E Shtunë, 31 Tetor 2026

Robert Kubika me BMW Sauber "pole position" në Bahrein

Robert Kubika me BMW Sauber ka bërë surprizën në Çmimin e Madh të Bahreinit, duke fituar "pole position". Polaku ka zhvilluar një xhiro perfekte dhe regjistroi kohën më të shpejtë. Vetëm në vendin e dytë braziliani i Ferrarit, Felipe Masa, i cili kishte dominuar provat e lira në këtë cirkuit. Kryesuesi i botërorit, Luis Hemilton me MekLaren do të niset nga vendi i tretë në garën që do të zhvillohet sot në orën 14:00, ndërsa Kimi Raikonen shënoi kohën e katërt më të mirë. Pesë vendet e para në vijën e nisjes plotësohen nga piloti tjetër i "shigjetave të argjendta", finlandezi Heiki Kovalainen. Me paraqitjen e djeshme, Kubika ka prishur monopolin e krijuar nga dyshja Ferrari-MekLaren për kohën më të shpejtë në provat kualifikuese, që zgjaste prej 22 garave. "Pole", i arritur nga Fernando Alonso me Renault në Çmimin e Madh të Kinës në tetor 2006, ishte e fundit për një tjetër skuadër. Polaku i BMW Sauber e frenoi kronometrin në kohën 1‘33‘‘096, kur kishin mbetur vetëm 10 minuta nga mbyllja e kualifikueseve. Nga ana tjetër, Masa, i cili kishte dominuar në të dy seksionet e provave të lira të zhvilluara të premten, regjistroi kohën 1‘33‘‘123. Kubika ka bërë një paraqitje të kënaqshme në këtë fillimsezoni: ai e përfundoi në vendin e dytë garën e mbajtur muajin e kaluar në Malajzi dhe ka grumbulluar 8 pikë. Klasifikimi i titullit për pilotë kryesohet nga Luis Hemilton me 14 pikë, tri më shumë se kampioni aktual i botës, Kimi Raikonen dhe Nik Hajdfilld me BMW Sauber. Pas provave zyrtare të ditës së djeshme, Hajdfilld u pozicionua në vendin e gjashtë. Jarno Truli me Tojota, Niko Rosberg me Uilliams, Xhenson Baton me Honda dhe Fernando Alonso me Renault plotësojnë dhjetëshen e parë në vijën e nisjes.

Dominimi i Felipe Masës në këtë pistë është prishur edhe nga fati: në momentin kur doli për të zhvilluar xhiron e fundit, braziliani u bllokua në trafik. Pas dy garave të para, piloti i Ferrarit nuk ka asnjë pikë në klasifikim, por shpreson që kjo situatë të ndryshojë pas garës në Bahrein. Në fakt, vitin e kaluar ai kishte arritur "pole position" në këtë pistë dhe më pas fitoi garën. Në seksionin e dytë të provave, skuadrat vendosën që të përdornin makina më të lehta (me më pak karburant) dhe goma të buta, pasi temperatura e asfaltit arriti në 111 gradë. Megjithatë, era dhe retë e ulën temperaturën për seksionin final të provave kualifikuese, duke ndikuar edhe në strategjitë e skuadrave. Një tjetër problem për garën e sotme përbëjnë edhe rregullat e reja në Formula 1, ku makinave u është hequr kontrolli automatik dhe pilotët duhet të jenë më të kujdesshëm në këtë cirkuit plotë kthesa. Këtë problem e ka vuajtur Hemilton, i cili ka fituar garën e parë sezonale të zhvilluar në Australi, që në provat e së premtes është përplasur me muret rrethues dhe ka shkatërruar MekLarenin e tij.

Provat kualifikuese

1. R. Kubika (BMW Sauber) 1‘33‘‘096

2. F. Masa (Ferrari) 1‘33‘‘123

3. L. Hemilton (MekLaren) 1‘33‘‘292

4. K. Raikonen (Ferrari) 1‘33‘‘418

5. H. Kovalainen (McLaren) 1‘33‘‘488

6. N. Hajdfilld (BMW Sauber) 1‘33‘‘737

7. J. Truli (Tojota) 1‘33‘‘994

8. N. Rosberg (Uilliams) 1‘34‘‘015

9. Xh. Baton (Honda) 1‘35‘‘057

10. F. Alonso (Renault) 1‘35‘‘115



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›