E Diel, 1 Nëntor 2026

Incesti i Migjenit me Bojkën dhe manipulimi me këtë histori

Dosja e Migjenit në Muzeun Historik në Shkodër dhe roli i S. Luarasit

Agron Luka

Vijon nga numri i kaluar

Në tërë këtë mesele, Skënder Luarasi dhe pasardhësit e tij pranojnë dhe pretendojnë vetëm një “kritikë”, të bërë “flakë për flakë” prej Luarasit ndaj Gjovalin Lukës, me datën 2 prill 1954, duke i “larë duart” nga një thelë edhe në Kritikën Zyrtare dhe nga disa letra të tjera... P. S. Luarasi, tek një artikull botuar te gazeta “Korrieri”, datë 23 nëntor 2005 dhe te një seri shkrimesh të fundit në internet, e përjashtonte kategorikisht dorën e Skënder Luarasit; madje, nuk pranonte as edhe ndonjë lloj konsulence e ortakërie verbale! Por, ja ta pyesim publikisht zonjën Angjeina Ceka (Luarasi): përse e ke hequr komplet nga Parathënia e botimit të vitit 2002, atë trockistin-stalinistin Corvus, alias Andrea Stefin, ortakun e Skënder Luarasit? Do ta tregoj unë, siç ta kam premtuar...

“Dosja Migjeni”, në Muzeun Historik të Shkodrës, Nr. 11, në Dokumentin Nr. 279, në konfrontim edhe disa materiale të tjera, po aty edhe gjetkë, na japin rastin të zbulojmë se njeri nga bashkautorët jo anonimë, tek “Kritikë dhe Bibliografi”, por që redaksia i bëri si anonimë (me kërkesën nga lart) ka qenë Vehbi Bala. Kopja daktilografike e autorësisë dhe e pjesës së tij, ndodhet në këtë fond dhe këtë dosje. Një bashkautor tjetër ka qenë Koço Bihiku dhe dorëshkrimi i tij mban edhe firmën e Skënder Luarasit. Një dorë e ka pasur edhe S. Luarasi, porse në fund të fundit, ai kishte mbetur i pakënaqur... Aty shohim dhe konstatojmë se kjo “mesele” na paska qenë akoma më e thellë. Gjovalinin e paskan mbrojtur S. Spasse, M. Gurakuqi, Dh. Fullani etj. Ishte zhvilluar përsëri më pas një diskutim i gjerë me dy seanca i kryesuar nga Gj Luarasi...

(Edhe Dh. Fullanit, pa asnjë lloj pendese, siç edhe mjaft të tjerëve, Skënder Luarasi do ia rregullonte qejfin me një letër spiunimi, që pati si pasojë një internim me urdhër të protektorit, M. Shehu... Dhe ky personalitet, S. Luarasi na quhet e na mbahet si “Disident i Vjetër”, si “Nderi i Kombit”, akorduar me Dekretin, Nr. 1467 nga Sali Berisha... i cili për vete ishte i katapultuar direkt nga Ramiz Alia...)

Në “Dosjen Migjeni”, në MHSH, gjendet edhe ajo fletoria/Quaderno, që Skënder Luarasi e quante edhe si radhua edhe si më popullorçe “Defteri i Sanatoriumit”... (shih fotoskanimin). Aty nuk duken kund gjurmë korrektimi nga vetë autori Migjeni. Përkundrazi, ka disa fletë të shtuara etj. Me këtë rast, po rikujtoj atë gridon e Gj. Lukës, në përgjigjen ndaj Kritikës Zyrtare të 1954: “Sa variante dorëshkrime origjinale ka në syndyqet misterioze i mistershmi Skënder Luarasi”?!

Ka ardhur koha që historia e vërtetë, historia e kritikës letrare, historitë e dhimbshme dhe kontributet e sa e sa njerëzve të rishkruhen, siç e meritojnë; ka ardhur koha që drejtësia të vendoset më në fund në këtë vend, duke hequr dorë nga inercia staliniste, inercia orientale dhe enverhoxhiste. Pas kritikave dhe hedhjes poshtë totalisht të Gjovalin Lukës në vitin 1955, S. Luarasi u vu në punë për të shkruar variantin e tij, trockisto-stalinist. (Shih E. Hoxha, Ditar, 1955-1957, Vëll I, f 77)

Kongresi i XX i Partisë Komuniste të BRSS dhe “Raporti” i Hrushovit ia dogji kartat në dorë aventurierëve hoxhistë e shehistë të PPSH-së dhe lakenjve të tyre. Shihni e gjykoni vetë! Ku është sot i ruajtur ky dorëshkrim me anëshkrimin “largë”, kaq me rëndësi të madhe kapitale, që e paska pasur në dorë “kritikuesi” dhe Kritika Zyrtare e revistës Nëndori, në vitin 1954?! Ku ishte vetë “interpreti”, S. Luarasi; pse nuk mbajti qëndrim ndaj këtij falsifikimi kaq banal, ndaj një akuzimi kaq ekstrem në kurrizin e Gjovalin Lukës?! Përse nuk e ndryshoi vetë S. Luarasi në botimin e 1957, fq. 105, këtë varg?! Përse nuk i tha së paku dy fjalë, sepse këtu ndryshonte jo një mendim i thjeshtë me përdhunë, nuk ishte punë bragashash, por një histori e tërë, një ideologji e tërë, një dogmë e pandryshueshme e armiqësisë së përjetshme e luftës së klasave, duke përdhunuar edhe vetë teorinë marksiste! Dhe çfarë ndryshimi marshallah, që nuk kishte të krahasuar me ato “bragashat e Studentit Nush”, që ishin si “mustaqet e Çelo Picarit”!

Po, hë, ku ishte Perëndimi dhe vetë BRSS, kur Italia fashiste iu hodh në grykë Shqipërisë së gjorë, për të sjellë 5 milion kolonë italianë dhe kur Zogu I ia la peshqesh Italisë komunistët e Organizatës Komuniste të Shqipërisë në burgun e Beratit?! Dhe “Shoku i Prangave” i Qemal Stafës dhe bashkautori i asaj këngës së “Frontit Popullor” me Qemal Stafën, ka qenë Gjovalin Luka! Aso kohe E. Hoxha gjezdiste pa viza dhe dëfrehej në Itali... Lufta e II evropiane e botërore në fakt e kishte filluar Parathënien me pushtimin e Shqipërisë...

Edhe tek vjersha “Pak Poezi”, krahas miratimit të ankesës së “anonimit”, shihej se, E. Hoxhës edhe aty nuk i kishte pëlqyer interpretimi i Gj Lukës! Djaloshi 23-vjeçar Lili dashuronte vajzën e tezes, Lilushën. Kjo dashuri, sikur të ishte reale dhe të kalonte në kontakte seksuale, për moralin tradicional shqiptar, do të ishte një mëkat i madh, një incest, një flligshti në gjak, madje ishte e dënueshme edhe me zhdukje fizike. Por, edhe sikur të ishte si një dashuri fillestare infantile, si një tentacion, madje edhe si mendim si erotikë ose si dashuri platoniane, kjo ishte një mëkat për moralin fetar! Por thuhej se një lloj morali tjetër e lejonte, e lejonte edhe morali i degjeneruar edhe arti dekadent borgjez. Ndërsa “realizmi socialist” nuk kishte kohë për të humbur për drama të tilla sentimentale me përshkrime psikologjike... Por, shkrimtari ynë realist kritik, jo vetëm që i hyn t’a përshkruajë si rast i veçantë, sepse e ka për detyrë ta përshkruajë, por do të përpiqet edhe ta justifikojë, ta mbrojë, t’i bëjë avokaturën. ǒti bësh! Çështje zemre, dëshirë e papritur seksi nën shkëlqimin verbues të kofshës së bardhë... nuk pyet momenti, instinkti, dhe nuk pyet as ndenja. Ndenja lind ashtu vetvetiu... justifikohej Migjeni. Ah, buzët e kuqe, sytë e kaltër... Por, e ka kushërirë dhe ai e di fare mirë se nuk lejohet, edhe ajo e di... luftë e brendshme... ai gati e puthi...

Çfarë emri ka kjo lloj dashurie kaq pasionante, sepse as platonike e mirëfilltë nuk është, as ai instinkti i fshehtë shtazarak nuk hyn... sytë e kaltërt, shikimi diskret/i përmbajtun i nënkuptuar... Drama zgjidhet “Deus es machina”. Lili transferohet në një qytet tjetër, por flaka djegëse, tërë qenia e Lilushës mbeti e memorizuar në mendjen e tij, në imazhet në dhomat e errëta të fotove që aparati i trurit i ruan.

Dhe sytë e kaltërt, po ashtu i kishte edhe Z. B.... Dhe kjo nuk ishte një rastësi koincidencë, te Lilusha po ato sy, qëllimisht i kishte vendosur vetë Migjeni! Te Z. B., Migjeni kishte pasur parasysh një dashuri reale personale që sapo i ishte ndezur me një vajzë. Dhe, në fakt kjo dashuri filloi të përflitej me gjallje të Migjenit dhe u amplifikua edhe më pas vdekjes së Migjenit! Gjovalini e komentoi sa më shkurt që mundi vetëm me një fjali dhe nuk përgojoi asgjë: “Vjersha i drejtohet një vajzës që dashuronte Migjeni”. Kaq ishte komenti, as emrin nuk ia përmendi, megjithëse e dinte se kush ishte. (Shih, Z. B, tek bot. 1954, shën 1, f 65)

Sipas interpretimit të Gjovalin Lukës, te proza “Pak poezi”, ndonëse jo identikisht, Migjeni përsëri kishte pasur parasysh diçka nga vetia e vet, në dashurinë që ushqente ndaj Z.B. Gj. Luka sigurisht e dinte se kjo ishte Bojka Nikolla. Edhe dukej sikur Migjeni me këtë rast kishte përshkruar pikërisht atë variantin më ekstrem, për të cilin e përgojuan. Edhe vetë emrat e ngjashëm të koinciduar, Lili e Lilusha, të kujtonin mbiemrat e ngjashëm M. Nikolla dhe B. Nikolla. Ndoshta, ndoshta, që të mos i nxiste dhe justifikonte edhe me një farë mënyre, edhe më tepër ato zërat përgojues, Migjeni nuk e botoi prozën “Pak poezi”.

Dikush kishte pëshpëritur se këtë vajzë, Z. B., Migjeni e kishte pasur si kushërirë të vetën të largët... Kaq u desh që ky lajm të përhapej në një qytet fanatik anadollak të mbushur plot me thana-thaça, për dy arsye: Nga fama e poetit ateist dhe nga bukuria e Bojkës. Thuhej se disa klerikë ekstremistë për t’u hakmarrë për shkrimet ateiste, për shkrimet për heqjen e ferexhesë e kundra murgeshave etj., ia ngjitën Migjenit këtë shpifje. Dhe jo vetëm kaq, por kjo donte të tregonte se komunistët nuk kishin pikë morali, donin të prishnin familjen dhe rregullin tradicional, se mund të martoheshin edhe me kushërirat e me motrat!

Mirëpo, “tjetër kund flinte lepuri” në vitin 1954. E. Hoxha e hoqi novelëzën, “Pak poezi” dhe komentin e saj, sepse ishte herët për të tilla kërkime arkeologjike të “kritikës letrare”... Në vitin 1951, ai e përkujtoi paksa edhe Bojkën e bukur, me sy të kaltërt, nusen e Spiro Lazrit e cila qysh në verën e vitit 1940 edhe më herët ua kishte lëshuar shtëpinë...

Në qoftë se Lili ndërroi qytet, edhe Migjeni ndërroi qytet. Bojkës i kishte thënë me një letër serbisht se, po shkonte me studime në Torino, në Itali..., por atje vdiq duke luftuar me TBC... Edhe Bojka ndërroi qytet. Vajti edhe në Beograd, derisa përfundoi në Tiranë...

Në Tiranë, komandanti i fryrë priste edhe sekretare rinie jugosllave, shtatlarte, bionde që ia dërgonte Titua. Kishte edhe pëshpëritje.... Edhe vetë Nexhmija nuk përmbahej nga xhelozia...

Por, nisur qysh nga viti 1951, kishin filluar edhe pëshpëritje se, ish zonjushëzën e dikurshme, Bojkën e Migjenit, fare pa iniciale, na e kish njohur hollë e kishte bujtur edhe në shtëpinë e saj, komandanti ynë legjendar Enveri, së bashku me Vasil Proletarin e “njësiteve guerrile atentatore”... Bile kishte qenë Vasua që ia kishte prezantuar shokut Enver, si një kushërirë të tijën dhe shtëpinë e saj si një bazë, ku të fuste kokën në ditë të vështira. Një të tillë bazë Enveri e kishte edhe te e motra e K. T., andej nga Lana, dhe aty u përplas rastësisht dhe bëri edhe një polemikë historike me “frikacakun” K. T: “ǒdo ti mo. Nuk jam në shtëpinë tënde, kam ardhur se më ka ftuar vetë motra jote”...

Gjovalini këto edhe plot pëshpëritje të tjera për moralin pervers të Enver Hoxhës i kishte dëgjuar e mësuar në Tiranë, pasi nga shtatori i vitit 1945 ishte transferuar atje... (Gj. L, vdiq në moshën 59-vjeçare më 1980)

Vijon në numrin pasardhës

16 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›