E Diel, 1 Nëntor 2026

CEFTA, ekspertët kosovarë akuzojnë qeverinë për neglizhencë



Përkrah deklaratës së zyrtarëve kosovarë se po bëhen përpjekje për funksionimin e marrëveshjes së CEFTA-s, që parashikon zhbllokimin e produkteve me Serbinë dhe Bosnjën, ekspertët dalin me qëndrimin se kjo situatë nuk po zgjidhet nga qeveria. Përkundër faktit se Kosova është nënshkruese e Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), ka më se një vit, produktet kosovare janë bllokuar nga Serbia dhe Bosnja. Fatos Sahiti, këshilltar politik në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, thotë se institucionet e Kosovës mbesin fuqimisht të angazhuara që këtë marrëveshje ta kthejnë në dobi të Republikës së Kosovës. “Kjo marrëveshje është në fazën e zbatimit të saj. Mendojmë se me një trysni të Bashkimit Europian, vendet që kanë marrë vendime politike, do t’i shfuqizojnë vendimet politike. Përndryshe, çështjet janë të adresuara dhe mendojmë se është koha e fundit që Serbia dhe Bosnja ta ndryshojnë qëndrimin e tyre. Ky qëndrim është politik”, shprehet Sahiti. Por, ndryshe mendojnë njohës të çështjeve ekonomike. Ali Jakupi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se institucionet vendore po tregohen të papërgatitura karshi këtij problemi. Ai madje shpreh shqetësimin se autoritetet kompetente nuk kanë bërë ende ndonjë përllogaritje të dëmeve, që kjo bllokadë i ka shkaktuar komunitetit të biznesit.

Kinë, mbi 600 viktima nga tërmeti

Në Kinën perëndimore vazhdojnë kërkimet e ethshme me mjete speciale për gjetjen e të mbijetuarve nga një tërmet shkatërrimtar. Mijëra njerëz të pastrehë kanë kaluar një natë jashtë në acar në provincën kineze të Qinghait, një zonë e largët malore. Të dhënat zyrtare më të fundit thonë se numri i të vdekurve është më shumë se 600. Gati të gjitha ndërtesat përfshirë edhe shtëpitë, shkollat dhe spitalet janë shkatërruar nga termeti. Në radhën e të vdekurve thuhet të jenë edhe të paktën 50 nxënës shkolle. Punonjësit e ndihmës së shpejtë me mjete speciale vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit që besohet se janë bllokuar nën rrënojat e tërmetit. Presidenti Hu ka thënë të mos mungojë asnjë përpjekje në ndihmë të Qinghait. Pesë mijë trupa kanë shkuar në zonën e largët malore si dhe mjaft kamionë me tenta, batanije dhe rroba dimri, me shpresë që të arrijnë aty para mesnate në mënyrë që njerëzit të mos kalojnë edhe një tjetër natë në të ftohtë.

Kirgistan, protestuesit sulmojnë ish-presidentin Bakijev

Përkrahësit e qeverisë së përkohshme në Kirgistan dhe të aktivistëve besnikë të ish-liderit Kurmanbek Bakijev, i cili u rrëzua nga pushteti një javë më parë janë konfliktuar me njëri -tjetrin. Përkrahës të zemëruar të liderit të përkohshëm u munduan të qëllojnë zotin Bakijev pak pasi ai nisi të mbante një fjalim në mitingun që organizoi në qytetin e Oshit. Truprojat e tij qëlluan në ajër si kundërpërgjigje. Një miting opozitar po mbahej aty pranë. Një nga vëllezërit e ish presidentit është se garda e tij qëlloi në ajër pasi përkrahësit e qeverisë së re u munduan të ndërpresin mitingun. Bakijev u largua me forcë nga pushteti pas protestave që lanë dhjetëra të vdekur. Që atëherë ai ka jetuar në shtëpinë e tij në rajonin e Jalalabad në jug të Kirgistanit, ku po mundohet të sigurojë përkrahje.

16 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›