E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Xhenovës dënon dy shqiptarët për pengmarrje

 

ITALI – Një gjykatë e shkallës së dytë në Itali vendosi deklarimin fajtor dhe dënimin me një total prej më se 23 vjetësh burg për dy kushërinj shqiptarë të akuzuar për “rrëmbim personi me qëllim grabitjen”. Vendimi i togave të zeza të Gjykatës së Apelit të Gjenovës që ka deklaruar fajtor kushërinjtë Leonard dhe Ervin Myrtaj ka lanë në fuqi vendimin e dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit pak muaj më parë. Dy të afërmit dhe një shqiptar i tretë, i cili po gjykohet në një proces të veçuar, akuzohen për rrëmbimin me pasojë grabitjen të një biznesmeni në zonën e Ligurias në Itali në janar të vitit të kaluar. 
Lajmi për dënimin e shqiptarëve u publikua dje nga agjencitë italiane të lajmeve, të cilat bënin të ditur përfundimin e gjykimit të të afërmve Myrtaj në gjykatën e shkallës së dytë të Gjenovës. Sipas vendimit të togave të zeza të kryesuara nga gjyqtari Karlo Kaboara, i pandehurit Leonard Myrtaj u dënua me 16 vjet dhe 11 muaj heqje lirie. E njëjta trupë gjykuese vendosi dje dënimin me 6 vjet dhe 11 muaj heqje lirie për Ervin Myrtajn.  Përpara arrestimit Leonard Myrtaj, 30 vjeç dhe Ervin Myrtaj, 28 vjeç qëndronin si emigrante me leje të rregullt qëndrimi në Itali. Bëhet e ditur se ngjarja për të cilën tre shqiptarët, dy prej të cilëve të dënuar dje nga Apeli, përfunduan në qeli është regjistruar në 17 janar të vitit 2008 në zonën e Moneglias në Itali. Në këtë ditë, në bashkëpunim me njëri tjetrin, ata kanë rrëmbyer shtetasin Italian Xhuzepe Boneti, 32 vjeç, një sipërmarrës i mesëm ndërtimi rezident në Gjenova. Sipas dyshimeve të atëhershme, rrëmbimi kishte si motiv një pagesë të pakryer ndaj njërit prej tre shqiptarëve të akuzuar për rrëmbimin e tij. Policia e vendit fqinj u mobilizua rrufeshëm ndaj ngjarjes dhe pak orë më pas ata arritën të zbulonin vend ndodhjen e rrëmbyesve dhe të biznesmenit. Pas lirimit të biznesmenit, ata prangosën kushërinjtë Myrtaj, si edhe Hysen Domin, shqiptar, si bashkëpunëtor në grabitje. Gjatë gjykimit në shkallën e parë, për dy kushërinjtë prokuroria kërkoi deklarimin e tyre fajtor dhe dënimin me një total prej 32 vjetësh burg. Për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar ata u dënuan me rreth 23 vjet heqje lirie, vendim i cili u la në fuqi dje nga Apeli. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›