Plagoset gruaja gjatë grabitjes në Tiranë
TIRANE - Një grua 63-vjeçare ka rënë pre e dhunës së grabitësve mbrëmjen e të hënës teksa ka qenë duke u kthyer në shtëpi. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet, vetëm disa metra larg banesës së Katerina K. Burime nga policia thanë se e moshuara është sulmuar nga një person i panjohur, i cili ka pasur si qëllim grabitjen e saj, por në momentin që ka hasur në rezistencë nuk ka nguruar që ta qëllojë me gurë, duke e lënë të plagosur. Pasi e ka goditur deri sa ajo ka rënë në tokë, grabitësi ka arritur t’i marrë çantën, ku sipas deklarimeve ajo kishte 20 mijë lekë të vjetra dhe dokumentet personale, si dhe një telefon celular. Më pas ai është larguar nëpër rrugicat e errëta, pa arritur që të identifikohet ende nga policia. Katerina K. ka marrë disa plagë të lehta në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, por ka mundur që të shkojë në shtëpi dhe t’i telefonojë sallës operative të Policisë së Tiranës. Disa oficerë të seksionit të Vjedhjeve kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe më pas kanë marrë edhe deklarimet e gruas së sulmuar, të cilës i dukeshin qartë shenjat e dhunës. Sipas policisë nga deklarimet e Katerina K. mësohet se ajo është qëlluar me gurë dhe sende të tjera të forta nga një person, i cili i ka vjedhur çantën. Por ajo nuk ka mundur që të fiksojë asnjë tipar dallues të grabitësit, duke qenë se në momentin e ngjarjes ishte errësuar. Policia ka fiksuar disa shenja të agresorit dhe është vënë në ndjekje të autorit për identifikimin dhe arrestimin e tij. Gjithashtu mësohet se 63-vjeçarja nuk e ka pasur të nevojshme të shkojë në spital, por e ka marrë ndihmën mjekësore në shtëpi, duke qene së plagët kanë qenë të lehta dhe pa ndonjë rrezik për shëndetin dhe jetën e saj.