E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet, si do paguhen për të punësuarit e rinj

Vendimi: Punëdhënësit, 100 për qind financim për kontratat mbi 6 muaj.

Qeveria do të financojë 100 për qind të sigurimeve shoqërore për të punësuarit e rinj në moshën 16-25 vjeç pranë sektorit privat, me kushtin që punëdhënësi të lidhë kontrata me afat mbi 6 muaj.
Vendimi i qeverisë, i cili ka hyrë në fuqi, është një mënyrë nxitjeje për punësimin e të rinjve. Nga programi mund të përfitojnë edhe ata që tashmë kanë punësuar staf të ri kohëve të fundit, por që gjithmonë përmbushin kategorinë moshë të specifikuar në vendim. Punëdhënësit duhet që të kontaktojnë për këtë me zyrat e punës për të marrë informacion, ndërkohë që është shumë e rëndësishme që ata që aplikojnë nuk duhet të kenë pasur precedentë parregullsish në të kaluarën, që lidhen me mospagesën e sigurimeve. Punëdhënësi duhet që të paraqesë një sërë dokumentesh për të vërtetuar gjendjen e biznesit të tij, duke filluar nga numri i të punësuarve, lista emërore e të siguruarve, planbiznesi për shtimin e të punësuarve. Pas kësaj, sipas vendimit, bëhet verifikimi i dokumentacionit të paraqitur, ku në fund Inspektorati jep edhe vlerësimin e tij. Pas kalimit të një sërë procedurave, bëhet edhe miratimi ose jo i projektit. Në vetvete, projekti duhet që të përmbushë edhe kriterin e numrit të jo më shumë se 50 të punësuarve. Zyra Rajonale e Punësimit miraton projektet, kur numri i të punësuarve dhe i atyre që kërkohen për tu punësuar nga punëdhënësi është jo më shumë se 50  persona. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit miraton projektet kur numri i të punësuarve dhe i atyre që kërkohen për tu punësuar nga punëdhënësi është më shumë se 50 persona, thuhet në vendim.

Monitorimi i punëdhënësit
Nëse punëdhënësi aplikon për të përfituar nga financimi që qeveria ka vënë në dispozicion të projektit dhe e fiton këtë të drejtë, atëherë ai do të jetë i monitoruar lidhur me zbatueshmërinë. Është Shërbimi Kombëtar i Punësimit ai që monitoron ecurinë e programit dhe përgatit raporte vjetore, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, të cilat ua paraqet Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Ekonomisë.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›