E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëlloi të atin për vdekje, fshati në mbrojtje të 25-vjeçarit

Kryeplaku Preng Gjoka

LEZHE – Fshati Kalur në Lezhë, ku ndodhi krimi në familje të martën, ngrihet në mbrojtje të Saimir Çupit, 25-vjeçarit që qëlloi të atin për vdekje. Sipas kryeplakut Preng Gjoka, banorët e fshatit do të mblidhen sot para godinës së Gjykatës së Lezhës për të kërkuar lirimin e të riut, i cili kreu veprimin në kushtet e vetëmbrojtjes. “Ngjarja ishte aksidentale. Nuk e goditi qëllimisht të atin Mark Çupi, por ai është tronditur kur ka parë të ëmën dhe vëllanë e përgjakur, pasi u qëlluan më parë nga kryefamiljari me automatik”, thotë Gjoka. Kryeplaku thotë se ka qenë vetë i pari në banesën ku ndodhi ngjarja, për shkak të sherrit të nisur nga pija e konsumuar prej të zotit të shtëpisë. “Do të pësonte të njëjtin fat edhe Saimiri, nëse ai nuk do të tregohej i shkathët, duke i përplasur derën dhe më pas i ka kapur automatikun duke ia hequr nga dora dhe përplasur në dysheme. I ati mori plagë në kokë, duke vdekur në spital, ndërsa Saimiri ka qenë në makinën tjetër me dy të plagosurit. Ai asnjëherë nuk i është shmangur ngjarjes, duke e treguar atë me korrektësi”, u shpreh dje kryeplaku. Sipas tij, ky reagim i fshatit vjen pasi anëtarët e familjes Çupi njiheshin si njerëz të mirë, pavarësisht se çfarë ndodhi në gjendje të alkoolizuar prej 62-vjeçarit. “Saimir nuk ka para për avokat dhe ne si fshat do të bëjmë “avokatin” e tij, sepse e dimë që ngjarja ishte aksidentale. Ai ka nënën shumë të sëmurë dhe vëllanë që ka mbetur me këmbë të thyera nga plumbat”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›