E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi firmos lëvizjen e 25 prokurorëve, 11 në Tiranë

Presidenti Topi dhe Ina Rama

Shtohet organika edhe në Prokurorinë e Durrësit dhe atë të Fierit.

Ina Rama: Transferimet, përgjigje për volumin e punës.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, firmosi dje 25 ndryshime në Prokurori. Me propozim të kryeprokurores Ina Rama, kreu i shtetit ka shtuar me dhjetë prokurorë numrin organit të Prokurorisë së Tiranës, ndërsa ka bërë edhe transferime në rrethe, kryesisht në Durrës. Lajmi është bërë i ditur dje në faqen zyrtare të Presidencës, ku është publikuar dekreti që mban firmën e Presidentit të Republikës. Dekreti i kreut të shtetit kthen në Prokurorinë e Tiranës prokurorët Përparim Hasa, Kolë Hysenaj dhe Naim Tota, të cilët edhe më parë kanë ushtruar detyrën e tyre në organin e akuzës në kryeqytet. Po kështu, transferimet prekin Prokurorinë e Vlorës, të Beratit, Pogradecit dhe Durrësit. Ndryshimet në fjalë në Prokurori, të cilat përbëjnë 24 transferime dhe një largim, janë firmosur të gjitha nga kreu i shtetit, bazuar në kërkesën e bërë nga prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Kjo e fundit, një javë më parë, mori propozim nga Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme për të kryer ndryshimet në fjalë në organikën e Prokurorisë. Pas mbledhjes së Këshillit një javë më parë, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se këto transferime janë në funksion të mirorganizimit të punës dhe fuqizimit të kapaciteteve njerëzore në përgjigje të dinamikës dhe volumit të punës së zyrave respektive, të evidentuara në analizat  vjetore të kryera. Këshilli i Prokurorisë, me përbërjen e tij të plotë, në mënyrë unanime u shpreh në favor të realizimit të këtyre transferimeve, thuhej në deklaratën e organit qendror të akuzës. Në atë mbledhje të Këshillit u vendos edhe shkarkimi nga detyra i prokurorit të rrethit të Beratit, Xhemal Saliaj, me akuzat e mosushtrimit të detyrimeve në drejtimin e Prokurorisë së Skraparit. Një ditë pas shkarkimit, Saliaj e akuzoi prokuroren e Përgjithshme Ina Rama për abuzime në detyrë, për trajtim të pabarabartë të prokurorëve dhe pohoi se ka bërë padi për shkarkimin e tij duke e konsideruar atë si një vendim të padrejtë. Saliaj theksoi se anëtarëve të Këshillit që votuan shkarkimin e tij u kishte mbaruar mandati.

Levizjet ne prokurori
1. Antoneta SEVDARI transferohet nga Durrësi në Tiranë.
2. Ndini TAVANI transferohet nga Vlora në Tiranë.
3. Endrit BIMI transferohet nga Lushnja në Tiranë
4. Ramadan TROCI transferohet nga Dibra në Tiranë.
5. Naim TOTA transferohet nga Mati në Tiranë.
6. Alket MERSINI, nga Durrësi transferohet në Tiranë.
7. Bledar MAKSUTI transferohet nga Kurbini në Tiranë.
8. Përparim HASA transferohet nga Elbasani në Tiranë.
9. Mirela ZAVALANI transferohet nga Lezha në  Tiranë.
10. Ylli BASHA transferohet nga Kavaja në Tiranë.
11. Kolë HYSENAJ transferohet nga Kavaja në Tiranë
12. Artan Madani transferohet nga Lezha në Durrës
13. Alma KOLA transferohet nga Fieri në Durrës.
14. Sotir KLLAPI transferohet nga Fieri në Durrës
15. Kujtim BASHA transferohet nga Shkodra në Durrës.
16. Xhevahir LITA transferohet nga Kukësi në Shkodër.
17. Lazer CARDAKU transferohet nga Mati në Shkodër.
18. Kreshnik AJAZI, nga Vlora transferohet në Elbasan.
19. Natasha SHALLAPI, nga Gjirokastra transferohet në Lushnjë.
20. Shkëlzen CENA transferohet nga Kukësi në Kurbin.
21. Edmond KARRIQI, nga Kurbini transferohet në Kavajë.
22. Bujar MEMIA, nga Kavaja transferohet në Pogradec.
23. Manjola MERTIRI, nga Gjirokastra transferohet në Fier.
24. Klodjan BRAHO, nga Berati transferohet në Vlorë.
25. Tatjana LAÇEJ, me detyrë prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të lirohet nga kjo detyrë për shkak të plotësimit të moshës për daljen në pension.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›