E Diel, 1 Nëntor 2026

Bypass-et e rruges se Fierit dhe Vlores qeveria miraton huane 53 milione te BERZH-it

Qeveria miratoi sot në parim marrëveshjen e huasë mes Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) për financimin e projektit të ndërtimit të bypass-eve të rrugës së Fierit dhe Vlorës.

Vlera e financimit, sipas kësaj marrëveshje, llogaritet në një kredi 53 milionë euro.

Vendimi mbështetet në ligjet "Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë", "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare" dhe u propozua nga ministri i Punëve Publike dhe Transportit dhe ai i Financave.

Po sot, Këshilli i Ministrave miratoi dhe shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtëshme, që preken nga ndërtimi i linjes 400 kv Tiranë -Podgoricë të qarkut të Tiranës, si bashkia Kamzë dhe komuna Bërxull, në favor të kompanisë publike "OST".

Pronarët e pasurive të paluajtëshme që shpronësohen do të kompensohen në lekë në vlerë të plotë për sipërfaqen e përgjithshme të shpronësimit 373.65 m2, vlerësuar në shumën 4.327.073 lekë, që do të përballohet nga fondet e OST-së.

Shpronësimi do të fillojë brenda muajit dhjetor dhe duhet të përfundojë brenda muajit mars 2012.

Ky vendim mbështetet në nenin 100 të Kushtetutës, neneve 5, pika 1, 20 e 21 të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, "Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private për interes publik".

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›