E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreshnik Qato: Grushti i Sa më zgjoi nga gjumi

Kreshnik Qato ka komentuar dje fitoren e tij historike të titullit botëror për peshat e mesme në federatën WBF. Boksieri durrsak ka kujtuar edhe emocionet e ndeshjes, duke pranuar se nuk e kishte filluar atë në mënyrën më të mirë të mundshme. "Duhet të them se organizimi i ndeshjes ka qenë në mënyrë perfekte nga promotori im, Ylli Ndroqi, i cili kishte krijuar një spektakël të paharrueshëm. Por pikërisht kjo atmosferë në Pallatin e Sportit më krijoi një ndjenjë qetësie, një gabim që nuk duhet bërë asnjëherë në boks, ku duhet të jesh gjithmonë i vëmendshëm", tregoi boksieri, duke iu referuar fillimit të takimit, kur ai u hodh në tapet që në raundin e parë. "Ndjenja e qetësisë më penalizoi dhe i krijoi kundërshtarit tim mundësinë që të më gjente të papërgatitur. Por ai grusht i Viktor Sa më zgjoi nga "gjumi", duke më kujtuar se duhet të luftoja për këtë fitore. Ishte një moment i vështirë, por aty më ndihmoi përgatitja ime, e cila më krijoi mundësinë të luftoja deri në raundin e 12-të me më shumë vendosmëri dhe me më shumë vëmendje, duke u munduar t‘ua shpërbleja të gjithë atyre personave që po mbështetnin në Pallatin e Sportit. Shpresoj që ata të jenë kënaqur me emocionet që u kam dhuruar", u shpreh boksieri shqiptar, i cili tashmë pritet të mësojë emrat e sfidantëve që duan t‘i rrëmbejnë brezin e sapofituar. Edhe vetë presidenti i federatës WBF, Mik Krauçer, ka vlerësuar paraqitjen e boksierit shqiptar, i cili tashmë mban një prej titujve të kësaj federate. "Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme për vetë Kreshnikun në radhë të parë, por ajo çka është më e rëndësishme, ishte se kjo ndeshje e konfirmon atë si boksier botëror dhe e fut Shqipërinë në hartën e boksit botëror profesionist", deklaroi Krauçer. Duket se ky i fundit po bëhet gati të propozojë ndeshjet e radhës për kampionin shqiptar, në mënyrë që të fillojë të mbrojë këtë brez të sapofituar para publikut shqiptar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›