E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria mund të preket negativisht

16/11/2011  Banka Botërore parashikon rritje të ngadaltë për vendet e Evropës Juglindore në 2011 dhe 2012

BB: Shqipëria mund të ruajë deficitin në 3%, por duhet të ulë nivelin e borxhit

Shqipëria ka gjasa të ruajë objektivin e vet për deficitin për vitin 2012 në shifrën 3 për qind të PBB-së. Por rritja ekonomike do të jetë më e ulët, për shkak se edhe niveli aktual i borxhit është ndër më të lartët në rajon. Kështu vlerëson Banka Botërore në raportin e saj për zhvillimet ekonomike në 6-të vendet e Evropës Juglindore, ku përfshihet (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, IRJ e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia). Sipas raportit, ngadalësimi global dhe një trazirë e kohëve të fundit në eurozonë kanë lëkundur ekonomitë e gjashtë vendeve në Evropën Juglindore. Ndaj, integrimi i tyre më i thellë me Bashkimin Evropian mbetet perspektiva më e mirë afatgjatë për rritjen e tyre.

Parashikimet

Raporti konstaton se Shqipëria është vendi ynë është shumë pranë zonës së riskut të lartë të borxhit. “Pjesa më e madhe e vendeve të EJL6-ës kanë përfshirë në parashikimet e tyre fiskale për vitin 2012 një përshpejtim të veprimtarisë ekonomike. Megjithatë, në rast të trazirave më të mëdha, rritja ekonomike do të ndikohet ndjeshëm dhe do ushtrojë trysni të reja në llogaritë fiskale. Megjithatë, shenjat e kohëve të fundit të një rritjeje ekonomike më të dobët në Shqipëri dhe niveli i saj i borxhit relativisht të lartë nënkupton se edhe Shqipëria kësaj here mund të preket negativisht. Ndërsa duket se ka vend për huamarrje të brendshme, kjo mund të shkaktojë tkurrje të financimeve për sektorin privat. Aksesi ndaj tregjeve të jashtme do të vijojë të mbetet i vështirë. Për vendet me kurse fikse shkëmbimi, nxitja e kërkesës do t’i mbajë lart deficitet tregtare dhe mund të vërë në rrezik stabilitetin makro-ekonomik”, - thekson raporti. Aktualisht borxhi publik i Shqipërisë llogaritet 59. 6%, ndërsa deficiti buxhetor në fund të muajit tetor 2011, është rreth 4%. Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Ron Hood, përmes një videokonference nga Beogradi, tha se "parashikimet tona për rritjen ekonomike në këtë rajon janë prej 2.5 për qind në vitin 2011 dhe 2.1 për qind në 2012". Megjithatë, sipas tij, edhe këto parashikime rritjeje modeste supozojnë që kriza e Eurozonës të zgjidhet në mënyrë të rregullt. “Nëse kriza do të përkeqësohet, rritja ekonomike në këto vende mund të jetë shumë më e keqe", - u shpreh ai.

Bankat, tregtia dhe remitancat

Tregtia, investimet e huaja të drejtpërdrejta, bankat e huaja dhe remitancat do t’i ndjejnë efektet e ngadalësimit të mëtejshëm global dhe pasiguritë e zgjatura rreth krizës së eurozonës. Sipas kryeekonomistit të BB-së, tregtia me BE është një shtysë kryesore e eksporteve dhe rritjes së përgjithshme ekonomike për vendet e rajonit, duke përbërë nga 30 për qind deri në pothuajse gjysmën e GDP së tyre. Në vitin 2010, 58.2 për qind e eksporteve totale ishin drejt BE, ku pjesa e luanit shkonte drejt Italisë dhe Gjermanisë. Pas një rënieje prej 14.7 për qind në vitin 2009, eksportet shënuan një rritje të fortë prej 20 për qind në vitin 2010, duke arritur kulmin prej 29.7 për qind në tremujorin e parë të vitit 2011 krahasuar me vitin e mëparshëm dhe pas kësaj janë ngadalësuar. Importet kanë një dinamikë të ngjashme, por me një rënie më të thellë në vitin 2009 dhe një ringritje më të heshtur. Sipas tij, bankat në rajon janë likuide dhe bazat e kapitalit bankar rezultojnë të shëndetshme. Investimet e huaja direkte në rajon janë dobësuar, ndërkohë që borxhi publik dhe deficiti fiskal ka shënuar nivelin e kufirit të lejuar. "Me përjashtim të Kosovës, asnjë vend nuk ka depozita të mëdha për të tërhequr. Prandaj, disa vende duhet të përshpejtojnë konsolidimin fiskal, me faturat e pensioneve dhe pagave që janë fushat e rëndësishme të fokusimit", thotë raporti, tha Hood. Por, edhe pse bankat në rajon janë likuide me baza kapitale të shëndosha, raporti thekson se bankave iu janë rritur kreditë e këqija.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›