E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqimi i Xhemajlit

Blerim Xhemajli po shkëlqen në periudhën e fundit me fanellën e Napolit. Mesfushori shqiptar të dielën mbrëma e gjeti golin e dytë rresht me ekipin italian, duke i ndihmuar napolitanët ta nxjerrin një pikë në duel me Novarën e Samir Ujkanit.

Përfaqësuesi zviceran ndihet mirë për këtë fakt, derisa thotë se dalëngadalë po e gjen formën më të mirë. “Jam i lumtur për golin, po kthehem në top formë”, ka thënë Xhemajli pas ndeshjes për Sky Sport.

Ish futbollisti i Boltonit, i Torinos dhe i Parmës shënoi edhe një javë më parë ndaj Lecces, ndërsa goli i fundit e ka shtuar vlerën e tij tek ekipi napolitan. Mirëpo, atij i mbetet merak që ‘Azzurrët’ nuk fituan.

“Personalisht, ky gol më ka gëzuar shumë, por është mëkat që nuk fituam. E morëm megjithatë një pikë dhe është e rëndësishme se si shkoi ndeshja. Për mua ishte një javë e rëndësishme, sepse e kam rigjetur formën time. Arrija nga një lëndim dhe një periudhë jo dhe aq e lehtë, por po e rigjej veten dhe e di se më në fund tifozët po e shohin Xhemajlin e vërtetë”, vazhdoi ai.

Futbollisti nga Maqedonia e di se Napoli mund të përmirësohet. Ai thekson se ekipin e Walter Mazzarrit e pret një javë me punë të vështirë për të shpresuar në një paraqitje dhe rezultat të mirë ndaj Romës, të dielën.

Xhemajli shpreson që në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve skuadra e tij të mos luajë në ndonjërin nga dy ekipet spanjolle, Real Madrid apo Barcelona, ndërsa për skuadrat tjera thotë se nuk e ka problem.

Paraqitjen e Xhemajlit, i cili luajti përkrah Marek Hamsikut në mesfushë, e ka përshëndetur edhe trajneri Walter Mazzarri. “Xhemajli dhe Hamsik luajtën mjaft mirë sonte”, ka qenë i shkurtër trajneri italian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›