashtë zone. Elbasani, tashmë e sheh veten me pikë të barabarta me Kamzën, me të cilën ndan vendet 2 dhe 3.
PARTIZANI-MEMALIAJ 2-0
Partizani rivendosi nderin në vend pas humbjes me Lushnjën, duke fituar 2-0 me Memaliajn. Kapiteni Luan Pinari shënoi nga pika e bardhë në minutën e 17-të, ndërkohë që Erjon Rizvanolli goditi shtyllën horizontale të Memaliajt. Sulmuesi Rizvanolli gjeti golin e dytë të Partizanit në minutën e 78-të pas asistit të Sulçes. Partizani u ngjit në kuotën e 51 pikëve, po aq sa Lushnja, por të kuqtë kanë golaverazh më të dobët.
GRAMSHI-BURRELI 0-0
Gramshi-Burreli përfundoi pa gola, por gjatë ndeshjes nuk munguan tesnionet, teksa një lojtar i Burrelit u ndëshkua me karton të kuq, e duke protestuar ndaj xhamava të dhomave të zhveshje gjakosi edhe parakrahun, derisa u detyrua të shkonte në ambulancën e qytetit të Gramshit për të marrë ndihmën e shpejtë.
LUFTËTARI-TURBINA 2-1
Në Gjirokastër, Luftëtari fitoi 2-1 me Turbinën e Cërrikut. Gentian Shkoza realizoi me kokë në minutën 31-të, dhe po ky lojtar shënoi edhe golin e fitores në minutën e 88-të. Për sulmuesin e Luftëtarit ky këta ishin golat numër 12 dhe 13 në sezon. Pashaj barazoi në minutën e 44-t për Turbinë e Cërrikut. Më pas edhe ndonjë shfaqje teatrale me vonesat e cërriksave.
BILISHTI-POGRADECI 2-1
Bilishti Sport fitoi 2-1 me Pogradecin në derbin e vogël të Juglindjes. Zylyftari realizoi në minutën e 42-të për Bilishti Sport, dhe ai që dyfishoi rezultatin në minutën e 48-të, duke u shndërruar në protagonistin absolut të takimit.
BESËLIDHJA-ADA 2-1
Besëlidhja fitoi 2-1 me Adën, duke siguruar përfundimisht qëndrimin në Kategorinë e Parë. Kapiteni Sokol Toma shënoi me kokë dy minuta nga fillimi i pjesës së dytë për lezhjanët. Besëlidhja shënoi golin e dytë në minutën e 83-të, ndërsa Cani në minutën 92’shënoi golin e flamurit për Adën.
KATEGORIA E PARË
JAVA 27, 24.04.2010, 15:00
Sopoti-Kamza 0-3
Bilishti-Pogradeci 2-1
Bylis-Lushnja 2-1
Skrapari-Elbasani 0-0
Partizani-Memaliaj 2-0
Gramshi-Burreli 0-0
Besëlidhja-Ada 2-1
Luftëtari-Turbina 2-1
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Shtune, 24 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili