CEZ: Rritet numri i vjedhjeve të transformatorëve të energjisë elektrike
Fenomeni i vjedhjes së transformatorëve dhe linjave të tensionit të shpërndarjes së energjisë elektrike po përkeqësohet. Kompania e furnizimit me energji elektrike në vend, CEZ Shpërndarje, ka bërë me dije se vetëm në muajin mars kompanisë i janë vjedhur 6 transformatorë dhe 23 km linjë tensioni. Sipas kompanisë, autorët e këtyre vjedhjeve jo vetëm i shkaktojnë një dëm financiar kompanisë, por lënë pa energji edhe komunitetin dhe klientët e rregullt. CEZ raporton se nga tetori 2010 e deri më sot rezultojnë të vjedhur 35 transformatorë dhe 62 km linjë. Zonat ku ky fenomen evidentohet në mënyrë frekuente, sipas CEZ, janë zonat veriore të vendit si dhe zona të veçanta në qytetin e Fierit dhe të Vlorës. CEZ Shpërndarje bën me dije se po e lufton këtë fenomen negativ me të gjitha mjetet që disponon, por, sipas kompanisë, këto përpjekje nuk mund të sjellin zgjidhje pa ndihmën e organeve të rendit dhe institucioneve të tjera të shtetit shqiptar. CEZ informon se vjedhjet e këtyre aseteve nuk dëmtojnë vetëm kompaninë, por edhe konsumatorin shqiptar, pasi këto vjedhje ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimit si dhe në tarifat e energjisë.
Për këtë CEZ i kërkon konsumatorëve të energjisë elektrike në gjithë vendin që
në përpjekje për frenimin e këtij fenomeni, të informojnë policinë e rendit apo dispecerinë e kompanisë në rast se janë dëshmitar të këtyre vjedhjeve.
Rajoni Verior (Qarku i Dibrës, i Kukësit, i Lezhës dhe i Shkodrës) 0228 01023/ 0228 01024/ 0228 01025 . Rajoni Qendror (Qarku i Tiranës dhe i Durrësit) 04 2355269/ 04 2355270/ 04 2358888 Rajoni Jugperëndimor (Qarku i Fierit, Gjirokastrës dhe i Vlorës) 034 210000/ 034 210001/ 034 210002 Rajoni Juglindor (Qarku i Elbasanit, Korçës dhe Beratit) 054 221000/ 054 221001/ 054 221002