Raporti i ACIT: Eksportet shqiptare ranë me 8 % në vitin 2009
Ervin KOÇI
Tregtia shqiptare dhe eksport-importet u prekën nga kriza vitin e kaluar në disa sektorë kryesorë. Për këtë nevojitet një koordinim sa më efikas i të gjitha politikave dhe projekteve që mbështesin eksportuesit. Ky ka qenë konkluzioni i raportit të Qendrës Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), që ka bërë një vëzhgim mbi zhvillimin ekonomik për vitin 2009. Në raport thuhet se, “janë ngadalësuar eksportet shqiptare drejt vendeve të tjera dhe se ende janë prezent faktorët që ndikojnë në rënien e tregtisë shqiptare”. Në prezantimin e raportit të ACIT ishin të pranishëm dhe Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, si dhe Drejtori i Misionit të USAID në Shqipëri, Joseph Williams. Ky i fundit tha se, “edhe pse deficiti tregtar i Shqipërisë nuk u thellua vitin që shkoi, pati një rënie të rëndësishme të eksporteve shqiptare”. Sipas drejtorit të USAID-it vërejti se ekonomia shqiptare ka ende probleme duke përmendur këtu, deficitin e tregtisë. Ai theksoi se, është urgjente nevoja për krijimin e Gjykatës Administrative, për të mbështetur në këtë mënyrë biznesin dhe konkurrueshmërinë. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Prifti, komentoi gjithashtu sfidat me të cilat përballet tregtia në Shqipëri. “Kjo thekson nevojën e menjëhershme për të përmirësuar konkurueshmërinë e produkteve në tregjet e brendshme dhe të huaja”,- tha Prifti. Tryeza, e financuar nga USAID, mblodhi përfaqësues nga firma dhe organizata të biznesit, agjenci qeveritare, OJF-të, media dhe agjenci ndërkombëtare, për të diskutuar gjetjet e Raportit të Tregtisë së Jashtme 2009.
Raporti
Raporti jep të dhënat e fundit mbi rritjen makro-ekonomike dhe tregtinë për politikëbërësit dhe përfaqësuesit e bizneseve për strategjitë dhe vendimet për investimet në të ardhmen. “Rënia e eksporteve shqiptare me 8 për qind gjatë vitit të kaluar, tregon se Shqipëria mund të jetë duke humbur terren në avantazhin konkurrues të sektorëve kryesorë eksportues (fason), si psh këpucët (5 për qind rënie). Kjo situatë kërkon një mbështetje më të vendosur për këta sektorë nga politikëbërësit por gjithashtu një rritje të ndërgjegjësimit të bizneseve mbi nevojën për të diversifikuar tregun e tyre”,- theksoi Gentian Elezi, drejtor i ACIT, gjatë prezantimit të tij. Ndërsa ministri Prifti duke vlerësuar raportin e ACIT-it, u shpreh se Qeveria Shqiptare ka krijuar kushte te favorshme në mbështetje të biznesit. ACIT u themelua në 2002 dhe në 2009 u regjistrua si një OJF e pavarur që ofron informacion mbi tregtinë dhe shërbime konsulence mbi çështjet e politikave ekonomike. Drejtori i USAID-it në Shqipëri, Jozeph Williams vlerëson se ekonomia shqiptare duhet të bëhet konkurruese në tregjet e brendshme dhe të huaja.
Vlerësimi i USAID
Institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që monitorojnë proceset ekonomike në vendin tonë vlerësojnë se qeveria shqiptare ka përmirësuar klimën për biznesin dhe se treguesit ekonomik janë pozitivë. Vlerësimi i dhënë nga Drejtori i USAID-it në Shqipëri, Xhozeph Williams, gjatë prezantimit të raportit të ACIT, tha se të dhënat e pasqyruara në të kanë mjaft tregues pozitivë për ekonominë shqiptare. Ai shprehu kënaqësinë për zhvillimet pozitive në Shqipëri në shumë fusha të ndryshme, por sidomos në atë ekonomike. Williams shprehu konsideratë dhe për profilin administrativ në fushën ekonomike të ministrit Dritan Prifti. “Shqipëria është me fat që ka një ministër të staturës së zotit Prifti. Qeveria ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe në lehtësinë e bërjes biznes. Të dhënat e raportit do të ndihmojnë qeverinë dhe ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Aty ka mjaft tregues pozitivë që flasin për ekonominë e Shqipërisë”,- u shpreh drejtori i USAID-it, Xhozeph Williams. Programet e USAID ndihmojnë në përforcimin e kapaciteteve të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme për të përmirësuar produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e tyre
BOX//////////////////////////////////
Prifti: “Ekonomia shqiptare po paraqet nivel të mirë”
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, vlerësoi raportin e ACIT si mjaft të rëndësishëm dhe me vlerë për qeverinë shqiptare, pasi në të paraqiten në mënyrë serioze të dhëna realiste dhe krahasuese me shumë vende të botës. Ai tha se, mbi këtë raport duhet të nxjerrin detyra dhe të reflektojnë të gjithë ata që merren me politikëbërje, madje dhe opozita. Duke u ndalur te raporti i ACIT, “Tregtia e Jashtme e Shqipërisë në 2009”, ministri Prifti vlerësoi faktin se, të dhënat krahasuese të tij tregojnë se ekonomia shqiptare ka vazhduar të rritet në kushtet e një krize globale, në një kohë që shumë vende të rajonit, por edhe vende të tjera në botë, janë përballur me efektet e krizës dhe kanë pësuar rënie ekonomike. “Ekonomia shqiptare paraqet një nivel të mirë të saj, megjithëse eksportet janë ulur me nivelin prej 8 për qind, ndërsa importet me 1.8 për qind. Ky raport tregon që në kushtet e një krize të vështirë për të gjithë botën, Shqipëria ka arritur të tregojë performancë të lartë ekonomike, ka arritur t’i mbijetojë goditjeve që vende të tjera, shumë më të mëdha e të forta si kanë përballuar lehtë, por i kanë përballuar me rënie të theksuar ekonomike. Nëse shohim tabelën krahasuese të shumë vendeve konstatojmë që BE-ja ka pasur rënie ekonomike 4 për qind gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që rritja ekonomike në Shqipëri është 3-4 për qind. Vende si Amerika, Franca, Italia, Gjermania, Greqia kanë pësuar një rënie prej 5 deri në 5.5 për qind gjatë vitit të kaluar, kurse ne kemi arritur të rritemi dhe jo të biem”,- theksoi Prifti.
16 Prill 2010