E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: “Qeveria të rishikojë shpenzimet për vitin 2010”



Ervin KOÇI

Stabiliteti ekonomik në vend për këtë vit, varet shumë edhe nga mënyra se si do të kryhen shpenzimet nga ana e qeverisë. Kjo e fundit duhet të bëjë mjaft kujdes sidomos në ato zëra që kanë lidhje me rritjet e ndryshme të pagave, pensioneve dhe shpenzimeve të tjera korrente. Një kërkesë e tillë është bërë nga Banka e Shqipërisë, e cila i ka kërkuar qeverisë të shkurtojë pikërisht këto shpenzime. Në deklaratën e publikuar pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, BSH bëri thirrje se duhet treguar kujdes në lidhje me shpenzimet e ndryshme qeveritare dhe ato nga buxheti i shtetit, pasi ekonomia shqiptare këtë vit nuk pritet të ketë përmirësime të ndjeshme. “Është e domosdoshme të kontrollohet deficiti buxhetor për vitin 2010, në nivele që garantojnë respektimin e objektivave të përcaktuar në Kuadrin Makroekonomik Afatmesëm, në lidhje me nivelin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik”,- deklaroi BSH. “Shkurtimi i shpenzimeve, veçanërisht i atyre korrente, duhet të jetë instrumenti kryesor në realizimin e këtij objektivi, në kushtet kur ecuria e të ardhurave publike mbetet e paqartë dhe potenciali i rritjes së tyre duket i kufizuar”,- vijonte më tej deklarata.

Shpenzimet korrente
Te shpenzimet korrente të qeverisë përfshihen shpenzimet për paga e pensione. Qeveria shqiptare shpenzoi 282 miliardë lekë për paga, pensione, interesa borxhi dhe shpenzime të tjera që janë të domosdoshme për funksionimin e qeverisë gjatë vitit të kaluar. Por të ardhurat e qeverisë nga tatimet dhe taksat ishin vetëm 270 miliardë lekë, ose rreth 120 milionë dollarë më pak sesa shpenzimet e domosdoshme. Në këtë situatë, edhe nëse qeveria heq dorë nga të gjitha investimet publike, sërish nuk do të jetë në gjendje ta zgjidhë problemin pa rritjen e borxhit publik. Në rast se të ardhurat e buxhetit të shtetit nuk rriten këtë vit në krahasim me vitin 2009, atëherë qeverisë do t’i duhet të marrë borxh për të mbuluar shpenzimet e veta të domosdoshme. Por kjo gjë konvertohet automatikisht në inflacion dhe zhvlerësim të monedhës kombëtare. “Ulja e shpenzimeve publike do të ndikojë në përmirësimin e deficitit të llogarisë korrente në bilancin e pagesave, duke ndikuar pozitivisht në faktorët që përcaktojnë qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit”,- deklaroi BSH duke bërë të qartë për herë të parë se burimi i destabilitetit te kursi i këmbimit është shpenzimi i tepruar nga ana e buxhetit të shtetit.

Borxhi publik
Rritja e taksave të akcizës vitin e kaluar, si dhe mbajtja e referencave doganore artificialisht të larta, nuk mjaftojnë për të rritur të ardhurat e qeverisë. Por dhe rritja e mëtejshme e borxhit publik të vendit, siç është edhe skenari i parapëlqyer i qeverisë, pritet të ketë pasoja negative për të gjithë ekonominë. “Konsolidimi i financave publike, i pasqyruar nëpërmjet rivendosjes së prirjes rënëse të deficitit buxhetor, merr rëndësi në lidhje me mundësinë dhe me uljen e kostos së financimit të tij, duke përmirësuar në vazhdimësi situatën e likuiditetit në tregun financiar dhe duke çliruar më shumë burime financiare në sistem, përdorimi i të cilave do të mbështesë rritjen e kreditimit në sektorin privat”,- thuhej në deklaratën e BSH-së. Qeveria duket se e ka të pamundur të stabilizojë bilancin e buxhetit të shtetit këtë vit për shkak se të ardhurat tatimore janë në të njëjtin nivel me vitin 2009, ndërsa perspektiva është e zymtë për shkak të rënies drastike të importit të karburanteve. Për të gjithë ekspertët, zgjidhjet që ka qeveria janë ose të shkurtojë shpenzimet, përfshirë edhe pagat e pensionet, ose të rrisë taksat. Ulja e pagave dhe pensioneve është e paimagjinueshme për qeverinë, pavarësisht se në muajt e fundit, buxheti është përballur me vështirësi të konsiderueshme në mbulimin e detyrimeve financiare të qeverisë.

BOX/////////////////////////////////////
Fullani apel bankave: “Tregohuni transparente me klientët”

Banka e Shqipërisë u bëri dje apel bankave të nivelit të dytë që të tregohen transparente me klientët. Kjo për shkak se, qytetarët nuk kanë informacion të vazhdueshëm për kostot që duhet të paguajnë për shërbimet që marrin nga bankat. Gjatë një takimi me drejtues të bankave të nivelit të dytë, Guvernatori, Ardian Fullani, ka deklaruar se puna e personelit të bankave në drejtim të transparencës me klientët, lë për të dëshiruar dhe kjo situatë penalizon financiarisht qytetarët. “Në mjaft raste qytetarët vendosen përpara faktit të kryer për sa i takon detyrimeve ndaj bankës për shërbimet e përfituara, pa pasur më parë një informacion të mirëfilltë rreth arsyes dhe madhësisë të këtyre detyrimeve. Në raste të tjera, përdoruesi i shërbimit nuk gjen shpjegimin e nevojshëm nga ana e bankës për arsyet e detyrimit dhe mënyrën e llogaritjes së tij. Nuk përjashtohen raste kur problemi qëndron në kulturën financiare të qytetarit, por sidoqoftë duhet puna e personelit të bankës për të siguruar transparencën ndaj klientit. Mbetet e paqartë mënyra e përcaktimit të kostove nga bankat tregtare për shërbimet që ato ofrojnë”,- u shpreh Fullani. Ai kritikoi më tej bankat edhe për komisionet e larta që ofrojnë për kryerjen e pagesave, çka nxit përdorimin e parasë kesh në ekonomi. “Transaksionet midis klientëve të bankave të ndryshme penalizohen prej komisioneve relativisht të larta, duke penguar në këtë mënyrë kryerjen e pagesave nëpërmjet bankave, me pasoja të padëshiruara për ecurinë e parasë në dorë në ekonomi”,- u shpreh Fullani. Një tjetër apel që kreu i BSH-së bëri në drejtim të sistemit bankar, ishte dhe ai për rritjen e nivelit të kreditimit.

16 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›