E Diel, 1 Nëntor 2026

CEZ padit KESH-in në Gjykatë, kërkon 1.7 milionë euro

TIRANE – Korporata Energjetike Shqiptare (KESH) është paditur në Gjykatën e Tiranës nga shoqëria “CEZ Trade Albania” për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve kontraktuale në një shumë prej gati 1.7 milionë eurosh. Padia civile, që mban numrin 18851, është depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës dhe do të shqyrtohet nga gjyqtari Ridvan Hado. Seanca e parë e këtij shqyrtimi është caktuar më 18 dhjetor. Në padi, CEZ i kërkon Gjykatës të detyrojë KESH-in, që në zbatim të dy marrëdhënieve të tyre kontraktore të shitblerjes së energjisë, t’i shlyejë detyrimet. “Detyrimi i KESH sh.a., që në zbatim të kontratës së shitblerjes së energjisë, lidhur më datë 30.09.2011, ndërmjet KESH sh.a. (blerësit) dhe CEZ Trade Albania sh.p.k. (shitësi), të shlyejë detyrimet kontraktuale në vlerën prej 1.460.349 eurosh, me TVSH. Pagesën e kamatëvonesave në shumën 52.920.05 euro të përllogaritur deri më datë 1 tetor 2012, si dhe pagesën e kamatëvonesave të barabarta me 4.99% në vit, të llogaritura për çdo ditë vonesë të detyrimit të papaguar nga data 1 tetor 2012 deri në datën e ekzekutimit të plotë të detyrimit”, thuhej në pikën e parë të objektit të padisë. Në vijim, CEZ i kërkon Gjykatës: “Detyrimi i KESH sh.a. që, në zbatim të kontratës së shitblerjes së energjisë lidhur më datë 20.10.2011 ndërmjet KESH sh.a. dhe CEZ Trade Albania (shitësi) të shlyejë detyrimet kontraktuale në vlerën prej 218.484 eurosh, me TVSH. Pagesën e kamatëvonesave në shumën 7.917.41 euro të përllogaritur deri më datë 1 tetor 2012, si dhe pagesën e kamatëvonesave të barabarta me 4.99% në vit, të llogaritura për çdo ditë vonesë të detyrimit të papaguar nga data 1 tetor 2012 deri në datën e ekzekutimit të plotë të detyrimit”. Në pikën e fundit të objektit të padisë të CEZ, thuhej: “Për saktësim, shuma totale e detyrimeve më lartë, pa përfshirë kamatëvonesat, është 1.678.833 euro”.               ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›