E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuredini: “Të ardhurat nga tatimet janë rritur gjatë këtij tre mujori”



Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Besnik Nuredini, ka deklaruar se ky institucion e ka përmbushur planin gjatë këtij 3-mujori duke theksuar se, të ardhurat e mbledhura janë më ta larta se gjatë vitit 2009. Ai ka thënë për mediat se, të ardhurat e këtij 3-mujori kanë pasur një rritje prej 2 për qind nga viti i kaluar. Numri dy i Tatimeve, Nuredini, ka shtuar se, DPT-ja në fund të muajit prill përmbyll pagimin e taksave të bizneseve nëpërmjet internetit. “Tashmë bizneset nuk kanë nevojë të paguajnë taksat në banka por nëpërmjet internetit”,- tha Nuredini. Sipas tij, pagimi on-line i tatimeve i ka shkëputur marrëdhëniet e biznesit dhe bankës duke bërë që çdo veprim të bëhet në rrugë elektronike.

Oli Rehn: “Greqia, do t'ia kthejë borxhet BE-së”

Komisioneri për ekonominë në Bashkimin Evropian, Oli Rehn, deklaroi se Greqia nuk do ta shmang kthimin e borxheve të mëdha. "Mosplotësimi i obligimeve të pagesave nuk vjen parasysh. Greqia nuk do të jetë jo-likuide",- u tha Rehn gazetarëve në Bruksel. Ren gjithashtu paralajmëroi për mundësinë e deflacionit në eurozonën, respektivisht rënien e çmimeve, nëse Greqia dhe vendet tjera që kanë borxhe nuk i ulin pagat dhe nuk zbatojnë masa të rrepta për rritjen ekonomike. Greqia ka kërkuar bisedime shtesë për planin financiar të shpëtimit me vendet e eurozonës dhe me FMN-nër. Kërkesa i është dërguar ministrave të financave të vendeve të eurozonës dhe kreut të FMN-së, Domenik Shtraus Khan. Athina ka theksuar se nuk do të kërkojë aktivizimin e kredive që janë të pezulluara.

Rritet edhe çmimi i mishit të viçit, tregtarët e lidhin me bursat

Çmimi i mishit të viçit ka pësuar një rritje të madhe në muajt e fundit në tregun vendas duke shkuar në 800 lekë/kg. Tregtarët vendas këtë e justifikojnë edhe me rritjen në bursat ndërkombëtare, për shkak se dimri i egër dhe i gjatë në Amerikën Veriore nuk lejoi majmen e duhur të viçave, ndërsa fermerët kanë ulur prodhimin gjatë dy viteve të fundit në përputhje me rënien e kërkesës gjatë recesionit. Që nga dhjetori, në kontratat e dorëzimit të mëvonshëm të mishit të viçit çmimet janë rritur me 20 për qind dhe aktualisht kanë arritur në rreth 2.2 dollarë për kg, çmim ky i shënuar vetëm në kulm të krizës së çmimeve të mallrave në vitin 2008. Në shkallë botërore, prodhimi i mishit duket se do të ulet për vitin e tretë radhazi më 2010. Gjatë dekadës së fundit, fermerët i kanë zvogëluar tufat e tyre të bagëtive për shkak të faktorëve të ndryshëm si sëmundja e lopës së çmendur apo çmimet e larta të misrit që përdoret për ushqim kafshësh. Dhe pas të gjitha këtyre, dimri i fundit qe veçanërisht i ashpër, gjë që solli lopë e viça më të dobët se zakonisht. Në rritje janë edhe çmimet e mishit të derrit.

16 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›