Sinani i dëmtuar, te Vllaznia mbahet sekret
Gjatë fazave përgati tore, sigurisht që edhe dëmtimet janë të paevitueshme, pasi të tilla janë ngarkesat në seancat stërvitore. Nëse stafet teknike qofshin këta të ekipeve të Superiores apo së Parës deklarojnë për lojtarët që janë të dëmtuar, nuk ndodh e njëjta gjë me atë të Vllaznisë. Kështu, dëmtimi që prej pesë ditësh i sulmuesit shkodran Vioresin Sinanit është mbajtur sekret nga stafi teknik, për arsye që ende nuk dihen. Sinani gjatë testeve fizike të kryer të martën ka pësuar një tërheqje muskulore jo të vogël, e kjo ka bërë që ai të mos aktivizohet në ndeshjen e fundit miqësore kundër skuadrës serbe të Sevojno Uzhive. Në fakt, stafi teknik i kuqebluve me në krye trajnerin Mojash Radonjiç, pas përfundimit të kësaj miqësoreje mësohet të ketë thënë se janë aktivizuar të gjithë futbollistët, por në fakt nuk ka rezultuar kështu. Kjo sepse Sinani vazhdon të jetë i dëmtuar, madje që nga dita e martë ai stërvitet veçmas grupit, pra në mënyrë individuale.
Dëmtimi
Një ndër sulmuesit më të mirë të historisë së futbollit shkodran dhe atij shqiptar, pasi ka lënë pas një sezon me shumë oshilacione, u ul në bisedime me presidentin Valter Fushaj duke gjetur menjëherë akordin për të veshur për një sezon fanellën kuqeblu. Edhe pse iu bashkua me vonesë skuadrës në stërvitje, Sinani ka qenë i përkushtuar maksimalisht në procesin stërvitor. Ndoshta fillimi me vonesë i stërvitjes me grupin, pasi në mënyrë individuale Sinani është stërvitur vazhdimisht, si dhe ngarkesa e tepërt në seancat stërvitore nga stafi teknik, mund të kenë sjellë edhe dëmtimin e tij. Mirëpo, këta të fundit janë munduar ta mbajnë disi sekret, për arsye që ende nuk dihen. Megjithatë, e rëndësishme që rikuperimi i tij po ecën me ritme të kënaqshme dhe të mira, kështu që shpresohet që lojtari t’u rikthehet stërvitjeve me ekipin. Sinani, ndonëse është një nga “veteranët” e Vllaznisë, në të pesta miqësoret e zhvilluara në tokën serbe nuk është preferuar nga stafi teknik të aktivizohet si titullar, ndonëse forma e tij sportive ka qenë gjithnjë e në rritje.