Braçe: Duhet ligj organik për Kuvendin
TIRANË Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, ka deklaruar dje se votat e opozitës nuk do të jepen pa u miratuar një ligj organik për Kuvendin. “Ajo rregullore nuk mjafton, prandaj fola për ligje organike që kërkojnë 3/5-at edhe votën e opozitës dhe që i garanton opozitës të gjithë veprimtarinë e saj. Nuk janë kushte, janë detyrime që burojnë nga rregullorja, nga kjo palo rregullore, që edhe e tillë, palo rregullore, nuk zbatohet”,- tha Braçe në një intervistë televizive. Deputeti socialist i është përgjigjur edhe kritikave të aleatëve opozitarë për kursin e ri politik të liderit të opozitës, Edi Rama. Braçe shtoi se aleatët duhet të shohin problemet brenda tyre, sa kohë që humbja e opozitës erdhi për shkak të rezultatit të tyre. “Diferenca midis nesh dhe PD-së, ne si parti e parë politike në vend dhe PD-ja si parti e dytë politike në vend, është me 120 mijë vota. Ajo që krijohet pastaj si problematikë buron nga votat e aleatëve. Pra, mendoj se prioritet i aleatëve tanë duhet të jetë përmirësimi i partive të tyre dhe kthimi i partive të tyre në konkurruese, me qëllim që të mbledhin votat, që i kanë pasur, por që për fat të keq i kanë humbur”, - tha Braçe. I pyetur për kritikat e vazhdueshme ndaj kursit politik të ndjekur nga lidershipi socialist në muajt e verës, shfaqur kryesisht përmes rrjeteve sociale, Braçe u përgjigj: “Gjithçka do të shkojë shumë mirë!”