E Diel, 1 Nëntor 2026

Byzhyti: Lushnja, gati për fitoren e 4-t radhazi

Nga Julian Kasapi

Mesfushori lushnjar, Alban Byzhyti, respekton kundërshtarin e radhës, por shpreh bindjen për suksesin e skuadrës së tij 

Nesër luhet ndeshja me Besën dhe Lushnja, e drejtuar nga trajneri Malko, u jep sot dorën e fundit përgatitjeve për këtë sfidë. Gjatë ndeshjeve miqësore stafi teknik ka marrë informacion të plotë për gjendjen e futbollistëve dhe ka bërë ndërhyrjet e duhura. Jashtë skuadrës mbetet vetëm kapiteni Çela, riaftësimi i të cilit do të dojë kohë.

Nga ana tjetër, Çela dhe disa futbollistë të tjerë lushnjarë kanë qenë pjesë e skuadrës kundërshtare në të shkuarën e largët, kurse Hasalla dhe Sefa kanë mbrojtur ngjyrat e Besës vitet e fundit. Ndërkohë, pjesë e Besës janë aktualisht një numër i madh futbollistësh, që kanë luajtur për Lushnjën, gjëra që e bëjnë edhe më interesante sfidën.

Byzhyti Futbollistët lushnjarë kanë besim të plotë se skuadra e tyre do të marrë 3 pikët e radhës në stadiumin Roza haxhiu. Kemi besim te forca e skuadrës sonë, besojmë te stafi teknik dhe te kolektivi. Në ndeshjet e fundit kemi arritur rezultate mjaft të mira dhe kemi bërë kthesën e premtuar. Jemi në një vend të mirë në klasifikim, sigurisht jo aty ku duhet të ishim, pasi kemi lëshuar në ndeshjet e para të kampionatit, duke humbur shumë pikë.

Megjithatë, e bëmë autokritikën me tri fitore radhazi, një prej të cilave në transfertën e vështirë të Burrelit. Mendoj se do të bëjmë të njëjtët gjë edhe me Besën, pavarësisht se është një kundërshtare e denjë, që ashtu si ne, nuk e meriton të jetë në kategorinë e parë, ka theksuar Byzhyti, një prej shtyllave kryesore të skuadrës lushnjare.

Apel tifozëve Më tej ai nuk harron të ftojë edhe tifozërinë e shumtë lushnjare që të jetë e pranishme në stadiumin Roza Haxhiu ditën e shtunë. Autokritika jonë besoj se është përligjur nga ndeshjet e mira dhe pikët e marra në javët e fundit. I kemi kërkuar ndjesë publikut lushnjar dhe e ftojmë sërish të jetë në mbështetjen tonë në ndeshjen me Besën, sepse do ti dhurojmë një tjetër fitore të bukur, – ka përfunduar mefushori Byzhyti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›