E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylykbashi shënon përsëri, Ilion Lika, i pakalueshëm

Dorian Bylykbashi vazhdon të jetë një prej lojtarëve më të spikatur shqiptarë që aktivizohen në kampionatin ukrainas. Fantazisti i Krivbasit ka shënuar dje në fitoren e rëndësishme 2-1 që skuadra e tij arriti në fushën e Zorias, duke e mbajtur ekipin larg vendeve të fundit të klasifikimit. Bylykbashi ka shënuar në minutën e 19-të të ndeshjes golin e avantazhit, ndërsa ka qenë ndër më të mirët në fushën e lojës gjatë të gjithë ndeshjes. Ndërkohë, në kampionatin rus, vazhdon paraqitja e mirë e Ilion Likës, i cili ka shkëlqyer në takimin që Terek Grozni ka zhvilluar përballë gjigantëve të CSKA-së së Moskës. Portieri shqiptar ka qenë i pakalueshëm në këtë sfidë, duke ndalur çdo tentativë drejt katërkëndorit të tij në sfidën e fituar me rezultatin 1-0 nga Terek. Sipas mediave ruse, menaxherët e skuadrave moskovite kanë mbajtur shënim emrin e portierit shqiptar, duke menduar që të bëjnë përpjekje ta afrojnë gjatë merkatos. Ndërkohë, në kampionatin bullgar, dy futbollistët shqiptarë, Semina dhe Malindi, kanë pasur fate të ndryshme në ndeshjet e luajtura dje. Enco Malindi është aktivizuar gjatë 90 minutave në ndeshjen që skuadra e tij, Slavia e Sofjes, humbi përballë CSKA-së së Sofjes me rezultatin 2-0. Sulmuesi shqiptar u shfaq disa herë rrezikshëm gjatë të gjithë ndeshjes, por pa arritur të shënojë në portën e një prej skuadrave më të forta të këtij kampionati. Ndërkohë, mbrojtësi Semina zhvilloi një ndeshje shumë të mirë me Belasicën, në fitoren 1-0 përballë Vidima-Rak. Ish-futbollisti i Vllaznisë ka lënë pas tronditjen e dy javëve më parë dhe vazhdon të jetë pjesë e formacionit titullar në radhët e skuadrës së tij.

Për sa u përket futbollistëve që aktivizohen në kampionatet e Evropës Perëndimore, vazhdon momenti magjik i Ervin Skelës. Mesfushori i Energi Kotbus është kthyer në një lider, duke udhëhequr skuadrën drejt rezultateve pozitive dhe mbijetesës së Bundesligë. Pas golit të shënuar ndaj Duisburgut, Skela tashmë është kthyer në idhullin e tifozerisë. "Për momentin po kaloj një formë të mirë, ashtu si ekipi. Ne kemi treguar se mund të fitojmë ndaj çdo skuadre në kampionat. Mbrohemi me shumë forca, por kjo është normale, pasi ne na duhet vetëm fitorja, ashtu si kjo me Duisburgun që ishte shumë e rëndësishme. Goli? Ishte i pari me kokë në Gjermani dhe ishte shumë i bukur. E kam gjuajtur topin me kokë duke mbajtur sytë mbyllur, pasi zakonisht mendoj ta stopoj topin me gjoks dhe ta gjuaj me këmbë. Pse? Kam menduar gjithmonë se të dhemb koka pasi gjuan topin", u shpreh me humor mesfushori shqiptar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›