Hagë, nis përplasja juridike për pavarësinë e Kosovës
Dje në Hagë ka nisur zyrtarisht beteja mes Kosovës dhe Serbisë për të paraqitur secila argumentet e veta në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, proces i cili nuk do të imponojë vendimin për asnjë vend, por besohet se do të ndikojë për mirë apo për keq në rrjedhën e njohjeve të Republikës së re. Autoritetet e Prishtinës këmbëngulin se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Ndërsa ata të Serbisë këmbëngulin për të kundërtën. Delegacioni i Serbisë u udhëhoq nga ambasadori i këtij vendi në Francë, Dushan Batakoviç. “Kur bëhet fjalë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, deklarata unilaterale e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, siç e cilësoi ai shpalljen e pavarësisë së Kosovës, sfidon rendin ndërkombëtar dhe parimin e integritetit territorial”, tha ai. Ai e ka cilësuar Kosovën si “djep të Serbisë”. “Deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial”, ka thënë Batakoviç, për të shtuar se “megjithatë, Serbia do të kërkojë zgjidhje fleksibile dhe praktike për Kosovën”. Batakoviç është bazuar në Rezolutën 1244. Ai akuzoi të dërguarin e Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, dhe disa vende të caktuara se “kanë bërë presion që pavarësia të imponohet si zgjidhje”. Në mbyllje, Batakoviç ka thënë se “Serbia është e bindur se kur GJND-ja të japë mendimin e vet këshillë-dhënës, vetëm atëherë do të krijohen kushte për bisedime të reja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për statusin e Kosovës”. Ndërsa pala kosovare drejtohej nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. “Kosova është e përkushtuar ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe për parimet e demokracisë, sekularizmit, multi-etnicitetit dhe jo-diskriminimit”, tha Hyseni, në paraqitjen e tij në GJND. Fillimisht Hyseni ka folur për pozitën në të cilën gjendet Kosova sot, për të ofruar, siç ka thënë, substancë të rëndësishme për këtë proces. “Kemi një Kushtetutë moderne, e cila reflekton standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave. Ligjet e miratuara mbulojnë fusha të rëndësishme të parashikuara në Planin Ahtisari, si decentralizimi i qeverisjes lokale, mbrojtja e të drejtave të pakicave, dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare”, tha Hyseni. Ai komentoi edhe zgjedhjet vendore të 15 nëntorit, duke u mbështetur në vlerësimet e misioneve vëzhguese, të cilat i cilësuan si të lira, të drejta dhe demokratike. Ai theksoi anëtarësimin e Kosovës në FMN dhe BB. “Ne sot jemi në paqe, por ne nuk mund dhe nuk duhet të harrojmë krimet kundër njerëzimit dhe terrorin që është ushtruar mbi popullin e Kosovës; këto nuk duhet të përsëriten asnjëherë”, tha Hyseni. “Ne shikojmë nga dita kur do të mund të zëmë vendin tonë si Anëtar i Kombeve të Bashkuara”, theksoi ai. Duke vlerësuar kërkesat e Serbisë për negociata të mëtejshme për çështjen e statusit, ai i ka cilësuar ato si të pamundshme dhe të padobishme dhe se “mund të prodhojë konflikt të ri në rajon”. Ai ia ka rikujtuar Gjykatës edhe faktin se më 2005, “ka pasur një pajtueshmëri të gjerë brenda bashkësisë ndërkombëtare se status quo-ja në Kosovë ishte e paqëndrueshme. Pas dy dekadash izolimi, lufte dhe pasigurie politike ishim të rraskapitur. Ata të cilët sot thërrasin për ripërtëritje të negociatave janë ose të pavetëdijshëm për situatën ose, edhe më keq, kërkojnë aktivisht që të destabilizojnë rajonin”, tha ministri kosovar. Deklaratën e Pavarësisë, Hyseni e cilësoi si “manifestim dhe realizim të vullnetit politik të popullit të Kosovës”. Hyseni është shprehur se populli i Kosovës ende dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë.
Hyseni: Gjykata do ta rikonfirmojë pavarësinë
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, tha dje në Hagë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të rikonfirmojë pavarësinë e Kosovës. “Ajo që dëgjuam ishte vetëm rikonfirmim i të drejtës së rastit të Kosovës dhe të pavarësisë së Kosovës”, u tha ai gazetarëve në Hagë, pasi Serbia e paraqiti fjalën e saj. “Ne jemi të sigurt se gjykata në fund do ta rikonfirmojë vullnetin e Kosovës për të qenë e pavarur dhe vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”, tha Hyseni.
Jeremiç: GJND do ta mbështesë Serbinë
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç ka shprehur bindjen se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta mbështesë përpjekjen e Serbisë për kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. “Ne presim që ligji ndërkombëtar të respektohet. Pavarësia e Kosovës ishte thjesht ilegale, dhe ne i besojmë drejtësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar Jeremiç për agjencinë e lajmeve, AFP. Gjykata në Hagë nuk pritet të japë ndonjë vendim të detyrueshëm, por vetëm mendim këshillëdhënës.