E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabrika e Çimentos, 800 gr tritol alarmojnë policinë

 

FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI

I vihet eksploziv Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë. Sipas policisë, sasia prej rreth 800 gramë tritol u gjet rreth orës 18:30 të së hënës, e vendosur në ambientet e brendshme të fabrikës. Por fatmirësisht lënda ishte e paaktivizuar, pasi duket se autori ka qenë amator. Nëse lënda me peshë të konsiderueshme do të kishte shpërthyer, atëherë një pjesë e kësaj fabrike do të ishte hedhur në erë, ndërsa jeta e rojeve do të vihej në rrezik. Specialistët xhenierë mbërritën mbrëmjen e së hënës në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë nga rojat. Eksplozivi ishte vendosur në afërsi të peshores së fabrikës në një distancë vetëm dhjetë metra nga vendi ku tre ditë më parë u vra 20-vjeçari Abdul Zalla nga roja i fabrikës, Llesh Rica. Sipas policisë personi ende i paidentifikuar, në momentin që ka ndezur fitilin zjarrpërcjellës nga kallëpet e tritolit, i ka dalë jashtë kontrollit kapsolla. Për pasojë shpërthimi i kësaj kapsolle, e cila do të kryente edhe aktivizimin e lëndës plasëse, ka ndodhur në distancë nga tritoli, duke mos bërë të mundur aktivizimin e saj. Pas plasjes së kapsollës, rojet e fabrikës shkuan afër vendit dhe konstatuan lëndën e vënë. Ata vunë në alarm menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes pas pak minutash. Sipas policisë së Krujës, lënda plasëse ishte vendosur afër vendit ku të dielën e kaluar u vra një 20-vjeçar në tentativë për të vjedhur çimento. Blutë nuk përjashtuan pistën që të afërmit e viktimës mund ta kenë vënë tritolin në shenjë hakmarrjeje. Për këtë shkak janë shoqëruar disa të afërm të viktimës, por pasi u morën në pyetje ata u lanë të lirë. Ndërsa ende nuk ka prova për të ndaluar persona konkretë, policia ngren dhe pista të tjera të hetimit. Kjo për shkak se në këtë fabrikë janë shënuar disa herë incidente dhe shpërthime eksplozivi. Shkak i këtyre iniciativave dyshohet të jenë bërë konfliktet e vazhdueshme në lidhje me pronësinë në truallin ku është ndërtuar kjo fabrikë. Sipas policisë, nuk shmanget pista që keqbërësit të kenë shfrytëzuar pikërisht vrasjen e të riut tre ditë më parë, për të hedhur në erë fabrikën dhe për të humbur gjurmët më pas. Grupi i hetimit deklaroi se nuk përjashton asnjë pistë dhe se është duke punuar për të identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje që mund të kishte precipituar me pasoja të rënda.
Burimet bënë të ditur se për të larguar sasinë e tritolit dhe më pas për të kryer ekspertizën kanë ardhur në ndihmë edhe specialistët xhenierë. Mbi lëndën plasëse janë fiksuar edhe shenjat e gishtërinjve të autorit që tentoi ta aktivizojë atë. Shenjat janë çuar në laboratorin e kriminalistikës, nga ku do të kryhet edhe krahasimi i tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›