E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylisi godet në merkato, gati zyrtarizimi i anglezit Feniks



Xhejms Feniks pritet të jetë goditja e radhës në merkaton e Bylisit. Burime të sigurta pranë klubit ballshiot kanë konfirmuar për “Panorama Sport”, se futbollisti anglez, që sezonin e kaluar luajti me Vllazninë, është vetëm një hap larg transferimit te Bylisi. Nga sa mësohet, presidenti i klubit, Besnik Kapllanaj, pret që brenda dy ditëve të ardhshme të mbërrijë mesfushori anglez. Cilësitë e tij dihen tashmë, por edhe ana e errët e lojtarit, i cili për hir të së vërtetës u bë personazh te Vllaznia për largimet e shpeshta dhe thyerjen e disiplinës. Mësohet se drejtuesit e Bylisit do të kenë një bisedë me menaxherin e tij, për t’u siguruar se lojtari do të jetë korrekt dhe do të respektojë rregulloren e klubit. “Nuk duam që Feniks të përsërisë ato që bëri te Vllaznia. Pësimi bëhet mësim dhe ne e dimë që ky lojtar ka pasur probleme disiplinore, duke u larguar herë pas here drejt Anglisë. Kjo ka bërë që drejtuesit tanë të marrin garanci përpara se të nënshkruajnë një kontratë me të”, - tregojnë njerëz pranë kreut të klubit ballshiot. Megjithatë, anglezi pritet që të bëhet pjesë e skuadrës së Ilir Spahiut, duke fuqizuar kështu krahun e majtë të mesfushës.
Besimi i Roshit - Skuadra ballshiote vazhdon me ritmet e duhura përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Një nga futbollistët e ardhur së fundmi te Bylisi, Klevis Roshi, duket se është përshtatur shpejt me grupin. “Po zhvillojmë një punë intensive këtu në Ohër. çdo gjë ka ecur mjaft mirë në përgatitjet e skuadrës për kampionatin e ardhshëm. Mendoj se grupi po bëhet gjithmonë e më kompakt dhe tashmë te Bylisi flitet për një ekip që po vazhdon të ndërtohet me kujdes. Mendoj se cilësitë janë pozitive dhe lojtarët që janë aktualisht pjesë e ekipit janë me eksperiencë”, - ka thënë në një bisedë për gazetën elbasanasi Roshi. Për mesfushorin, e rëndësishme është që skuadra po shkon drejt konsolidimit. “Gradualisht do të arrihet në harmonizimin e grupit, një element tepër i rëndësishëm ky për një skuadër me ambicie në sezonin e ardhshëm”, - shton ai, duke komentuar më pas edhe miqësoren e fundit. “Ne humbëm me Kastriotin, por mendoj se edhe ndeshje të tilla janë të vlefshme”, - përfundoi Roshi. Mario Gjika

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›