Rroshi: Në Roza Haxhiu tregojmë kush është Besa
Futbollisti kavajas, Daniel Rroshi, mendon se ka ardhur koha që skuadra e tij të fitojë edhe në transferta të vështira si e nesërmja
Besa, ndryshe nga sa ishte parashikuar para nisjes së kampionatit,në këto 9 javë kampionat nuk ka mundur të shfaqet si një pretendente e fortë për kreun e tabelës. Kavajasit janë 8 pikë pas Luftëtarit kryesues, por shumë praën zonës që të çon direkt në superligë, kështu që nuk janë aspak të demoralizuar. Përpara është sfida me Lushnjën në fushën e kësaj të fundit, ku Besa pritet të tregojë fytyrën e saj të vërtetë.
Sulmuesi Daniel Rroshi është një nga ata që kanë luajtur në të gjitha ndeshjet. I rikthyer në Kavajë, ai është vlerësuar nga trajneri Magani, i cili i ka besuar krahun e majtë të mesfushës. Në intervistën e mëposhtme për Sportin shqiptar futbollisti kavajas thekson se, me rikthimin e disa titullarëve, Besa është në gjendje ta përballojë Lushnjën, pse jo dhe ta mundë atë.
Rroshi, në çfarë gjendjeje është Besa para ndeshjes së vështirë me Lushnjën?
Situata është mjaft pozitive në krahasim me javët e mëparshme të kampionatit, sepse Besa ka vuajtur shumë që nga fillimi i kampionatit për shkak të dëmtimeve dhe skualifikimeve. Asnjëherë ekipi nuk ka qenë i plotë dhe ky fakt sigurisht që ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet tona.
Në Himarë ekipi ishte më i plotë dhe atje fituam. Me Luftëtarin nuk kishim gjysmën e titullarëve, madje ata me më shumë përvojë. Për ndeshjen e radhës jemi ndryshe, sepse di që do të jenë gati edhe Poçi, Mihani, Dhëmbi dhe Hoxha.
A i druheni Lushnjës në transfertë, nëse ekipi do të jetë i plotë?
Jo, aspak. Dhe këtë nuk e them me eufori. Besa ka lojtarë shumë cilësorë dhe me shumë përvojë, kështu që nuk ka pse ti trembet asnjë kundërshtari. Pikët që kemi në tabelë nuk i përgjigjen nivelit të lojës së Besës. Lushnja është një skuadër për tu respektuar, një skuadër me traditë, që gjithashtu ka në përbërje elementë cilësorë. Kjo e bën edhe më të bukur ndeshjen mes nesh.
Me çfarë objektivi do të udhëtoni për në stadiumin Roza Haxhiu?
Vetë pozicioni dhe objektivi ynë na tregon që në çdo ndeshje të luajmë për fitore, edhe në transferta të vështira si kjo me Lushnjën. Duhet të rikuperojmë ndërkohë pikët e humbura javët e para, kështu që duhet të shtrëngohemi për të marrë maksimumin ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë. Në stadiumin e Lushnjës do të shihni një Besë sulmuese, që kam shumë besim se do të tregojë se kush është në të vërtetë.
Besa është një nga skuadrat që ka pësuar më shumë gola nga pretendentët. Pse?
Ne nuk luajmë në mbrojtje dhe kjo ka bërë që të pësojmë gola edhe nga skuadra të ashtuquajtura të vogla. Besa luan hapur, gjithmonë në kërkim të fitores. Besa nuk është mësuar të luajë me 7 vetë në mbrojtje. Shpesh trajneri Magani na kritikon për faktin që nuk bëjmë aq sa duhet për të ndihmuar mbrojtjen. Besoj se ky problem do të zgjidhet në ndeshjet në vazhdim. Personalisht, do të përpiqem të shënoj në ndeshjen me Lushnjën. Edhe pse po luaj në mesfushë, gjendem shpesh në zonën kundërshtare. Gjithsesi, parësore është që të fitojmë në këtë sfidë delikate.
4 titullarë
Kthehen në formacionin e trajnerit Magani për ndeshjen e nesërme me Lushnjën. Mjaft i rëndësishëm është rikthimi i 3 senatorëve të mesfushës: Poçit, Mihanit dhe Dhëmbit. I gatshëm për këtë ndeshje do të jetë edhe mbrojtësi Hoxha
