E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylisi përmbys gjithçka me Kamzën dhe merr kreun e superiores

Nga AGIM META

Bylis – Kamza        2-1

Bylisi ka arritur një fitore të vështirë ndaj Kamzës, është munduar gjatë gjithë lojës të krijojë epërsi, por ka qenë konfuze në veprimet sulmuese, sidomos në pjesën e parë, kjo falë edhe mbrojtjes së kundërshtarit, që u tregua e kujdesshme dhe e qartë, madje miqtë hera-herës kundërsulmonin rrezikshëm me anë të Pemës dhe Ziambos. Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka kaluar Kamzën në avantazh, duke shtangur vendësit.

Por ka pasur shumë kohë për të përmbysur gjithçka dhe ballshiotët e kanë bërë këtë. Kanë ngritur nivelin e lojës dhe në fund të pjesës së parë Bylisi barazon shifrat me anë të një 11-metërshi. Ndërsa në pjesën e dytë Bylisi korrigjoi mënyrën e lojës, duke bërë disa zhvendosje lojtarësh, madje futi në lojë edhe sulmuesin Xhafa, duke i dhënë më shumë frymëmarrje lojës.

Goli i dytë i Bylisit erdhi nga asisti i Fjodor Xhafës për Oriand Abazajn. Pasi kalojnë në avantazh, vendësit administrojnë rezultatin, edhe pse kjo mënyrë loje ndoshta nuk i shkon për shtat, e krijuar kjo ide edhe nga rezultatet e ndeshjeve të tjera, si në kupë, ashtu edhe në kampionat, kur ishin shënuar gola me shumicë.

Tashmë Bylisi e sheh vetën në krye të renditjes, një pozicion i tillë që Bylisi nuk e ka patur asnjëherë gjatë militimit në superligë. Bylisit do ti duhet shumë punë për të mbajtur ritmin e duhur, pasi që javën e ardhshme do të ketë një përballje të vështirë me Teutën. Në përfundim, mund të themi se Bylisi nuk ka dhënë më të mirën e tij në këtë ndeshje të fundit dhe padyshim që do të jetë një nga ekipet që do ti japë tonin kampionatit.

Sensoy: Do na duhet punë të rrimë në krye

Zhvilluam një ndeshje jo të mirë, gjithsesi fitorja ka vlerë për ne. U munduam të korrigjonim lojën në pjesën e dytë, ku arritëm edhe të shënonim golin e fitores. Kemi shumë punë për të përmirësuar në aspektin taktik. Kudërshtari luajti me përforcime në mbrojtje dhe në kundërsulm, gjë e cila na vuri në vështirësi. Sidoqoftë, na gëzon fakti që jemi në krye të tabelës, ku pa dyshim do të duhet shumë punë për të qëndruar në këtë pozicion.

Gjoka: U dhanë 2 gola të paqenë për vendësit

Jam i kënaqur nga loja e skuadrës sime. Luajtëm fort dhe me dëshirë, por kam rezerva për gjyqtarët. Mendoj se na dëmtuan me një 11-metërsh dhe me golin e dytë, që unë mendoj se ishte pozicion jashtë loje. Më vjen keq, por me këto gjykime nuk mund të vazhdoj gjatë. Mund të kishim marrë jo vetëm një pikë, por edhe fitoren madje. Një gol i paqenë të demoralizon pastaj edhe për të vijuar ndeshjen, aq më tepër të marrësh pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›