E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet norma e mosarkëtimit në tre vjet

16/11/2011  Shtohen borxhlinjtë, CEZ nuk arrin të mbledhë detyrimet. ERE korrekton shifrat

Nuk jepen hollësi mbi masat e kompanisë për grumbulluar të ardhurat e papaguara

Kompania “CEZ Shpërndarje” nuk ka marrë masat e nevojshme për të mbledhur të ardhurat e papaguara nga klientët e saj. Kjo ka sjellë një përkeqësim të normës së mosarkëtimit dhe si rezultat edhe borxhi i keq është rritur. Megjithatë, Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar me korrektime studimin për borxhin e keq për vitin 2008, 2009, dhe 2010 të paraqitur në ERE nga “CEZ shpërndarje”. ERE ka korrektuar raportin duke i vendosur nivelet aktuale të borxhit të keq, për vitet 2008, 2009, 2010 respektivisht 14%,14% dhe 13%. “Gjatë periudhës 2008-2010 raportohet një normë e lartë mosarkëtimi që ka ardhur gjithnjë në rritje ku nivelet aktuale të borxhit të keq të përcaktuara nga studimi për këtë qëllim, rezultojnë në 2008: 18.39%, 2009: 20.71%, 2010: 23.27%. Po kështu ka mosvlerësim të borxhit të keq në përputhje me kërkesat ligjore”, - thekson raporti i ERE-s. Sipas ligjit, për marrëveshjen e privatizimit të 76% të aksioneve të OSSH sh.a. nuk ka informacion mbi procedurat ligjore të ndërmarra gjatë kësaj periudhe për debitorë të veçantë që nuk kanë performancë, informacion që duhet të ishte pjesë e studimit të borxhit të keq. Raporti vëren mosanalizimin e faktorëve që përcaktojnë pagesat nga subjektet private dhe familjare. Norma e mosarkëtimit varion ndërmjet rajoneve të shpërndarjes. “Eksperti i pavarur nuk ka analizuar faktorët që përcaktojnë nivelet e pagesave, dhe nuk i ka ndarë këta faktorë në faktorë që janë nën kontrollin e kompanisë dhe ata që janë jashtë kontrollit të kompanisë. Në studimin e borxhit të keq nuk jepen hollësi mbi masat e marra nga menaxhimi i kompanisë për të siguruar grumbullimin e të ardhurave të papaguara”, - thekson raporti i ERE-s. Gjithashtu, në studimin e borxhit të keq duhet të përfshihen detyrimet e shtetit ose subjekteve të kontrolluara nga shteti, duke përfshirë klientët buxhetorë dhe ata jobuxhetorë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›