Byzhyti i bindur: Lushnja korr fitoren e radhës në Ersekë
Mesfushori lushnjar, Alban Byzhyti, thekson se skuadra është e gatshme ti fitojë tri ndeshjet e mbetura nga faza e parë
Skuadra lushnjare ka nisur javën përgatitore për ndeshjen e radhës, transfertën me Gramozin. Verdhejeshilët, pas 2 ditëve pushim në fundjavë, kanë rinisur punën për ndeshjen e shtyrë me kolonjarët, pas së cilës do të presin Adën në shtëpi dhe do të shkojnë në Kukës, ku do të mbyllin fazën e parë. Futbollistët lushnjarë do të likuidohen financiarisht brenda javës, duke marrë edhe shpërblimet, kështu që kanë një arsye më shumë për të dhënë më të mirën në fushë.
Në sfond është merkatoja e dimrit, por myzeqarët nuk e kanë shumë mendjen aty, sepse kanë përpara tri ndeshje të rëndësishme, që duhen fituar. Deri më tani stafi teknik dhe vetë futbollistët nuk e kanë përmendur asnjëherë nevojën për përforcime, sepse tashmë skuadra e ngritur me përkushtim gjatë verës po sjell rezultatet e duhura. E vërteta është se starti i sezonit nuk ishte i mbarë për lushnjarët, por me 6 fitore radhazi në 7 ndeshje, grupi që drejtohet nga trajneri Saimir Malko ka vënë në vend krenarinë e qytetit sportdashës e veçanërisht futbolldashës të Lushnjës.
Byzhyti Futbollistët mezi po e presin sfidën e vështirë të Ersekës. Të gjithë janë në formën e tyre më të mirë dhe sigurisht që fitoret radhazi u kanë dhënë më shumë besim. Këtë javë ka një përplasje direkte mes rivalëve, konkretisht Kukësit dhe Besëlidhjes, ndaj dhe java e 13-të mund të jetë një rast i mirë për të shkuar më lart në tabelë. Sidoqoftë, lushnjarët e kanë mendjen te ndeshja e tyre, ku nuk shohin rezultat tjetër përveç fitores. Skuadra është mjaft mirë nga çdo anë.
Kemi pasur kohë, madje të tepërt, që po e shfrytëzojmë për të mos lënë pikë me Gramozin. Jam i bindur se do të korrim një tjetër fitore, edhe pse Erseka është një transfertë shumë e vështirë, – ka thënë për Sportin shqiptar Alban Byzhyti, një prej shtyllave kryesore të Lushnjës. Më tej ai ka shtuar:
Nuk na intereson çfarë bëjnë rivalët, ne do të shohim punën tonë për të marrë maksimumin në 3 ndeshjet e mbetura të fazës së parë dhe do të luajmë për fitore, sigurisht duke i marrë ndeshjet një nga një. Kemi gjithë potencialet për të dalë fitues dhe për të arritur në fund objektivin tonë. Kemi edhe më shumë se gjysmën e sezonit për ta ngjitur Lushnjën në superligë, – ka përfunduar Byzhyti.
