Skënderbeu, mjafton goli i Shkëmbit
Një gol i Bledi Shkëmbit në fundin e pjesës së parë, i ka mjaftuar Skënderbeut për të arritur një fitore prestigji ndaj Flamurtarit të fortë. Ndeshja miqësore e zhvilluar dje në stadiumin e Pogradecit ka dhuruar emocione për të paktën 2 mijë sportdashës të pranishëm. Dy skuadrat, të cilat mendohet se do të jenë pretendente për titullin kampion, kanë zhvilluar një lojë të bukur, në një fushë te re që shkelet për herë të parë. Pjesa e parë ka qenë më e mirë për korçarët, të cilët kanë dominuar. Pas shumë rasteve për gol, në minutën e 40-të, fantazisti Shkëmbi përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe shtyn topin në rrjetë. Me një kontingjent të plotë, trajneri Shkëlqim Muça ka hedhur në fushë nga minuta e parë edhe kamerunasin Bertrand. Gjithsesi, ky i fundit nuk është se bëri ndonjë gjë për t’u mbajtur mend. Nga ana tjetër, e reja te korçarët ishte aktivizimi i sulmuesit boshnjak, Zoran Kokot, i cili ka ardhur për provë. Nisur nga loja që u zhvillua, ata që spikatën më shumë, duhet thënë se ishin mbrojtësi Vrapi dhe mesfushori Sefa, të cilët morën duartrokitjet e të pranishmëve, teksa shumica e tyre ishin korçarë. Në pjesën e parë, vlonjatët nuk dolën në lojën e tyre.
Flamurtari
Me fillimin e 45 minutave të dyta, skuadrat bënë disa ndryshime. Në këtë pjesë, Flamurtari i trajnerit Gugash Magani u tregua më kërkues. Vlonjatët iu afruan disa herë golit, por gjithsesi pa ia arritur të kalojnë Shehin. Me futjen në lojë të sulmuesit Sebino Plaku, kuqezinjtë u bënë të rrezikshëm, edhe pse mbrojtja e Skënderbeut nuk lejoi shumë hapësira. Për korçarët u futën në lojë edhe dy sulmues të tjerë, pikërisht Mile dhe Aksientev. Megjithatë, pjesa e dytë nuk ishte në nivelin e kërkuar për bardhekuqtë. Flamurtari, edhe pse krijoji volum loje, çaloi në finalizimin e aksioneve. Një meritë ka edhe mbrojtja e Skënderbeut, e gjithashtu portieri Shehi. Përfundimisht gjithçka u mbyll 1-0, ndërkohë që dy skuadrat treguan se do të jenë rivale në sezonin e ri. Mbetet për t’u parë se kush do të jetë më e suksesshme në kampionat, pasi si korçarët, ashtu edhe vlonjatët, kanë afruar lojtarë të mirënjohur, të cilët kanë fituar trofe.