Taksa e makinave, ndryshon ligji, paguhet 10% më shumë
Të gjithë ata qytetarë që do të blejnë automjete jashtë shtetit tashmë do të detyrohen të paguajnë 10 përqind më tepër nga ajo që paguanin dje. Kjo pasi janë rritur taksat në doganë për automjetet me 10 përqind , ndërkohë që kanë kaluar vetëm rreth 3 muaj pas vendimit për heqjen e doganës për automjetet.
Ministria e Financave me vendimin e fundit rrit doganën për automjetet e përdorura duke shtuar me 10 përqind vlerën e referencës së automjeteve që vijnë nga jashtë. Vlerësimi i taksës në doganë tashmë do të bëhet nga 70 përqind e vlerës së automjetit në 80 përqind, çka do të konvertohej në pagimin e më shumë parave prej qytetarëve.
Automjetet do të vlerësohen në bazë të revistës<Quattroroute> i cila përditëson çmimet e automjeteve sipas vitit të prodhimit, llojit të karburantit dhe fuqisë motorike. Ndërkohë që ato lloj automjetesh që nuk gjenden në revistë vlerësimi do të realizohet duke u nisur nga modeli dhe cilindrata më e afërt. Ndërkohë që skema e pagimit të TVSH-së nuk ndryshon dhe ajo mbetet 20 përqind e vlerës. Ndërkohë që në bazë të ndryshimeve të ligjit për importin e automjeteve që hyri në fuqi në datën 25 gusht të gjithë ata persona që zotërojnë automjete do të paguajnë taksa në bazë të vjetërsisë së automjetit.
Formula e re për llogaritjen e detyrimit bazohet te viti i prodhimit me koefiçent 0.18 dhe që rritet çdo vit me 0.01, dhe te fuqia motorike. Tjetër taksë që do paguhet është tarifa e re për karburantet, si për naftën ashtu dhe për benzinën, e cila nga bëhet 5 lekë për litër, pritet që në janar të 2012-s të bëhet 7 lekë për litër. Heqja e doganës së automjeteve u vendos prej qeverisë për të çliruar importin e makinave të vjetra nga jashtë dhe shitjen e tyre brenda vendit, proçes i bllokuar tashmë që kur ministria e Financave aplikoi vitin e kaluar një taksë të lartë për shitjen e automjeteve të përdorura brenda vendit. Rritja e vlerës së references pritet që të shtoj të ardhurat në buxhet pasi që prej heqjes së doganës importi i automjeteve pati një rritje të konsiderueshme.