E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Kushtetueses, statusi zgjidh lejet e gjyqtarëve

 

Fatos Mahmutaj

“Statusi i gjyqtarëve do t’iu japë zgjidhje të gjitha problemeve aktuale të gjyqësorit, përfshi edhe kufizimin e lejeve vjetore për togat e zeza, të cilat pak muaj më parë i rrëzoi Gjykata Kushtetuese”.Deklaratën e bëri dje Artur Kalaja, kryetari i Unionit të Gjyqtarëve Shqiptarë, shoqatë e cila tashmë i ka dhënë dorën e fundit draftit për statusin e gjyqtarëve dhe po bën lobin, për ta kaluar këtë ligj në Komisionin e Ligjeve. Duke komentuar këtë Kalaja pohoi dje se Statusi i Gjyqtarit, synon pavarësinë e gjyqësorit duke përmbledhur në vetvete të gjitha ligjet për gjyqësorin. Ndërsa duke folur rreth shoqatës që drejton Kalaja tha se kjo organizatë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të rregulluar problemet e dy ligjeve të rëndësishme ai që kishte të bënte me problemet e makinave për zyrtarët, të cilin u arrit të pezullohej, ndërsa për ligjin që kishte të bënte me lejet e togave të zeza, Unioni u rrëzua në Kushtetuese. Kalaja komentoi dje edhe organizimin e Konferencës Gjyqësore më datë 5 dhjetor. Sipas tij ftesës së Unionit i ishin përgjigjur të gjitha togat e zeza shqiptare, të cilët kishin konfirmuar pjesëmarrjen. “Tashmë mbetet në dorë të gjykatësve për të zgjedhur apo jo anëtarët e KLD-së më datë 5 dhjetor, apo thjesht në këtë mbledhje do të caktohet një datë tjetër për të bërë zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së”, pohoi Kalaja, duke shtuar faktin se jo gjithmonë mbledhjet e Konferencës Gjyqësore kanë qenë zgjedhore. Sipas tij më datë 5 dhjetor janë vetë gjyqtarët ata që do vendosin për rendin e ditës të kësaj mbledhjeje dhe më pas për t’i dhënë zgjidhje situatës në KLD, ku duhet të zgjidhen katër anëtarë për të plotësuar vendet bosh. Kalaja pohoi se suksesi i Unionit ishte fakti që provokoi këtë mbledhje dhe ia arriti qëllimit duke e realizuar atë. Në fund, kreu i Unionit të Gjyqtarëve, duke iu referuar një prononcimi, një ditë më parë, të kryetares së Shoqatës së Gjyqtarëve Manjola Bejleri, tha se i vinte mirë për mbështetjen që shoqata tjetër u kishte ofruar atyre për projekt-statusin. Kalaja tha se siguronte shoqatën tjetër se Statusi i Gjyqtarit do të përfshinte në vetvete pavarësinë e gjyqësorit, si dhe u jepte fund problemeve më akute që shqetësojnë aktualisht pushtetin gjyqësor. Ndërsa Bejleri, një ditë më parë, pohoi se shoqata e drejtuar nga ajo, i jepte prioritet problemeve që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësorit, ndërsa statusi sipas saj duhet të diskutohej më pas. Ndërkohë një pjesë të mirë të problemeve nga të cilat vuan pushteti gjyqësor aktualisht, pritet t’iu jepet rrugëzgjidhje në mbledhjen e së shtunës kur togat e zeza të Shqipërisë do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët në mungesë të ligjit për KGJK.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›