CEZ: Rritja e çmimit për familjarët më e ulët se 4.5%
CEZ ka kërkuar një rritje të çmimit të energjisë, për konsumatorët e energjisë, më të ulët se mesatarja e përgjithshme 4.5 për qind. Burimet pranë CEZ-it nuk kanë dhënë shifrën e saktë të rritjes së çmimit për kategorinë e familjarëve, por kanë garantuar se, rritja e propozuar është më pak se 4.5 %. Duhet theksuar se CEZ ka ulur pretendimet për rritjen e çmimit këtë vit, në krahasim me vitin që shkoi. Kërkesa që ngeli e pa miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë vitin që shkoi, parashikonte një rritje mesatare 12 për qind, ndërsa këtë vit kërkohet vetëm 4, 5 për qind. Shifra, në lidhje me rritjen e pritshme të çmimit, është bërë e ditur dje nga Erideta Bashi, Drejtore e Administrimit të Përgjithshëm në CEZ Shpërndarje, gjatë një takimi të zhvilluar nga Enti Rregullator i Energjisë në Shkodër, në kuadër të procesit të hartimit të kontratës së se të energjisë me konsumatorin. Gjithashtu, arsyet se pse CEZ ka kërkuar rritje çmimi, janë paksa të ndryshme nga ato të propozuara nga kompania vitet e shkuara. Kompania CEZ Shpërndarje ka depozituar më 1 shtator, sipas rregullave të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, një kërkesë për ndryshim të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorin fundor,- tha zyrtarja e CEZ-it. Ajo sqaroi për mediat se, aplikimi për rritjen e tarifave të energjise elektrike është shumë kompleks, pasi përbëhet nga një numër kategorish të ndryshme tarifash. “Për këtë arsye është e vështirë të flasim vetëm për një shifër, por le të themi që mesatarja e kërkesës sonë është 4,5% rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorin fundor”,- tha Bashi. Ajo tha se CEZ ka kërkuar rritjen e çmimit, bazuar në tre faktorë. Pikë së pari, arsye kryesore është inflacioni. Vetëm ditët e fundit, Banka e Shqipërisë deklaroi një rritje të inflacionit në nivelet 3.6%. Një tjetër arsye është rritja e çmimit të energjisë elektrike që importohet apo blihet nga tregjet ndërkombëtare. Dhe veç kësaj, rritja mesatare prej 4,5% përfshin gjithashtu një kosto, që është prezantuar së fundmi nga ndryshimet që i janë bërë ligjit, i cili bën të detyrueshëm çertifikimin e matësve, nga një laborator i pavarur. Kostot për këtë certifikim të matësve kapin rreth 2% nga rritja e kërkuar prej 4,5%. “Enti Rregullator i Energjisë tashmë e ka marrë kërkesën tonë dhe atij do t’i duhet rreth tre muaj për ta shqyrtuar. Gjatë kësaj periudhe, ne si kompani, do të kemi mundësi të shpjegojmë më me detaje kërkesën tonë dhe arsyet që na detyrojnë ta kërkojmë këtë rritje çmimi”,- tha zyrtarja e CEZ-it. Sipas deklaratës rregullatore, ERE do t’i aprovojë këto tarifa jo më vonë se data 7 dhjetor. Tarifat e aprovuara do të bëhen efektive më 1 janar të vitit në vazhdim, sipas përcaktimeve të kontratës për çmimin, ndërmjet ERE-s dhe Cez shpërndarjes. Ndërsa, për sa i përket miratimit të deklaratave rregullatore vijuese, jo më vonë se 30 qershor 2014, ERE do të miratojë një deklaratë rregullatore për periudhat e rregullimit që vijojnë pas vitit 2014, e cila nuk do të ndryshojë ndjeshëm në metodologji nga kjo deklaratë rregullatore.
Arsyet se pse CEZ-i ka kërkuar rritje çmimi, janë paksa të ndryshme nga ato të propozuara nga kompania vitet e shkuara. Kompania CEZ ka depozituar më 1 shtator, sipas rregullave të Entit Rregullator, një kërkesë për rritje 4.5 % të çmimit të energjisë.
Rritja e çmimit të energjisë, tre muaj nën shqyrtim
"Eshtë shumë herët që ERE të shprehet për çmimin e energjisë, kur në fakt janë edhe tre muaj në dizpozicion për të shqyrtuar të gjitha kostot dhe alternativat”,- tha dje Drejtori Juridik i ERE-s, Eduard Elezi. Për çështje të rritjes së çmimit të energjisë, do të kërkohet monitorim dhe verifikim i të gjitha kostove. Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar metodologjitë, të cilat i japin ose paraqesin atë që kërkohet te tarifa përfundimtare e çmimit të energjisë elektrike. Nëse kompanitë aplikojnë pranë Entit Rregullator për çmime të Energjisë Elektrike, do të verifikohen dhe do të monitorohen të gjitha postet, të cilat ata pretendojnë që i kanë të kryera dhe të gjithë kanë administrimet për vitin e ardhshëm", tha Elezi. Vitin që shkoi Bordi i Entit Rregullator të Energjisë la të pandryshuara çmimet e energjisë për vitin 2011, në krahasim me ato të vitit 2010. Gjithashtu, fasha sociale 300 kw/h ngeli e pandryshuar. Konsumatorët e energjisë elektrike të të gjitha kategorive paguajnë të njëjtën tarifë si edhe në vitin 2010, për shkak se Enti Rregullator i Energjisë, gjatë mbledhjes së vjetshme, hodhi poshtë kërkesën e CEZ për rritjen e çmimit, me rreth 12 për qind në vitin 2011, në krahasim me 2010. Ndërkohë që Shoqata e Konsumatoreve, Avokati i Popullit, METE, kanë lobuar shumë që të mbajnë të pandryshuar fashën sociale prej 300 kw. Enti Rregullator i Energjisë Elektrike thotë se, shumë shpejt do të miratojë një kontratë të re energjie, e cila detyron KESH-in, OST-ën dhe CEZ-in që, në rast ndërprerje të energjisë, të dëmshpërblejnë me vlera monetare konsumatorët. "Ka kontrata mes furnizuesit publik me shumicë dhe atij me pakicë, të cilët kanë sanksionet e tyre të parashikuara me këtë kontratë. Ka kontrata edhe me Operatorin e Sistemit të Transmetimit, kështu që ka penalitete që variojnë deri te qytetari, të cilit i shkakton dëme",- thotë Eduart Elezi, Drejtor Juridik në ERE. Edhe pse ende nuk i ka përcaktuar përfundimisht masat e dëmshpërblimeve në rast kufizimi të energjisë, ERE thotë se tani në Shqipëri, janë krijuar kushtet që konsumatorët të kenë energji 24 orë edhe në rast thatësire. "Linja që lidh Elbasanin me Malin e Zi është një linjë shumë më e fuqishme dhe arrin që të mbulojë të gjithë konsumin e energjisë elektrike", - tha Elezi.