E Shtunë, 31 Tetor 2026

CEZ: Në 6-mujorin e fundit u ul numri i ankesave

Përmirësim pas rritjes së masave disiplinore dhe kontrollit.

Qytetarët që kanë probleme që lidhen direkt me shpërndarjen e energjisë kur vjen fjala te mbifaturimet, lidhje kontrate të re, dëmtim të sahatit apo çdo informacion të kësaj natyre, mund të interesohen te qendrat e kujdesit ndaj klientit, një risi kjo e sjellë nga CEZ Shpërndarje. Edhe pse tashmë u bë kohë që këto qendra funksionojnë, nga tetori i vitit 2010, qytetarët shpesh nuk kanë informacion mbi shërbimet që ofrojnë këto qendra. CEZ Shpërndarje aktualisht ka në gjithë Shqipërinë 43 qendra të kësaj natyre, ku qytetarët mund të gjejnë shërbime të tilla si: informacion, paraqitje kërkese për lidhje kontrate të re apo mbyllje kontrate të vjetër, ankesë për keqfaturim, apo edhe burokraci të tjera të kësaj natyre. Këto qendra janë të hapura  nga ora 08:00-20:00 në gjashtë ditë të javës.
Ankesat
Një ndër arsyet e hapjes së QKNK ka qenë marrja e informacionit dhe zgjidhja e ankesave të qytetarëve. Në shifra, kompania CEZ Shpërndarje sqaron se mesatarisht në muaj rreth 10.000 abonentë, ose rreth 0.5% e portofolit, i drejtohen këtyre qendrave për shërbime të ndryshme, si kërkesa për lidhje të reja, kërkesë për ndryshim të dhënash, aplikim për pagesë me këste të debisë, ankesa etj. Numri i ankesave në muaj varion diku te 4000 në rang vendi, apo 0.3 për qind e portofolit, e përfshin edhe ankesat për keqfaturim apo mbifaturim, që variojnë diku te 1800 2000 në muaj në rang vendi. Ky tregues ka njohur përmirësime në tremujorin e fundit të 2011-s dhe në tremujorin e parë të 2012-s, kjo referuar masave disiplinore që kompania ka ndërmarrë dhe rritjes së sistemeve të kontrollit, si gjatë procesit të leximit të abonentit, ashtu dhe gjatë përpunimit të informacionit. Rreth 70 % e ankesave për keqfaturim apo mbifaturim të regjistruara gjatë 2011-s i janë referuar faturave të periudhave 2007-2009. Nga analizat që CEZ bën lidhur me ankesat për mbifaturime, rezulton që në 40 për qind e tyre, ankesa e abonentit nuk qëndron.
Pagesat e faturave
CEZ Shpërndarje ka krijuar të gjitha mundësitë e pagesës për qytetarët, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata para arkave. Çdo klient që ka një llogari bankare mund ta paguajë faturën e energjisë nga shtëpia apo zyra e tij, nëpërmjet shërbimit Direct Debit, apo e-payment. Për ata që këtë procedurë e shohin si të komplikuar, mund të drejtohen edhe pranë bankave apo qendrave të Postës Shqiptare. Përkundër gjitha mundësive të krijuara, jo pak herë ndodh që të bëhen radhë të gjata në arkat e CEZ-it. Lidhur me këtë, kompania CEZ Shpërndarje thekson se faji duhet ti shkojë mentalitetit që fatura paguhet ditën e fundit. Me gjithë mundësitë e ofruara, do të ishte mirë që pagesa e faturës të bëhej në një afat më të hershëm se dita e fundit e muajit pasardhës, pasi në fakt fatura mbërrin te qytetari që pas 10-ditëshit të parë. Një tjetër mundësi që CEZ u ka dhënë klientëve të saj, është edhe ajo e aktmarrëveshjes për pagesën pjesore të detyrimit. Këto aktmarrëveshje mund të realizohen në të gjitha qendrat e shërbimit ndaj klientit, duke eliminuar kështu pritjen në radhë të gjata, si dhe duke shmangur vonesat në pagesë dhe penalizim me kamatë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›