E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese, 8 argumenta kundër marrëveshjes së kufijve detarë me Greqinë

Kushtetuesja ka zbardhur dje vendimin e plotë për rrëzimin e marrëveshjes

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur dje vendimin me anë të të cilit rrëzoi një muaj më parë Marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për ujrat detare. Në rreth 46 faqe, Gjykata Kushtetuese ka dhënë argumentat e saj për papajtueshmerinë e kësaj marrëveshjeje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese mori parasysh pikat ku Partia Socialiste e Shqipërisë, pretendon se marrëveshja objekt kundërshtimi nuk është në pajtim me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës. Një ndër arsyet më të forta që detyruan Gjykatën të merrte këtë vendim, ka qenë fakti se anëtarët e grupit negociator të palës shqiptare nuk e kishin marrë lejen speciale nga Presidenti i Republikës për të negociuar me palën greke. Më pas papajtueshmëritë lidhen dhe me mangësitë në përmbajtjen e titullit të marrëveshjes e deri tek mungesa e transparencës për këtë marrëveshje nga ana e qeverisë.
Gjykata Kushtetuese mori parasysh pikat ku Partia Socialiste e Shqipërisë, pretendon se marrëveshja objekt kundërshtimi nuk është në pajtim me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës. Gjykata pranoi kërkesat e PS ku citohet se mungon plotfuqia nga ana e Presidentit të Republikës për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes objekt shqyrtimi, gjë që vjen në kundërshtim me nenin 4 të ligjit. Titulli dhe përmbajtja e marrëveshjes janë të pazakonta. Nuk duhej të ishte zbatuar parimi i barazlargësisë strikte për përcaktimin e kufirit detar, i cili ka sjellë pasoja të disfavorshme për shtetin shqiptar duke humbur padrejtësisht sipërfaqe të konsiderueshme hapësirash detare, për shkak se dy brigjet kanë kushte gjeografike të ndryshme. Më poshtë gazeta boton argumentat e përmbledhura të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

O B J E K T I: Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
BAZA LIGJORE: Nenet 131 shkronja “b”, 134 shkronja “f” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; neni 52 i ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
GJYKATA KUSHTETUESE
Pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Xhezair Zaganjori; përfaqësuesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë, që kërkuan pranimin e kërkesës; përfaqësuesit e subjekteve të interesuara: Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes që kërkuan rrëzimin e saj, si dhe bisedoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N:
I
1. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, nëpërmjet Ministrave respektivë të Punëve të Jashtme, më datë 27.04.2009, kanë nënshkruar Marrëveshjen “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Marrëveshja e lidhur i është dërguar Kuvendit për ratifikim, në përputhje me nenin 121 të Kushtetutës. Sipas relacionit që shoqëron marrëveshjen dërguar Kuvendit, lidhja e kësaj marrëveshje erdhi si nevojë jo vetëm e përcaktimit të kufijve detarë midis dy vendeve fqinjë por edhe e përdorimit dhe shfrytëzimit ekonomik të hapësirave detare nga ana e shtetit shqiptar. Pala shqiptare ka qenë e interesuar të lidhë këtë marrëveshje në kushtet kur marrëdhëniet midis dy vendeve zhvillohen në një klimë bashkëpunimi dhe të mbështetura në parimet e miqësisë së mirë. Të dy shtetet janë palë në konventën kuadër, Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit, e cila theksohet se ka shërbyer si bazë për lidhjen e marrëveshjes.
2. Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) iu paraqit një kërkesë nga disa parti politike, konkretisht: Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Social-Demokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane, Partia “Ligj dhe Drejtësi” dhe Partia G 99, me objekt: “Shqyrtimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë i marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
3. Gjykata, gjatë shqyrtimit paraprak të kërkesës, me vendimin e datës 26.11.2009, marrë në Mbledhjen e Gjyqtarëve, bazuar në nenin 52/3 të Ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash 5 me 4, vendosi: a) kalimin në seancë të çështjes; b) legjitimimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, c) rrëzimin e kërkesës për subjektet e tjera kërkuese . Në zbatim të nenit 52/3 të këtij ligji, kur çështja kalon për shqyrtim në seancë, pezullohen procedurat për ratifikimin e marrëveshjes deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga kjo Gjykatë.

4. Kërkuesi, Partia Socialiste e Shqipërisë, pretendon se marrëveshja objekt kundërshtimi nuk është në pajtim me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës, pasi:
4.1 Mungon plotfuqia nga ana e Presidentit të Republikës për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes objekt shqyrtimi, gjë që vjen në kundërshtim me nenin 4 të ligjit nr.8371, dt.09.07.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” si dhe me parimet dhe frymën kushtetuese të kooperimit institucional. Presidenti i Republikës, si përfaqësues i vetëm i unitetit të popullit, është organi që në bazë të ligjit duhet të japë autorizimin për negocimin e marrëveshjeve ku palë është shteti shqiptar.
4.2 Grupi negociator i palës shqiptare është ngritur me Urdhërin e Kryeministrit nr.135, dt.23.08.2007 “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje”, me qëllim përcaktimin e shelfit kontinental me Greqinë, ndërkohë që bisedimet janë zhvilluar përveçse mbi shelfin kontinental edhe mbi hapësira të tjera detare.
4.3 Titulli dhe përmbajtja e marrëveshjes janë të pazakonta. Titulli duhet të jetë i tillë që të pasqyrojë përmbajtjen e marrëveshjes, e cila mund të ketë për objekt përcaktimin e kufijve të ujrave territorialë, ose të shelfit kontinental, ose të zonës ekonomike ekskluzive apo të disa prej tyre. praktika ndërkombëtare nuk njeh raste ku titulli i marrëveshjes të jetë kaq i gjerë.
4.4 Nuk duhej të ishte zbatuar parimi i barazlargësisë strikte për përcaktimin e kufirit detar, i cili ka sjellë pasoja të disfavorshme për shtetin shqiptar duke humbur padrejtësisht sipërfaqe të konsiderueshme hapësirash detare, për shkak se dy brigjet kanë kushte gjeografike të ndryshme. Në vend të tij duhej zbatuar parimi i barazlargësisë i kombinuar me ekitene (frëngjisht equite ose anglisht equity), i cili bën të mundur arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndërshem.
4.5 Nuk është përcaktuar paraprakisht vija bazë nga shteti shqiptar, e cila ka rëndësi në përcaktimin e shelfit kontinental dhe zonave të tjera. Rëndësia e vijës bazë qendron kryesisht tek fakti se brigjet e Shqipërisë dhe Greqisë nuk janë të njëjta, gjë e cila ndikon edhe tek përzgjedhja e parimit që do të zbatohet për vendosjen e kufirit ujor. Kështu p.sh, ishulli i Korfuzit krijon rrethana gjeografike të përshtatshme për palën greke, pasi futet në hapësirën ujore që duhej t’i takonte shtetit shqiptar. Gjithashtu, ishulli Othonoi krijon një tjetër zgjatim verior të hapësirës ujore greke në disfavor të palës shqiptare.
4.6 Delegacioni shqiptar nuk ka treguar kujdesin e duhur për përcaktimin e statusit dhe shtrirjes së gjirit të Sarandës dhe nuk ka bërë përpjekje që të njëjtin status të fitonte edhe gjiri i Sarandës, ndërkohë që ka pranuar kërkesën e palës greke që gjiri i Korfuzit të trajtohet si gji me statusin e ujrave të brendshme. Kjo ka çuar në zvogëlimin e hapësirës dhe për pasojë edhe afrimin e pajustifikuar të vijës së kufirit detar në drejtim të bregut të Sarandës, pra në disfavor të interesave kombëtare.
4.7 Shkëmbi Barketa nuk duhet të shërbente si pikë skajore bazë prej të cilës ka filluar matja e vijës së barazlarguar nga pikat më të afërta të bregdetit shqiptar, por si vijë ndarëse e kufirit detar greko-shqiptar, sepse nuk është shkëmb por cekinë shkëmbore. Nuk ka motiv që Barketës t’i njihej dhe t’i akordohej e drejta e hapësirës ujore, pasi kjo cekinë shkëmbore duket dhe zhduket në varësi të fenomeneve baticë-zbaticë.
4.8 Nuk ishte i nevojshëm përcaktimi i kufirit të hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi ky kufi ka qenë i përcaktuar më parë. Në Protokollin e Firences 1913 është pranuar se kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë në zonën e kanalit të Korfuzit kalon përmes ngushticës, gjë e cila nuk është kontestuar asnjëherë nga palët. Gjithashtu, me ligjet e miratuara nga parlamenti shqiptar (ligji nr.8771, dt.19.04.2001 “Për kufirin shtetëror të RSH”, i shfuqizuar me ligjin nr.9861, dt.24.01.2008) janë parashikuar si pjesë të territorit shqiptar si ujrat territoriale ashtu dhe ujrat e brendshme.
4.9 Marrëveshja e nënshkruar nuk është shoqëruar me hartat përkatëse por vetëm me koordinatat e kufirit ndarës, gjë që e bën të paqartë pohimin se “vija e mesme që përcaktohet nga vija gjeodezike që bashkon pikat në tabelë (neni 1/2 i marrëveshjes) është vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e barazlarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë” (pika 1/1 e marrëveshjes). Mungesa e hartave lidhet edhe me parimin e transparencës që duhet të ishte zbatuar gjatë negocimit të marrëveshjes në fjalë.
4.10 Negocimi dhe hartimi i marrëveshjes është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të transparencës. Qeveria ka detyrimin të bëjë publike të gjitha çështjet, të cilat kanë interes, sidomos ato lidhur me kufijtë e vendit dhe territorit të shtetit. Ky është një detyrim që rrjedh edhe nga neni 23 i Kushtetutës që garanton të drejtën e informimit. Nga ana e qeverisë nuk ka patur vullnet për të dhënë sqarime edhe kur u shfaq interesi i publikut për t’u informuar më shumë mbi këtë marrëveshje.

5. Presidenti i Republikës
5.1 Institucioni i Presidentit të Republikës, me shkresën nr.1976/1, dt.3.12.2009 drejtuar Gjykatës, shprehet se e lë në çmim të kësaj Gjykate vlerësimin lidhur me pajtueshmërinë me Kushtetutën të marrëveshjes objekt gjykimi.

6. Kuvendi i Shqipërisë
6.1 Kërkuesi nuk legjitimohet për arsye se partitë politike nuk janë subjekte të përgjithshme të parashikuara nga neni 134/1 i Kushtetutës. Vetëm subjektet e parashikuara në këtë dispozitë mund të fillojnë një kontroll abstrakt para Gjykatës Kushtetuese. Pavarësisht numrit të madh të votuesve të kësaj partie, ajo nuk legjitimohet në kërkesën e saj, pasi nuk arrin të justifikojë interesat që preken nga objekti i marrëveshjes. Partia Socialiste ka mundësi të shprehë kundërshtimet dhe rezervat e veta lidhur me marrëveshjen gjatë shqyrtimit të saj në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo në rrugën e kontrollit kushtetues. Mungesa e kësaj partie në Kuvend nuk mund të zëvendësohet me mjete të tilla juridike siç është ankimi kushtetues në një procedurë abstrakte kontrolli.
6.2 Nuk ka prova që të vërtetojnë se kufiri detar midis Shqipërisë dhe Greqisë ka ekzistuar. Për më tepër, nëse kufiri midis dy vendeve do të kishte ekzistuar, nuk do të kishte dalë nevoja e lidhjes së kësaj marrëveshjeje.
6.3 Mungesa e hartave shoqëruese është një çështje teknike që nuk mund ta bëjë marrëveshjen antikushtetuese, pasi koordinatat janë të mjaftueshme për të përcaktuar kufirin.
6.4 Marrëveshja e nënshkruar nga pala shqiptare dhe ajo greke ndodhet ende në fazat e shqyrtimit parlamentar në Kuvend, konkretisht në komisionet parlamentare. Në këto kushte, është e pamundur të paraqiten nga ana jonë parashtrime lidhur me disa aspekte të përmbajtjes së marrëveshjes.

7. Këshilli i Ministrave
7.1 Kërkuesi nuk legjitimohet për të iniciuar një gjykim të kontrollit abstrakt të normës ligjore, për shkak se subjekte të tillë kanë detyrimin të argumentojnë lidhjen e çështjes me interesat e tyre, gjë të cilën kërkuesi nuk rezulton ta ketë bërë përmes kësaj kërkese. Kërkuesi nuk ka dhënë asnjë argument që provon interesin e prekur nga ligji objekt shqyrtimi.
7.2 Shqipëria dhe Greqia nuk i kanë përcaktuar asnjëherë më parë kufijtë detarë ndërmjet tyre dhe për këtë arsye faktet historike të paraqitura nga kërkuesi nuk janë të sakta.
7.3 Konsultimi publik nuk është standard kushtetues por lidhet me vullnetin politik, prandaj nuk mund të jetë shkak i tillë që të mund ta bëjë marrëveshjen antikushtetuese. Ky pretendim mund të ngrihet në rrugën politike të shprehjes së mendimit, konkretisht gjatë procedurave parlamentare. Kërkuesi i ka të gjitha mundësitë që në rrugë parlamentare të realizojë procesin e konsultimit, i cili, sipas tij, ka munguar në lidhjen e kësaj marrëveshje.
7.4 Nuk qëndron pretendimi për mungesë informimi dhe transparence, pasi vetë kërkuesi nuk ka pranuar të marrë pjesë në punimet e parlamentit. Është kjo arsyeja që ai nuk ka pasur mundësi të njihet nga afër me dokumentacionin lidhur me përgatitjen, negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes. Përveç kësaj, kërkuesi nuk paraqet asnjë provë që të vërtetojë se i është mohuar dhënia e informacionit pas kërkesës së bërë zyrtarisht prej tij.
7.5 Pretendimi për mungesën e hartave shoqëruese nuk është shkak për pavlefshmëri, pasi në periudhën e zhvillimit të teknologjisë dixhitale përcaktimi i koordinatave është më se i mjaftueshëm për të përmbushur funksionin e përcaktimit të kufirit.
7.6 Negocimi i marrëveshjes është shtrirë në një hark kohor prej 3 vitesh, megjithëse interesi i palës shqiptare për përcaktimin e saktë të kufijve ka qenë i dokumentuar që prej 1993. Nga ana e qeverisë janë bërë të gjitha përpjekjet që bisedimet të bëhen të njohura për publikun që prej momentit që ka pasur interesim për këtë çështje.

I. Lidhur me çështjen e legjitimimit të kërkuesit.
13.Gjykata vlerëson se kërkuesi legjitimohet në kuptim të rregullimit të parashikuar nga neni 134, shkronja “f” i Kushtetutës dhe neni 52/2 i ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (më poshtë: ligji për Gjykatën Kushtetuese). Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH) është një parti politike e regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe e krijuar me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë, nr.36/1, dt.15.08.1991. Aktualisht ajo është partia më e madhe opozitare në vend. Në hyrjen e statutit të kësaj partie parashikohet se: “PSSH vepron në respekt të Kushtetutës, të ligjeve, të shtetit të së drejtës dhe të formës parlamentare të qeverisjes për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, rendit dhe drejtësisë....PSSH ndjek objektiva politikë përmes të cilave synon mbrojtjen dhe promovimin e vlerave dhe të interesave kombëtare...”.
22. Në çështjen në shqyrtim, Gjykata vëren se PSSH është një subjekt politik që në zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 qershorit 2009 arriti të siguronte 65 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Ky fakt e bën atë një subjekt të posaçëm midis partive të tjera politike. Bazuar në këtë nivel përfaqësimi, duke patur parasysh karakterin dhe rëndësinë e veçantë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, Gjykata çmon se PSSH ka interes legjitim në kuptim kushtetues për të kërkuar kontrollin e kushtetutshmërisë së kësaj marrëveshjeje.
23. Për sa më lart, Gjykata vlerëson se kërkuesi, PSSH, legjitimohet në kërkimet e tij për kontrollin paraprak të marrëveshjes së lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

II. Lidhur me pretendimin për zhvillimin e bisedimeve pa pasur plotfuqi nga Presidenti i Republikës.
33. Gjykata thekson se e drejta e Presidentit të Republikës për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare është një funksion kushtetues dhe këtë ai e ushtron ose vetë, ose duke i dhënë plotfuqi qeverisë me qëllim përfaqësimin e shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare. Duke iu referuar fakteve të bëra të njohura nga përfaqësuesi i subjektit të interesuar, Ministria e Punëve të Jashtme, rezulton të jetë bërë praktikë e vazhdueshme që edhe në raste të tjera të zhvillimit të bisedimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve me palë shtetin shqiptar, delegacioni shqiptar të mos ketë qenë i pajisur me plotfuqi nga ana e Presidentit të Republikës. Pra, është krijuar praktika e mospajisjes së delegacionit shqiptar me plotfuqi, nëse pala tjetër në marrëveshje nuk e kërkon një gjë të tillë. Gjykata vlerëson se ndjekja e një praktike të tillë rezulton të mos ketë bazë kushtetuese ose ligjore, pasi kemi të bëjmë me një veprim të paautorizuar nga organi, të cilit i takon kjo kompetencë. Kjo sjellje institucionale e kthyer në një praktikë bie ndesh jo vetëm me nenin 92/ë të Kushtetutës që parashikon rolin dhe kompetencën e Presidentit për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, por edhe me nenet 4 dhe 7 të Kushtetutës.
47. Gjykata vlerëson se mosmarrja e plotfuqisë nga Presidenti i Republikës për lidhjen e marrëveshjes ose dhënien e plotfuqisë, sipas ligjit, bie ndesh edhe me nenin 7 të Kushtetutës, i cili garanton parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Ky parim shtrihet jo vetëm ndaj tri degëve të pushtetit, ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, por edhe ndaj organeve të tjera kushtetuese të pavarura, kompetencat e të cilave janë të parashikuara nga dispozitat e Kushtetutës. Sipas këtij parimi, asnjë organ, në përbërje ose jo të një prej tre pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që, sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese . Mospajisja e delegacionit me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës përbën cenim të kompetencave të Presidentit të Republikës të parashikuara nga neni 92 i Kushtetutës, rrjedhimisht edhe të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve garantuar nga neni 7 i Kushtetutës.
48. Nisur nga titulli i marrëveshjes objekt shqyrtimi, Gjykata konstaton se delegacioni shqiptar jo vetëm nuk ka marrë plotfuqi nga organi kompetent për fillimin e bisedimeve e më pas nënshkrimin e marrëveshjes me Republikën e Greqisë, por, nga pikëpamja formalo-juridike, edhe autorizimi përkatës i lëshuar nga Kryeministri nuk është respektuar sa i takon objektit të tij. Kështu, Urdhëri nr.135, dt.23.08.2007 i Kryeministrit përmban titullin “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje”. Ndërsa nëse i referohemi marrëveshjes përfundimtare të lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, në titullin e saj, rezulton se objekt i marrëveshjes nuk ka qenë vetëm përcaktimi i shelfit kontinental por edhe “…i zonave të tjera që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Pra, rezulton që pala shqiptare të ketë negociuar për një objekt më të gjerë sesa ishte e autorizuar, duke kapërcyer kufijtë e autorizimit të dhënë për objektin e bisedimeve dhe më pas të konkretizimit të një marrëveshjeje midis dy palëve. Ky tejkalim i objektit të autorizimit nga grupi negociator e bën marrëveshjen të papajtueshme me parimin e shtetit të së drejtës i garantuar nga neni 4/2 i Kushtetutës.
52. Nga sa më lart, Gjykata vlerëson se mospajisja e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës ka sjellë si pasojë cenimin e kompetencës së kreut të shtetit si organi kompetent për përfaqësimin e shtetit shqiptar në marrëdhënie me jashtë. Mungesa e plotfuqisë së rregullt nga delegacioni shqiptar bie ndesh me kuadrin e brendshëm kushtetues dhe ligjor lidhur me përcaktimin e kritereve formale për negocimin dhe lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Si rrjedhojë, kjo papajtueshmëri prek edhe thelbin e marrëveshjes së lidhur nga shteti shqiptar, i cili, në çdo rast, duhet të shprehë vullnetin e tij në përputhje me kërkesat e legjislacionit të brendshëm. Për këtë arsye, Gjykata arrin në përfundimin se marrëveshja e nënshkruar midis RSH dhe RG për delimitimin e hapësirave detare midis dy vendeve është lidhur në kundërshtim me kërkesat e neneve 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës.

III. Lidhur me parimet dhe kriteret e kontrollit kushtetues të marrëveshjes ndërkombëtare nga Gjykata Kushtetuese.
58. Gjykata thekson se gjatë kontrollit kushtetues të një marrëveshje ndërkombëtare është e rëndësishme të mbahet parasysh respektimi i parimit të shtetit të së drejtës, i cili merr përparësi ndaj një mundësie për të rënë ndesh me rregullat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, i njohur sot me termin “international rule of laë”. Kur para një gjykate kushtetuese shtrohet për shqyrtim interpretimi i një marrëveshje ndërkombëtare, është i pashmangshëm aplikimi i parimeve të përgjithshme për këtë qëllim. Sipas këtyre parimeve, çdo marrëveshje duhet interpretuar në mënyrë të tillë që palët të arrijnë atë objektiv për të cilin kanë vendosur të lidhin këtë marrëveshje. Nga ana tjetër, duhet të mos rezultojë nga marrëveshja një detyrim më i madh ose më i gjerë nga ai për të cilin kanë shprehur vullnetin fillestar palët.
60. Nga gama e gjerë e pretendimeve të palëve, përveç çështjes së legjitimimit të kërkuesit dhe të mungesës së plotfuqisë të trajtuara më sipër, Gjykata vlerëson se duhet të përqendrohet dhe grupojë kryesisht ato që kanë rëndësi kushtetuese për çështjen në gjykim dhe konkretisht pretendimet lidhur me: a) titullin dhe përmbajtjen e marrëveshjes si dhe nevojen e përcaktimit të hapësirave detare respektive, b) zbatimin e parimit të barazlargësise strikte për ndarjen e hapësirave detare që u përkasin të dy vendeve, c) ndikimin e ishujve dhe të masave shkëmbore në përcaktimin e hapësirave detare dhe ç) mosparaqitjen e hartave analoge si pjesë shoqëruese të marrëveshjes. Gjykata thekson se pretendimi për mungesë të transparencës gjatë zhvillimit të bisedimeve për lidhjen e marrëveshjes, për çështjen në gjykim, nuk paraqitet në dimension kushtetues.

III
IV. Mbi titullin dhe përmbajtjen e marrëveshjes si dhe nevojën e përcaktimit të hapësirave detare respektive.
69. Gjykata vëren se Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit përcakton parimet dhe rregullat bazë, të drejtat dhe detyrimet e përgjithshme të shteteve palë në fushën e të drejtës ndërkombëtare detare. Zbatimi i saj në çdo rast konkret kërkon marrjen parasysh të rregullimeve kuadër të Konventës, si në hartimin e legjislacionit kombëtar, ashtu edhe në dialogun apo bisedimet që kanë për qëllim përfundimin e marrëveshjeve përkatëse mes palëve të interesuara në fushën e të drejtës detare, veçanërisht lidhur me ndarjen, përdorimin dhe shfrytëzimin e hapësirave të ndryshme detare. Po në këtë kuadër, në funksion të zgjidhjes se çështjes që shqyrton, normat dhe parimet e Konventës shërbejnë si orientim qendror edhe për vendimmarrjen e gjykatës apo të një arbitrazhit ndërkombëtar mbi konfliktet apo problemet e të drejtës ndërkombëtare detare.
82. Referuar standardeve të mësipërme, Gjykata konstaton se në marrëveshjen objekt gjykimi ka disa shkelje kushtetuese, të cilat në mënyrë të grupuar janë si më poshtë :
82.1 Përpara zhvillimit të bisedimeve duhej të ishin përcaktuar qartë hapësirat detare që duhej të delimitoheshin si dhe brigjet detare respektive mbi bazën e të cilave do të bëhej ky delimitim. Në këtë kuadër, duhej të ishte patur mirë parasysh natyra dhe statusi juridik i secilës prej hapësirave detare që do të delimitohej.
82.2 Marrëveshja objekt shqyrtimi mban titullin “Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Në fakt, siç rezulton edhe nga hartat respektive të paraqitura, në rastin konkret, të paktën përsa i përket Republikës së Shqipërisë, rreth 90% e hapësirave detare të ndara me Republikën e Greqisë janë Ujra të Brendshme dhe Det Territorial. Konkretisht, nga 150 rrathet që shërbejnë për delimitimin e kufirit detar nga pjesa fundore e Kanalit të Korfuzit deri në veri të tij, 140 prej tyre kanë rreze më të vogël se 12 milje detare. Pra, marrëveshja në fjalë nuk ndan Shelf Kontinental në kuptimin juridik, ashtu siç thuhet në titull, por kryesisht Ujrat e Brendshme dhe Detin Territorial. Mbi këto ujra, në hapësirën ajrore mbi to dhe në shtratin e detit dhe nëntokën poshtë këtyre ujrave, shteti shqiptar ushtron sovranitet të plotë territorial. Ato janë pjesë integrale e territorit të shtetit shqiptar, në një kohë që shteteve të tjera u njihet e drejta e lundrimit paqësor apo të drejta të tjera në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së mbi të Drejten e Detit. Eshtë e qartë se për shkak të distancës relativisht të vogël ndërmjet brigjeve respektive, marrëveshja objekt shqyrtimi në thelb merret kryesisht jo me caktimin e kufijve detarë në kuptim të përgjithshëm, por me përcaktimin e kufijve shtetërore në kuptim të mirëfilltë ndërmjet dy vendeve.
V. Lidhur me pretendimin për zbatimin e parimit të barazlargësisë strikte.
83. Kërkuesi pretendon se në përcaktimin e kufijve ujorë me Greqinë nuk duhet të ishte zbatuar parimi i barazlargësise strikte, pasi për shkak të brigjeve të thyera të territorit grek, ky parim ka passjellë një rezultat të disfavorshëm për shtetin shqiptar, i cili rezulton të këtë humbur sipërfaqe të konsiderueshme ujore.
84. Gjykata vë në dukje se hapësirat detare që përcakton Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit dhe mbi të cilat shteti bregdetar ushtron sovranitet apo të drejta sovrane, kanë natyrë, gjerësi dhe regjim të ndryshëm nga njëra tjetra. Megjithatë, e përbashkëta për këto hapësira është interesi i madh dhe shumëdimensional që ato kanë për shtetin bregdetar. Disa prej tyre konsiderohen pjesë integrale e territorit të shtetit bregdetar. Në të tjera shteti bregdetar ushtron të drejtat e sovranitetit dhe ka ekskluzivitetin e shfrytëzimit në përputhje me dispozitat e Konventës. Në këtë kuptim, është mëse e nevojshme përcaktimi i ratione materia dhe ratione loci të shtetit bregdetar në hapësirat detare që i përkasin atij. Për këto arsye, saktësimi i këtyre hapësirave, apo në një kuptim më të përgjithshëm përcaktimi i qartë i shtrirjes së juridiksionit të shteteve bregdetare me brigje pranë apo përballë njeri tjetrit, është një çështje sa e rëndësishme aq edhe e vështire e delikate. Ajo i shërben njëkohësisht edhe shmangies së mosmarrëveshjeve apo situatave të pasigurta në marrëdhënieve mes shteteve që lagen nga ujrat detare.

VI. Lidhur me pretendimin e mosmarrjes parasysh të pranisë së ishujve apo masave shkëmbore në përcaktimin e kufijve ujorë.
101. Kërkuesi ka pretenduar se në funksion të parimit të ekitesë, në delimitimin e kufijve ujorë, marrëveshja objekt gjykimi duhet të kishte patur mirë parasyh ndikimin që kanë me këtë rast ishujt apo masat shkëmbore. Mbi këtë bazë, sipas tij, veçanërisht problematik paraqitet rasti i ishullit (shkëmbit) Barketa, vija e kufirit përballë gjirit të Sarandës, etj.
102. Gjykata vëren se ndër faktorët kryesorë që duhen patur parasysh për të garantuar zgjidhjen e drejtë e të ndershme, të cilën synon parimi i Ekitesë për të gjitha hapësirat detare, janë prania e ishujve natyrorë, konfigurimi i bregut dhe gjatësia e tij , struktura fizike dhe gjeologjike e fundit të detit, burimet natyrore dhe akcesi në këto burime , etj.
103. Prania e ishujve natyrorë është një element shumë i rëndësishëm që ndikon dukshëm në delimitimin e kufijve (hapësirave) detare. Në fakt, në nenin 121 të Konventës, pasi përcaktohet në paragrafin e parë kuptimi i ishullit natyror, theksohet se edhe ato gjenerojnë si rregull të njëjtat hapësira detare si pjesët e tjera të territorit. Paragrafi i tretë i këtij neni bën qartë dallimin mes ishujve dhe shkëmbinjve, duke saktësuar së këto të fundit (pra shkëmbinjtë), kur nuk janë të banuar apo kanë aktivitet ekonomik, nuk mund të kenë ZEE apo Shelf Kontinental.

VII. Lidhur me pretendimin për mosparaqitjen e hartave analoge si pjesë shoqëruese e marrëveshjes.
109. Kërkuesi pretendon se grupi negociator gjatë zhvillimit të bisedimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe nuk ka qenë i pajisur me harta analoge me qëllim pasqyrimin e vijës që përcakton delimitimin e hapësirave detare midis dy vendeve.
110. Gjykata çmon se pretendimi i kërkuesit nuk është i bazuar dhe për këtë shkak nuk duhet pranuar. Neni 16 i Konventës për të Drejtën e Detit parashikon se “shtetet bregdetare do të bëjnë publikimin e duhur të hartave ose listave të koordinatave dhe do të depozitojnë një kopje të secilës prej hartave ose listave përkatëse tek Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara”. Përderisa kjo dispozitë parashikon si alternativë hartimin dhe publikimin (dorëzimin) e hartave dixhitale (nëpërmjet koordinatave gjeografike dixhitale), rezulton se shteti shqiptar e ka përmbushur detyrimin e tij në kuptim të nenit 16 të Konventës. Për këtë arsye, nuk konstatohet mungesë e hartave shoqëruese të marrëveshjes së lidhur midis RSh dhe RG.

VIII. Lidhur me kushtetutshmërinë e nenit 2 të marrëveshjes.
111. Pavarësisht se nuk është pretenduar nga kërkuesi, Gjykata vëren gjithashtu se neni 2 i marrëveshjes objekt shqyrtimi shfaq probleme kushtetuese. Ky nen parashikon se: “Në zbatim të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, Republika e Greqisë në anën e kufirit detar që ndodhet pranë Republikës së Shqipërisë dhe Republika e Shqipërisë në anën e kufirit detar që ndodhet pranë Republikës së Greqisë, nuk do të kërkojnë apo ushtrojnë për asnjë qëllim sovranitet, të drejta sovrane ose juridiksion mbi ujin, shtratin e detit ose nëntokën”.
113. Për sa më sipër, Gjykata çmon përfundimisht se marrëveshja e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, është e papajtueshme me Kushtetutën sa i takon çështjeve lidhur me: a) mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes; b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes; c) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm; ç) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

PËR KËTO ARSYE:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131 shkronja “b”, 134 shkronja “f” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; neneve 49/2 e 51 të ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, njëzëri,

V E N D O S I:
- Deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës të marrëveshjes së lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
- Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Nr.37/24 i Regj. Themeltar
Nr.15 i Vendimit
Tiranë, më 15.04.2010

16 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›